E Diel, 1 Nëntor 2026

PDK: NATO-ja, garanci për të ardhmen europiane të Shqipërisë



Partia Demokristiane ka përshëndetur dje përfundimin e nënshkrimit të Protokollit nga të gjitha shtetet anëtare për anëtarësimin e Shqipërisë në organizatën më të fuqishme politiko-ushtarake të botës. “Në këtë ditë të shënuar, PDK-ja falënderon Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si aleatin e madh historik të shqiptarëve, për mbështetjen që i kanë dhënë Shqipërisë në rrugën e saj të vështirë të demokracisë, të ndërtimit të shtetit ligjor dhe të reformave, që garantuan anëtarësimin tonë në NATO. Anëtarësimi i Shqipërisë në NATO i jep fund një epoke të errët, kur Shqipëria dhe shqiptarët u shkëputën me dhunë nga trungu i tyre i natyrshëm, Europa. PDK-ja gjykon se anëtarësimi i Shqipërisë në NATO, në Samitin e ardhshëm më 4 prill, është një arritje historike e mbarë kombit shqiptar, që nuk duhet monopolizuar apo personalizuar nga asnjë forcë politike, si në maxhorancë, dhe në opozitë”, - është shprehur nënkryetari i PDK-së, Vladimir Beja. Në emër të PDK-së ai i ka bërë thirrje qeverisë të rrisë kujdesin dhe maturinë për të ruajtur stabilitetin ekonomik për të minimizuar pasojat e krizës globale që ka trokitur në vendin tonë.

PS-ja ankohet te KKRT-ja për reklamat politike të qeverisë

Anëtarët socialistë të Komisionit të Medias kanë kërkuar, gjatë mbledhjes së djeshme, që Këshilli Kombëtar i Radio Televizionit të marrë masa për transmetimin e reklamave politike të qeverisë apo disa ministrive. Deputeti Alfred Dalipi, gjatë fjalës së mbajtur dje në Komisionin Parlamentar të Medias e ka cilësuar shkelje të ligjit transmetimin e reklamave nga ana e qeverisë. Sipas tij, transmetimi i këtyre reklamave nuk duhet lejuar, pasi fushata elektorale nuk ka filluara akoma. “Prej disa muajsh po transmetohen spote publicitare politike të paguara nga ministritë apo nga qeveria, ku japin pamje të një burri me gërshërë në dorë dhe përfundojnë me slogane fushatash zgjedhore. Këto spote bien ndesh me vendimet e vetë Këshillit të Ministrave, që thotë se nuk lejohen të tilla spote para fushatave zgjedhore”, - është shprehur Dalipi. Në përgjigje të tij, drejtoresha e Këshillit Kombëtar të Radio Televizionit, Mesila Doda, e cila ishte e pranishme në Komision për të raportuar mbi raportin vjetor të këtij institucioni, tha se nuk mund të ndalohen spote të cilat nuk kanë logo të partive.

25 Shkurt 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›