E Shtunë, 31 Tetor 2026

Këshilli Kombëtar i PDK, "pro" largimit të Bushatit dhe Gurakuqit

Këshilli Kombëtar i PDK-së miraton kërkesën e kryetarit Ndoka për të larguar nga qeveria dy zv/ministrat demokristianë. Kreu i PDK-së, Nard Ndoka, luan me zjarrin gjithashtu duke sulmuar Partinë Demokratike për përçarjen e demokristianëve. Në mbledhjen e Këshillit Kombëtar, në fjalën e tij Ndoka u ndal edhe në marrëdhëniet brenda partisë dhe në situatën e re të krijuar në të, duke e cilësuar atë të padëshiruar. "Ne u ndodhëm nën një trysni të madhe të disa lobeve politike jashtë partisë sonë. Ata shfrytëzuan ambiciet personale dhe krizat e identitetit të ndonjë zyrtari demokristian për të krijuar një tymnajë propagandistike kundër partisë sonë, strukturave drejtuese, simboleve dhe vlerave që ne përfaqësojmë", tha Ndoka. Duke u ndalur te situata brenda strukturave të partisë, ai tha se "kryetari i grupit parlamentar dhe njëri nga zv/ministrat tanë përfaqësues në qeveri, regjistruan në gjykatë një parti tjetër politike konkurruese me PDK-në". Ndoka i cilëson të përjashtuar nga PDK-ja ata që e kundërshtuan gjatë kohës kur ai po zhvillonte një tur vizitash në Skoci dhe Angli.

Këshilli Kombëtar

Këshilli Kombëtar i PDK-së vendos që Kongresi i partisë të zhvillohet më datën 8 maj, për të miratuar vendimin e Këshillit Kombëtar për përjashtimin e dy zv/ministrave demokristianë nga qeveria, Anton Gurakuqin dhe Zef Bushatin. Gjithashtu, Këshilli Kombëtar i PDK-së kërkoi që Zef Bushati, zv/ministër i Integrimit, dhe Anton Gurakuqi, zv/ministër i Jashtëm të mos jenë përfaqësues të PDK-së në qeverisje. Ndoka ka kërkuar nga Këshilli Kombëtar që të votojë pro shkarkimit të tyre, sepse, sipas tij, kanë shkelur statusin e partisë. Këshilli Kombëtar i Partisë Demokristiane u mblodh dje për të diskutuar mbi situatën politike në vend, si dhe për t‘u informuar mbi marrëdhëniet brenda koalicionit qeverisës, sistemin e ri zgjedhor dhe ndryshimet kushtetuese, si dhe me marrëdhëniet me faktorin ndërkombëtar. Gjatë fjalës së tij, kryetari i PDK-së, Nard Ndoka, u ndal te situata në vend, pas marrjes së ftesës për në NATO. Ai theksoi kontributin e PDK-së në këtë ngjarje historike, si pjesë e koalicionit qeverisës. Gjithashtu, Ndoka u ndal te ndryshimet kushtetuese të miratuara në Kuvend. "PDK-ja u kushtoi rëndësinë e duhur debateve rreth këtyre ndryshimeve, mori pjesë aktive në tryezat partiake dhe në Parlament e në tryezën e koalicionit, duke paraqitur pikëpamjet tona të qarta e të argumentuara", tha ai. Ndoka u ndal te marrëdhëniet ndërkombëtare të PDK-së, vuri në dukje vizitën e delegacionit të CDU-së gjermane, por dhe bashkëpunimin me parti të tjera evropiane të spektrit demokristian.

Reagon Bushati

"Nard Ndoka më kujtoi Enverin"

Vazhdojnë përplasjet brenda PDK-së. Zef Bushati dhe Anton Gurakuqi pretendojnë se Nard Ndoka ka zhvilluar mbledhjen e Këshillit Kombëtar me drejtor të Ministrisë së Shëndetësisë dhe jo me anëtarët e vërtetë të PDK-së. "Braktisja e detyrës në orarin e punës, marrja me politikë dhe aktivitet partiak brenda orarit zyrtar është një shkelje e rëndë e Kodit të Punës, për të cilin administrata shtetërore, Departamenti i Administratës Publike, si dhe organet e tjera përgjegjëse duhet ta thonë fjalën e tyre në zbatim të ligjit", tha Bushati. Duke bërë një bilancë të punës së Ndokës, që kur ka ardhur në krye të PDK-së më 3 qershor të 2006-ës, Bushati u shpreh se PDK-ja ka një zv/ministër dhe tre drejtorë të arrestuar. "Ka dy kryetarë të grupit të PDK-së të përjashtuar, si Lesin dhe Ujkën. Dy zv/ministra të shkarkuar, dy ish-kryetarë të PDK-së të përjashtuar dhe 73 anëtarë të Këshillit Kombëtar të përjashtuar", tha Bushati, duke shtuar se "këtë bilanc përjashtimesh brenda 2 vitesh në krye të PDK-së Nard Ndokës do t‘ia kishte zili edhe vetë Enver Hoxha".


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›