E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Berisha, borxh Beratit një mandat

Partia Socialiste zhvilloi dje pasdite protestën e saj të dytë pa praninë e aleatëve. Socialistët u ndalën në qytetin e Beratit, ku kreu i selisë rozë tha se viti 2010 është koha e ndarjes së Berishës nga pushteti. Pavarësisht karakterit lokal të protestave, të cilat kanë si synim që të mbajnë lart interesin e njerëzve për të protestuar, ka rënë në sy mungesa e aleatëve të majtë e të djathtë. Kreu i Partisë Demokracia Sociale shprehu habinë përse nuk është ftuar nga selia rozë, ndërsa shpreson në një takim në ditët në vijim për t‘u njohur më nga afër me strategjinë e saj. Ndërsa kreu i PDK-së, Nard Ndoka, tha për "Shqip" se aksioni i përbashkët nis në muajin janar dhe se protestat e tanishme janë një aksion i Partisë Socialiste. Nga ana tjetër, Milo tha se nuk ka asnjë informacion apo asnjë kontakt për mënyrën se si do të organizoheshin këto mitingje-protestë nga ana e PS-së, gjithnjë duke shkuar me bindjen që aleatët njoftohen zakonisht në fund. "Ne kemi pritur një njoftim në fund, më konkretisht për dje paradite, por nuk e kemi pasur një gjë të tillë dhe për rrjedhojë nuk kemi qenë prezent në mitingun e PS-së të organizuar në qytetin e Durrësit përpos nevojës për konsultime reciproke ose për një informim minimal që aktivitetet PS-ja ka vendosur t‘i zhvillojë vetë dhe pa praninë e aleatëve", tha Milo. Por, pavarësisht këtyre pakënaqësive, socialistët janë të vendosur që të vijojnë me strategjinë e tyre. Në fjalën e tij, Rama premtoi se PS-ja do ta bëjë vitin 2010, vitin e lirisë së votës e do të protestojë për largimin e këtij pushteti që grabiti votat, ndërsa deklaroi se Berisha i ka borxh një mandat Beratit. Duke përmendur rritjen e çmimit të energjisë e vështirësitë ekonomike të qytetarëve dhe bizneseve, Rama ritheksoi vendosmërinë e opozitës për të çuar deri në fund betejën për transparencën e zgjedhjeve. "Nuk ka festë për familjet shqiptare që presin një faturë të re. Çmimi i energjisë bën zero rritjen e rrogave dhe pensioneve. Kjo do të sjellë rritje të pashmangshme çmimesh në dyqanet që do të mbijetojnë. Në këtë ngricë ekonomike që ka pllakosur vendin ligjëron një Parlament pa legjitimitet. Ky pushtet i grabitur do t‘i mbajë forcërisht mbyllur kutitë e votimit, ky pushtet agresiv do të bëjë çmos për ta kthyer qeverisjen në një regjim për familjen e Sali Berishës", u shpreh Rama. Ndërsa deputeti socialist, Erjon Braçe, e konsideroi Kryeministrin Berisha rrezik popullor që ka rritur papunësinë. "Motoja korruptive e tij është: shfrytëzo një milion familje për një familje të vetme. Pra, për familjen e tij, për këtë është rrezik popullor. Sot çmimi i energjisë u rrit me 10% për të gjithë të varfrit, për gjithë të tjerët me 13% dhe që nga 1 janari për çdo familje u rrit me 13.5%", sqaroi Braçe. Ky është Sali Berisha, shtoi ai, burri që nuk mban fjalën. Sipas Braçes, nga 1 janari do të biem pre e paburrërisë së tij. "Arka e shtetit do të mbushet nga çdo portofol qytetar. Të gjitha çmimet e ushqimeve u rritën, duke përfshirë dhe pataten që ati i tij shpirtëror e ka pasur edhe bukë dhe gjellë", tha ai. Kryetari i Bashkisë Berat, Fadil Nasufi, nënvizoi se protesta është e vetmja zgjidhje për t‘i thënë ndal krizës ekonomike, ndal qeverisë së paligjshme. "Berisha ka cenuar rëndë autonominë vendore. Kjo qeveri po cenon rëndë biznesin e vogël. Protestat tona do të zhvillohen derisa të gjejnë zgjidhje të gjitha kërkesat që kemi. Kërkesa jonë themelore, hapja e kutive", deklaroi ai.

M.Haxhialiu

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›