E Shtunë, 31 Tetor 2026

QSU: Të premten masa për mjekun Hoxhallari

Veç grupit të hetimit edhe drejtuesit e spitalit "Nënë Tereza", ku vdiq 17-vjeçarja e operuar nga bajamet, do të marrin masa për mjekun Xhevahir Hoxhallari. 

Kjo në rast se raportet mjekësore prej Urdhrit të Mjekut, shërbimit të ORL-së dhe Mjekësisë-Ligjore e nxjerrin fajtor për vdekjen e vajzës. "Këto raporte pritet të na dorëzohen të premten", bëri me dije zyra e shtypit të QSU-së. Drejtoria pas mbledhjes së zhvilluar dje, doli në konkluzionin se, masa që do të merret ndaj mjekut Hoxhallari duhet të jetë e mbështetur ligjërisht. Sipas QSUT-së, në bazë të statutit të spitalit nëse mjeku Hoxhallari fajësohet për vdekjen e 17-vjeçares Petriti, automatikisht pezullohet nga profesioni. Pas akuzave të familjarëve, ekspertiza mjeko-ligjore vërejti se vdekja e gjimnazistes nga Maliqi, kishte ardhur si pasojë e shokut hemorragjik pas një ndërhyrje kirurgjikale në bajame. Gjakderdhja ka zgjatur rreth 16 ditë. Matilda Petriti humbi jetën më 23 prill pas operacionit të kryer në klinikën private të Xhevahir Hoxhallarit për heqjen e bajameve. Për më shumë së dy javë vajza pati hemorragji, por edhe pas trajtimit në Tiranë nuk u arrit frenimi i saj. Prokuroria po heton edhe për dy mjekë të tjerë që ditën kur humbi jetën 17-vjeçarja kishin turnin e natës në spital. Matilda vdiq në dhomën e pavijonit. Ndërkohë në reanimacion do të ishte e pamundur t'i jepej ndihmë, pasi nuk ka aparaturat më minimale të ndihmës së shpejtë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›