Këshilli bashkiak miraton buxhetin, 70 milion dollarë Tiranës në 2012

Kryebashkiaku Lulzim Basha: Buxheti i vitit 2012, tërësisht në shërbim të qytetit dhe qytetarëve
Kryetari i Bashkisë tha gjatë diskutimeve në këshillin bashkiak, se 50 për qind e investimeve që Bashkia synon të ndërmarrë vitin e ardhshëm do të jenë tërësisht investime të reja në rrugë, shtimin e hapësirave të gjelbra, ndërtime shkollash dhe qendrash sociale, garantimin e sigurisë rrugore si dhe nisjen e përgatitjeve për ndërtimin e apartamenteve sociale për të pastrehët
Këshilli Bashkiak i Tiranës miratoi dje me votat e mazhorancës, buxhetin e bashkisë për vitin 2012-ë dhe 7 projektet e kryebashkiakut, Lulzim Basha për krijimin e vendeve të reja të punës, përmirësimin e shërbimeve të qytetit përfshirë dhe zërin e qytetarëve në qeverisje. Këshillit Bashkiak iu propozua nga administrata e bashkisë, eliminimi i të gjithë taksave dhe tarifave vendore, për të gjithë bizneset e reja që punësojnë 50 apo më shumë qytetarë të Tiranës, dhe uljen me 30 për qind të taksës së ndikimit në infrastrukturë për të gjithë sipërmarrjet që punësojnë mbi 75 qytetarë të Tiranës dhe që i punësojnë ata rishtasi, siç mund të evidentohet nga lista e të papunëve në zyrën e punës në Bashkinë e Tiranës. Pas diskutimeve të gjata dhe kundërshtive të hasura nga përfaqësuesit e opozitës, këshilli bashkiak votoi me shumicë votash “pro” projektit “Basha” për rikonceptimin e qytetit të Tiranës dhe shërimin e “plagëve” të vjetra. Gjithashtu, këshilli bashkiak miratoi dhe disa ndryshime në vendimin e Këshillit Bashkiak nr. 3 “Për sistemin e taksave dhe tarifave vendore në qytetin e Tiranës” (i ndryshuar); disa ndryshime në nivelin e pagave të punonjësve të institucioneve të varësisë; emërtimin “Ibrahim Rugova” të një prej rrugëve kryesore të qytetit të Tiranës; një ndryshim në vendimin e Këshillit Bashkiak “Për Miratimin e Komisionit të Strehimit” (i ndryshuar); dhënia e bursave për nxënësit; termat kryesorë të kontratës koncesionare mbi parkimin nëntokësor në sheshin “Italia”; disa ndryshime në vendimin e Këshillit Bashkiak “Për sistemin e taksave dhe tarifave vendore në qytetin e Tiranës” (i ndryshuar).
Kryetari i Bashkisë, Lulzim Basha
Kryebashkiaku Lulzim Basha relatoi në Këshillin Bashkiak të kryeqytetit për projektbuxhetin 2012, i cili sipas tij synon rritjen ekonomike dhe punësimin, cilësisë së jetës dhe zhvillimin e infrastrukturës. Sipas tij, në buxhet parashikohet trefishim i investimeve publike krahasuar me periudhën më të mirë të investimeve publike të Bashkisë së Tiranës në këto 20 vite dhe shpërndarje e tyre anembanë qytetit. Basha theksoi se ky buxhet nuk ka të përllogaritur asnjë lloj rritje takse apo tarife, por ka si synim të gjenerojë më shumë të ardhura nëpërmjet shtrirjes së bazës fiskale në mënyrë të drejtë anë e mbanë qytetit. Ai tha se 50 për qind e investimeve që Bashkia synon të ndërmarrë vitin e ardhshëm do të jenë tërësisht investime të reja, projekte të nisura nga fillimi, ndërsa 50 për qind do të jenë për projektet që janë gjetur të nisura. “Në total janë parashikuar 100 hektarë rikualifikime urbane, nga këto do të veçoja ndërtimin e 65 mijë metra katrorë rrugë, nga të cilat 33 mijë metra katrorë do të jetë tërësisht të reja, rikonstruksionin e 153 mijë metra katrorë rrugëve ekzistuese dhe 79 mijë metra katrorë trotuare, ndërtimin e dy urave, urës së Shkozës dhe urës tjetër që ka lidhje me Njësinë 5, këtu te Vasil Shanto për të zgjeruar atë dhe për ta bërë më të përshtatshme për trafikun”, tha Basha. “Vetëm në Njësinë Bashkiake numër 5 është parashikuar ndërtimi dhe rikonstruksioni i 7 rrugëve. Në këtë buxhet parashikohet një zë i veçantë për rritjen e sigurisë në rrugë dhe këtu jo vetëm investimet klasike si korsitë e dedikuara, sinjalistika e ndriçimi. por edhe nisja e një projekti për pajisjen me kamera automatike të kryqëzimeve kryesore për vëzhgimin në kohë reale të trafikut dhe të incidenteve”, tha Basha. Investimet në infrastrukturën arsimore zënë një vend të veçantë në buxhet, ku është parashikuar ndërtimi i 4 shkollave të reja 9-vjeçare, 2 shkollave të mesme, 3 kopshteve dhe 2 çerdheve. Basha tha se “paralel me buxhetin dhe mundësitë për të mbështetur këto objekte, ne do të identifikojmë troje dhe objekte për ndërtimin e 16 shkollave 9 vjeçare dhe të mesme dhe të gjithë rrjetin e kopshteve dhe çerdheve për të kënaqur nevojat dhe kërkesat e projektuar të qytetarëve të Tiranës deri në vitin 2020 dhe për t’i ndërtuar këto brenda 24-30 muajt e ardhshëm”. Përveç bonuseve financiare për nxënësit e shkëlqyer, Bashkia parashikon hapjen e shkollave verore për fëmijët. “Shkollat verore, të cilat do të bëjnë të mundur që edhe fëmijët e atyre prindërve që nuk kanë mundësi që gjatë verës përveç pushimit, t’i ofrojnë atyre mundësi mësimi të një gjuhe të huaj apo të një lëndë të veçantë, këtë do ta marrë përsipër rrjeti ynë arsimor nëpërmjet shkollave verore. Sigurisht që ka edhe avantazh social këtu veçanërisht për fëmijët e prindërve, të cilët janë në kushte të tilla punësimi që s’kanë mundësi për t’iu dedikuar fëmijëve gjatë muajve të verës apo për ata që kanë prindër një ose të dy pa punë”, tha Basha. Vëmendje të veçantë Bashkia i ka kushtuar mbështetjes me fonde të politikave të saj sociale. Kështu parashikohet ngritja e 6 qendrave të reja sociale, bonusi i qerasë për familjet në nevojë, janë parashikuar lehtësira fiskale për kategoritë në nevojë, pensionistët dhe veteranët. Ndërkohë, vitin e ardhshëm do të fillojë Programi i Integrimit të të Pastrehëve, do të fillojë funksionimi i banesave sociale, sikundër do të bëhen studime dhe projektime për ndërtimin e banesave të reja sociale nëpërmjet partneritetit publik-privat. “Për këtë arsye buxheti do të mbështesë edhe aktivitetin parapërgatitës për evidentimin e trojeve publike ku në partneritet me sektorin privat dhe në përputhje me planin urbanistik do të nisë edhe ndërtimi i apartamenteve sociale, të paktën 600 prej tyre brenda vitit të ardhshëm buxhetor”, tha Basha. Në projektin për zhvillimin ekonomik dhe punësimin energjitë janë fokusuar tek projekti i rigjenerimit ekonomik të Tiranës nëpërmjet rigjenerimit të biznesit në Tiranë. Kjo është arsyeja, sipas Bashës, pse u hoqën taksat dhe tarifat e tepërta dhe siguroi se do të vijojë reduktimi i tyre. “Brenda dy javësh në Këshillin Bashkiak ne do të bëjmë një propozim për të gjitha bizneset e reja që punësojnë më shumë se 50 persona nga lista e të papunëve të Tiranës do të eliminojmë të gjitha taksat e tarifat vendore, ndërsa të gjitha ata që punësojnë mbi 75 vetë në sektorin e ndërtimit do të ulim me 30 edhe taksën e ndikimit në infrastrukturë, e cila është një nga taksat kryesore kontributore e Bashkisë”. Aplikim on-line për lejet dhe licencat është një tjetër reformë e rëndësishme që parashikohet nga Bashkia. Vitin e ardhshëm jo vetëm për shkak të 100 vjetorit të pavarësisë, por edhe si një përpjekje për t’i dhënë turizmit rolin që i takon në Tiranë, janë parashikuar festivale të ndryshme, që nga ato të kuzhinës apo të artizanatit, por edhe rikualifikimi i disa zonave historike të qytetit të Tiranës, siç është qendra e vjetër e Tiranës, që njihet si blloku i Toptanasve. Ndërkohë, edhe sporti nuk ka mbetur jashtë vëmendjes së buxhetit. Kështu në vitin e ardhshëm Bashkia ka rezervuar 80 milionë lekë për klubin e futbollit të Tiranës, por edhe fonde të tjera për aktivitete të tjera sportive.
...