Projekti zyrtar i statutit: Jo fraksioneve në PS

Për më shumë se 6 orë grupi i punës ka sjellë në formën përfundimtare ndryshimet në statut. Ndryshon edhe zgjedhja e krerëve në rrethe, ndërsa propozimet e LMN-së nuk shqyrtohen
TIRANË - Mendimi ndryshe apo siç njihet në terminologjinë politike oponenca kolektive nuk do të institucionalizohet në Partinë Socialiste. Nuk bëhet më fjalë për qëndrimin e shprehur nga anëtarësia socialiste në sondazhin e kryer gjatë muajve të shkuar, por për vendimmarrjen zyrtare të grupit të punës, që ka përmbyllur draft-statutin e ri, pa përfshirë në të oponencën kolektive apo siç njihet ndryshe fraksionet. Ndërkohë që pjesë e kësaj pakete ndryshimesh që do t'i paraqitet për miratim kongresit janë bërë dhe një sërë propozimesh të tjera që prekin mënyrën e organizimit të Partisë Socialiste nga baza në qendër.
Fraksionet
Grupi i punës për ndryshimet në statut i ka dhënë dje dorën e fundit draft-statutit të ri të Partisë Socialiste, megjithëse ka vendosur që të mblidhet edhe një herë javën që vjen për ta parë atë si një projekt zyrtar duke përfshirë edhe ndryshimet apo rregullimet që iu bënë gjatë mbledhjes së djeshme. Kështu, për më shumë se 6 orë përfaqësuesit socialistë të zgjedhur në këtë grup pune kanë diskutuar gjatë për pikat kryesore të ndryshimeve, ku natyrisht një vend të veçantë ka zënë edhe oponenca kolektive. Burime pranë tij bënë të ditur se thuajse gjithë pjesëmarrësit në këtë mbledhje kanë diskutuar gjatë për këtë propozim, që është rifutur për shqyrtim nga ish-kandidati për kryetar partie Maqo Lakrori, megjithëse baza ishte shprehur më parë kundra një risie të tillë.
Mësohet se gjatë diskutimeve përfaqësuesit socialistë, pjesa kryesore deputetë, kanë dhënë argumentet e tyre pro dhe kundër legalizimit të mendimit ndryshe nëpërmjet pranimit të fraksioneve në parti, ku natyrisht ka mbizotëruar mendimi i shprehur edhe nga anëtarësia se qenia në opozitë nuk do ta bëjë të nevojshme një gjë të tillë. Kundra një argumenti të tillë ka qenë Maqo Lakrori, i cili ashtu si edhe gjatë fushatës për kryetar partie ka mbrojtur idenë e oponencës kolektive me argumentin se ajo do të fuqizojë partinë dhe do të angazhojë në jetën dhe drejtimin e partisë në strukturat kryesore, edhe ata individë që kanë rezerva për linjën zyrtare të forcës politike ku aderojnë. Në përfundim të këtij debati propozimi i Lakrorit është hedhur për votim dhe me shumicë votash ai është rrëzuar duke mos u bërë pjesë fare e paketës së propozimeve që do t'i paraqitet kongresit që me shumë gjasa pritet të mbahet në fund të muajit prill.
Ndryshimet
Statuti i Partisë Socialiste pritet të pësojë dhe një sërë ndryshimesh të reja, të cilat duket se kanë dalë si një domosdoshmëri si nga përvoja e deritanishme ashtu edhe nga nevoja për ta përshtatur strukturën e saj organizative me ndarjen elektorale që është bërë në bazë të kodit të ri zgjedhor. Kështu PS-ja pritet të rikthehet tek skema e vjetër e zgjedhjes së krerëve vendor, nëpërmjet forumeve drejtuese dhe jo më nëpërmjet parimit "një anëtar një votë". Duket se një formulë e tillë nuk ka dhënë rezultatin e duhur në drejtimin e partisë në bazë, kryesisht gjatë proceseve zgjedhore, çka u vërejt qartë edhe në zgjedhjet e fundit, ku PS-ja nuk arriti të marrë rezultatin e dëshiruar. Për këtë arsye në paketë është përfshirë një propozim ku kryetarët e partisë në bazë, pra kreu i PS-së në bashki dhe rreth të mos zgjidhet më në bazë të këtij parimi, por nga strukturat e tjera vendimmarrëse.
Ndërkohë që kanë rënë dy propozimet e tjera që kanë të bëjnë me mënyrën e organizimit të partisë në bazë KZAZ-je. Siç edhe mësohet sërish strukturat më të larta drejtuese të partisë në bazë do të jenë ato në bazë rrethi, siç edhe është aktualisht. Gjithashtu, në grupin e punës ka rënë edhe propozimi i deputetit Bashkim Fino që posti i sekretarit si drejtues i Këshillit Socialistë të mos ishte më në bazë rrethi siç është aktualisht, por në bazë KZAZ-je. Një vendimmarrje e tillë duket se ka qenë e imponuar për shkak edhe të mënyrës së organizimit të partisë në bazë rrethi dhe jo KZAZ-je. Jashtë paketës së ndryshimeve statutore kanë mbetur edhe propozimet e LMN-së, të bëra publike gjatë gushtit të shkuar, ku natyrisht pika që dominonte ishte ajo për largimin e kryetarit të partisë në rast humbjeje zgjedhje pa iu dhënë e drejta që të rikandidonte.