Këshilli i Ministrave adoptoi në mbledhjen e sotme vendimin: "Për miratimin, në parim, të Memorandumit tripalësh të Mirëkuptimit, "për projektin e naftësjellësit trasballkanik "AMBOâ€
Këshilli i Ministrave adoptoi në mbledhjen e sotme vendimin: "Për miratimin, në parim, të Memorandumit tripalësh të Mirëkuptimit, "për projektin e naftësjellësit trasballkanik "AMBO"".
Kompania AMBO, me qëndër në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, është iniciatore e projektit të naftësjellësit me gjatësi 576 milje, i cili do të transportojë naftën brut të Rusisë, Azerbaxhanit dhe Kazakistanit, nga Deti i Zi në Portin e Burgazit drejt portit të Vlorës në Detin Adriatik. Qeveritë e Shqipërisë, FYROM-it dhe Bullgarisë kanë garantuar AMBO-n duke i dhënë të drejtën ekskluzive për këtë projekt, i cili shihet me një prespektivë shtrirjeje drejt Italisë nëpërmjet kanalit të Otrantos për të furnizuar rafineritë e mëdha që ndodhen në këtë zonë.
Tubacioni i propozuar do të ketë diametrin 35'' me fillim nga porti bullgar i Burgazit dhe mbarim në Portin shqiptar të Vlorës. Ai do të ketë një prurje 750 000 rel në ditë. Gjatësia e tubacionit do të jetë rreth 913 km, me pesë pompa për pompimin e naftës brut, drejt Vlorës.
Tubacioni do të kalojë përmes tre vendeve: Republikës së Bullgarisë, Republikës së Maqedonisë dhe Republikës së Shqipërisë. Të tri vendet kanë bashkëpunuar me Qeverinë Bullgare për studimin e fisibilitetit e cila ishte drejtuese e Grantit të Studimit. Tregjet e vendeve ku do të kalojë naftësjellësi janë marrë në konsideratë deri në terminalin e Vlorës, i cili do të jetë proti kryesor i ngarkimit të tankerave me destinacion tregun botëror, duke përfshirë Europën, Kanadanë dhe Shtetet e Bashkuara. Pajisjet kryesore inxhinjerike dhe materialet do të merren nga kompanitë e mirënjohura dhe që kanë një eksperiencë të provuar në prodhimin e tubacioneve të këtij dimensioni. Instalimi do të kryhet nga kompanitë lokale të cilat janë marrë për një kohë të gjatë me instalimet e tubacioneve. Ata do të kenë asistencën e specialistëve me të njohur për këto proçese.
Pajisjet tokësore të naftësjellësit do të lidhen me sistemin SCADA duke përfshirë dhe lidhjet zanore. Ky sistem do të mbajë nën kontroll kompjuterik gjithë naftësjellësin me terminalet. Sistemi detar do të lidhet me radiot e marinës.
Projekti do të mundësojë transportimin e 40 milionë tonëve në vit dhe duke e parë këtë në kërkesat ekonomike, krahasuar me tankerat, ai është më i favorshëm, gjë që do të sjellë afrimin e investitorëve. Mbrojtja e ambjentit në zonat ku do të kalojë tubacioni, në tokë dhe në det, është parë si një çështje e rëndësishme. Rruga e zgjedhur për kalimin e naftësjellësit ka shmangur zonat e banuara ndërkohë që do të përdoren pajisje moderne për kontrollin e zonave ku do të kalojë tubacioni.
Kompania AMBO gjatë viteve 2000-2002 ka zhvilluar takime intensive në dy drejtime. E para lidhet me takimet në zyrat qendrore të kompanive të naftës dhe bankave ndërkombëtare në Londër dhe në Amerikë dhe drejtimi i dytë ka të bëjë me diskutimet direkte me kompanitë e ndryshme nacionale dhe internacionale të prodhimit të naftës në rajonin e Kaspikut dhe të Detit të Zi.
Këtij qëllimi i kanë shërbyer takimet me përfaqësuesit e kompanive Exxonobil Corporation, BP – Amoco, Teaco, Chevron, Unican dhe Coneco, të cilët e shikojnë me mjaft interes përfshirjen në projektin AMBO. Këtë projekt do ta mbështesë gjithashtu US Overseas Private Investment Coorporation (OPIC) bashkë me First Bank me qendër në Boston si dhe EBRD që do të investojnë 30% të kostos së tij.
Investimi në këtë projekt gjigand kap shifrat mbi 1.2 miliardë dollarë.
Bazuar në VKM nr.482 datë 6.09.2000 "Për miratim në parim të Projektit AMBO", në Philadelphia të Amerikës më datën 13.9.2000, vendi ynë nënshkroi Memorandumin e Mirëkuptimit midis kompanisë AMBO, ku vlen për t'u theksuar që Qeveria Shqiptare ka plotësuar në mënyrë korëkte pikën B të këtij Memorandumi, që lidhet me miratimin e Studimit të fizibilitetit. Aktualisht kompania AMBO u ka paraqitur shteteve pjesëmarrëse, memorandumin Trepalësh të Mirëkuptimit "Për projektin e naftësjellësit Trans-Ballkanik AMBO" që do të nënshkruhet midis Republikës së Shqipërisë, Republikës së Maqedonisë dhe Republikës së Bullgarisë.
Draft Memorandumi i paraqitur nga kompania AMBO është i njëjtë për të tre vendet ku do të kalojë naftësjellësi (Shqiëria, Maqedonia dhe Bullgaria) si dhe është një dokument mjaft i rëndësishëm për të tre Qeveritë e vendeve përkatëse. Ajo do të përbëjë një garanci për kompaninë AMBO në sigurimin e investimeve të projektit nga bankat ndërkombëtare si dhe nga kompanitë e naftës që janë të interesuara për të investuar këtë projekt. Ky Draft Memorandum do të sigurojë kuadrin ligjor rregullues për projektin në masën maksimale të mundshme të tij. Ai siguron që projekti në thelb të trajtohet në mënyrë të pavarur sikur të ishte lokalizuar vetëm në një shtet, dhe të drejtohej nga një kompani, megjithëse Projekti do të lokalizohet në tre vende dhe do të implementohet nga kompanitë që do të krijohen në secilin vend. Memorandumi bazohet në Statutin e Traktatit Europian të Energjisë me aplikim të zgjeruar.