Kryeministri Berisha përshëndet zgjedhjen e zotit Nikolas Sarkozi në postin e Presidentit të Francës
Kryeministri Berisha përshëndeti sot zgjedhjen e zotit Nikolas Sarkozi në postin e Presidentit të Republikës së Francës, gjatë fjalës në mbledhjen grupit parlamentar të Partisë Demokratike.
Kryeministri vlerësoi lart kontributin e zotit Sarkozi dhe theksoi se zgjedhja e tij në postin e Presidentit të Francës është një lajm shumë i gëzuar për të gjithë shqiptarët, për të gjithë qendrën e djathtë evropiane, në mbarë Europën, promotor më i shquar i vlerave të së cilës është zoti Sarkozi. "Partia Demokratike ka patur dhe ka tek partia që kryeson Presidenti Sarkozi mbështetësin më kryesor, që nga javët e para të themelimit deri në ditët e sotme", tha Kryeministri.
Duke përcjellë urimet më të sinqerta, në emër të qeverisë dhe popullit shqiptar, Kryeministri Berisha u shpreh:
"Franca votoi dje madhështinë, të ardhmen e saj, për të cilat projekti Sarkozi, vizioni Sarkozi, është më i miri. Unë dua t'u them se zgjedhja e Nikolas Sarkozi në krye të shtetit francez është një lajm shumë gëzuar për të gjithë qendrën e djathtë evropiane, në mbarë europën, promotor më i shquar i vlerave të së cilës është zoti Sarkozi. Zgjedhja e tij në këtë kontekst, është një lajm shumë i gëzuar për shqiptarët, pasi ata kanë tek Sarkozi njërin nga miqtë më të shkëlqyer. Partia Demokratike ka pasur dhe ka tek partia që kryeson Presidenti Sarkozi mbështetësin më kryesor që nga javët e para të themelimit deri në ditët e sotme.
Nikolas Sarkozi zgjidhet si President i Republikës franceze për t'u dhënë përgjigjen e merituar problemeve madhore, jo vetëm të vendit të tij, por të mbarë Bashkimit Europian, siç është reforma kushtetuese dhe reformat e tjera të brendshme si procesi i zgjerimit, proces i cili na intereson edhe ne kaq shumë.
Mbrëmjen e djeshme unë përcolla urimet më të përzemërta në një moment kur Presidenti i zgjedhur po u adresohej mbështetësve të tij, nëpërmjet njërit prej bashkëpunëtorëve të tij të ngushtë. Natyrisht, sot do t'i përcjell mesazhin e urimit, në emrin e gjithë qeverisë dhe popullit shqiptar, për këtë fitore të shkëlqyer të Presidentit Sarkozi".