E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha: Me rezultatet e zgjedhjeve të pjesshme vendore qytetarët shprehën masivisht besimin ndaj qeverisë

Në mbledhjen e sotme të grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Kryeministri Berisha komentoi zgjedhjet e pjesshme për pushtetin vendor, të zhvilluara një ditë më parë në disa zona të vendit. Kryeministri theksoi se në masën 80 për qind zgjedhësit votuan koalicionin qeverisës.

Kryeministri vlerësoi se ky votim është një dëshmi e thellimit të fitores së mëparshme dhe e vlerësimit të qytetarëve shqiptarë për reformat e ndërmarra në interesin e tyre më të mirë. "Qytetarët i shprehën masivisht besimin qeverisë, duke rritur kështu edhe shkallën e detyrimit tonë ndaj tyre për të përmirësuar qeverisjen dhe treguesit e saj në të gjitha aspektet", theksoi Kryeministri.

Ndër të tjera, Kryeministri Berisha u shpreh:

"Dje, 105 mijë qytetarë shqiptarë, pra rreth 8 për qind e zgjedhësve, u drejtuan në kutitë e votimit. Më lejoni t'i përshëndes përzemërsisht të gjithë qytetarët, të gjithë komisionerët, të gjithë administratorët e këtij procesi dhe të shpreh mirënjohjen më të thellë, sepse në masën 80 për qind, nga Voskopi, deri në Kelmend e Lurë zgjedhësit votuan koalicionin qeverisës, votuan Partinë Demokratike dhe aleatët e saj.

Ky votim është një dëshmi e thellimit të fitores së mëparshme, është një dëshmi e vlerësimit të qytetarëve shqiptarë për reformat që bashkërisht ndërmarrim në interesin e tyre më të mirë. Qytetarët i shprehën masivisht besimin qeverisë, duke rritur kështu edhe shkallën e detyrimit tonë ndaj tyre për të përmirësuar qeverisjen dhe treguesit e saj në të gjitha aspektet.

Kjo përbën një zhvillim shumë pozitiv për ne. Pra, ka një rritje të besueshmërisë, pasi të shkosh në 80 përqind të gjithë provën elektorale, është një fitore shumë shumë e thellë"

.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›