Këshilli i Ministrave miratoi ne mbledhjen e sotme projektligjin "Për mbrojtjen e dëshmitarëve dhe të bashkëpunëtorëve të drejtësisë". Ky projektligj përbën një nga masat legjisl
Këshilli i Ministrave miratoi ne mbledhjen e sotme projektligjin "Për mbrojtjen e dëshmitarëve dhe të bashkëpunëtorëve të drejtësisë".
Ky projektligj përbën një nga masat legjislative më të rëndësishme që po ndërmerren në kuadër të vazhdimësisë dhe intensifikimit të reformave në fushën e drejtësisë në përgjithësi dhe atë të luftës kundër krimit të organizuar në veçanti. Fillimi i veprimtarisë së gjykatave për krimet e rënda përbën një masë të rëndësishme në realizimin e angazhimeve të brendshme dhe ndërkombëtare të shtetit dhe të qeverisë shqiptare për t'iu përgjigjur në mënyrë direkte dhe efektive nevojës për të luftuar fenomenet e rënda kriminale, ato të krimit të organizuar, trafiqeve dhe terrorizmit, brenda vendit, në shkallë rajoni dhe më gjerë.
Ky projektligj bën pjesë në masat që po ndërmerren në kuadër të angazhimeve të luftës kundër krimit të organizuar, trafiqeve, korrupsionit dhe terrorizmit duke ofruar mbështetjen ligjore të posaçme për krijimin e strukturave të specializuara të drejtësisë, profesionale dhe të pajisuara me mjete teknike, ligjore dhe proceduriale përkatëse. Një element i rëndësishëm, ndërmjet mjeteve ligjore dhe proceduriale të hetimit dhe gjykimit të veprave të rënda penale, është sigurimi i deklarimeve dhe dëshmive kyçe në procesin penal, të cilat në një shkallë të rëndësishme nuk është e mundur të sigurohet për shkak të kërcënimit apo të mungesës së garancive që mund dhe duhet të ofrojë shteti për paprekshmërinë e individëve dhe ushtrimin e të drejtave të tyre nga keqbërësit.
Një ndër instrumentet më të rëndësishëm, prej kohësh i identifikuar dhe zbuluar në vendet e përparuara dhe me përvojë të gjatë në përballjen me krimin e organizuar, është zbulimi i programeve të posaçme të mbrojtjes së dëshmitarëve dhe bashkëpunëtorëve të drejtësisë.
Problematika e masave të mbrojtjes së dëshmitarëve dhe bashkëpunëtorëve të drejtësisë përbëhet nga dy komponentë: masat proceduriale dhe masat joproceduriale. Projektligji "Për mbrojtjen e dëshmitarëve dhe të bashkëpunëtorëve të drejtësisë" parashikon rregullimin e këtyre dy grupimeve. Në projektligj parashikohet edhe ngritja e Komisionit të Vlerësimit të Masave të Posaçme të Mbrojtjes së Dëshmitarëve dhe Bashkëpunëtorëve të Drejtësisë. Ky komision që do të drejtohet nga Zëvendësministri i Rendit Publik, përbëhet edhe nga një gjyqtar, një prokuror dhe një oficer i policisë ligjore.
Projektligji parashikon kriteret dhe rregullat bazë për zbatimin e programeve të mbrojtjes si për dëshmitarët e drejtësisë edhe për bashkëpunëtorët e drejtësisë. Projektligji parashikon gjithashtu edhe karakterin konfidencial të kësaj veprimtarie aktive dhe dokumentacionit përkatës, e cila në shumë aspekte duhet të jetë e karakterit të klasifikuar deri në nivelin sekret shtetëror. Po ashtu, projektligji parashikon rregullat bazë që lidhen me përmbajtjen për marrjen e një personi në mbrojtje, kushtet dhe elementët bazë të marrëveshjes për marrjen në mbrojtje, për ndryshimin apo përfundimin e programit të mbrojtjes etj.
Miratimi i këtij projektligji do të përbëjë një hap të rëndësishëm të reformave në fushën e drejtësisë dhe atë të çështjeve të brendshme, duke përmirësuar më tej mjetet ligjore dhe institucionale në dispozicion të shtetit për të parandaluar dhe luftuar fenomenet e kriminalitetit dhe, në veçanti atij të rëndë dhe të organizuar.