E Diel, 1 Nëntor 2026

Në mbledhjen e radhës së Qeverisë u miratuan disa projektligje dhe vendime të rëndësishme. U miratua projektligji "Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të

Në mbledhjen e radhës së Qeverisë u miratuan disa projektligje dhe vendime të rëndësishme.

U miratua projektligji "Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për transportin ajror". Në zbatim të politikave të qeverisë për zhvillimin e transportit ajror në vend, integrimin e transporteve shqiptare nëpërmjet rritjes së numrit të marrëveshjeve bilaterale ndërkombëtare në fushën e transportit ajror dhe në kuadër të forcimit të marrëdhënieve të bashkëpunimit me SHBA, u nënshkruam më 24 shtator në Uashington, marrëveshja tip "Open Sky" ( Qielli i hapur) ndërmjet Qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës për transportin ajror.

Kjo marrëveshje është në përputhje me legjislacionin e aviacionit civil shqiptar, Legjislacionin e Organizatës Botërore të Aviacionit Civil (ICAO) dhe eksperiencën më të mirë të arritur deri më sot në marrëveshjet ndërkombëtare në fushën e transporit ajror. Kjo marrëveshje liberalizon plotësisht mundësinë e vendosjes së fluturimeve nga një numër i pakufizuar shoqërish ajrore nga të dy vendet dhe në destinacione të pakufizuara në territoret e të dy vendeve. Gjithashtu, nëpërmjet kësaj marrëveshjeje palët riafirmojnë detyrimet e tyre për të mbrojtur sigurinë e aviacionit civil nga aktet e paligjëshme në përputhje me legjislacionin ndërkombëtar. Palët marrin përsipër që t'i japin njëra – tjetrës sipas kërkesës të gjithë asistencën e nevojshme për parandalimin e akteve të rrëmbimeve të paligjshme të aviacionit civil dhe akteve të tjera të paligjshme ndaj sigurisë së avionit, pasagjerëve, të aeroporteve dhe mjeteve ndihmëse të fluturimit ajror.

Gjithashtu, me anë të kësaj marrëveshjeje krijohen kushte për zhvillimin e transportit ajror midis dy vendeve, rritjen e numrit të fluturimeve për dhe nga Shqipëria, rritjen e cilësisë së shërbimit ndaj pasagjerëve. Në këtë marrëveshje, janë përcaktuar në mënyrë të përgjithshme parimet e shërbimeve të shoqërive ajrore, të drejtat e trafikut ajror, të sigurimit të aviacionit civil, të tarifave për aplikim, të aktiviteteve ajrore, të përdorimit të fluturimeve çarter, të shkëmbimit të informacionit dhe statistikave respektive në fushën e aviacionit civil, të regjistrimit të avionëve, të njohjes mbi baza reciproriteti të çertifikatave dhe kompetencave në detyrimet ndaj ruajtjes së mjedisit dhe nivelit të zhurmave.

Rritja e mëtejshme e bashkëpunimit në fushën e transporit ajror me SHBA i krijon mundësi palës shqiptare të përfitojë nga standartet e larta të operimit dhe të sigurisë aeroportuale të transportit ajror të SHBA, të bashkëpunojë me palën amerikane në fusha me interes të përbashkët të aviacionit civil, shërbimeve aeroportuale të shërbimit të personelit, të përmirësimit të legjislacionit dhe sistemit rregullator, të licensimit, çertifikimit, të mirëmbajtjes etj.

Nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje është vijim i bashkëpunimit të nisur me palën amerikane për modernizimin e kontrollit të trafikut ajror dhe përmirësimit të standarteve të sigurisë së operimit në Aeroportin Ndërkombëtar "Nënë Tereza" të Rinasit.

U miratua projektligji "Për ratifikimin e marrëveshjes së huasë, ndërmjet Qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Islamike për Zhvillim, për financimin e projektit të rikonstruksionit të rrugës Vorë-Rinas-Fushë-Krujë".

Objektivi kryesor i projektit është financimi i rikontruksionit të seksionit rrugor Vorë-Rinas-Fushë-Krujë me gjatësi 11.1 km., i cili gjatë krizës kosovare në vitin 1999 pësoi dëmtime të konsiderueshme si rezultat i fluksit të madh të automjeteve të rënda. Ky seksion rrugor është pjesë e rëndësishme e korridorit kombëtar rrugor veri-jug, si dhe realizon lidhjen e aeroportit ndërkombëtar "Nënë Tereza" me kryeqytetin dhe gjithë zonën jugore të vendit.

Kostoja totale e këtij projekti është 9.553 USD. Nga këto, 8.145 USD do të përballohen nëpërmjet kredisë së BIZH dhe do të përdoren për financimin e punimeve civile të rindërtimit dhe përmirësimit të këtij seksioni rrugor.

Projekti i zbatimit parashikon kryerjen e punimeve për përmirësimin e parametrave gjeometrikë të rrugës si dhe përmirësimin e strukturës së shtresave të saj, sipas standarteve europiane.

Aksi kryesor që do të përmirësohet kalon kryesisht mbi gjurmën ekzistuese të saj dhe do të ndërtohet me 2 vija kalimi, secila me gjërësi 4.1 metra dhe me bankina të asfaltuara në të dy anët e rrugës me gjërësi 1.3 metra secila. Rikonstruksioni konsiston edhe në rritjen e kapacitetit të mbajtjes së rrugës, nëpërmjet përmirësimit të nënshtresave ekzistuese, ndërtimit të nënshtresave të reja si dhe ndërtimit të shtresave asfaltike.

Nëpërmjet këtij konstruksioni parashikohet që në këtë seksion rrugor të përballohet më mirë trafiku ekzistues, i cili aktualisht arrin në rreth 5000 mjete në ditë si dhe rritja e tij në vitet në vazhdim. Gjithashtu është parashikuar përmirësimi total i sinjalistikës dhe elementeve të sigurisë rrugore.

U miratua vendimi "Për disa ndryshime në vendimin nr.405, datë 8.1.1996, të Këshillit të Ministrave, "Për administrimin e rrjetit rrugor kombëtar dhe rrjetit rural të Republikës së Shqipërisë", i ndryshuar".

Ky vendim bën kalimin e segmentit Maminas-Hamallaj-Shënpjetër, si rrugë turistike, në inventarin ekzistues të rrjetit rrugor kombëtar në administrim të Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve.

Në këtë mënyrë, ky segment rrugor, me gjatësi 23 km, i shtohet inventarit të rrugëve kombëtare si rrugë turistike, pasi lidh rrugën kryesore Tiranë-Durrës me gjirin e Lalzit si një zonë turistike bregdetare. Ky segment rrugor është me parametra gjeometrikë të pranueshëm për një rrugë kombëtare, me gjërësi 5 metra dhe dy bankina nga 0.75 metra.

Prioritetet e qeverisjes përsa i përket zonave turistke pasohen me zhvillimin dhe përmirësimin e rrjetit rrugor kombëtar. Me anë të këtij vendimi, në inventarin ekzistues prej 3357 km rrugë kombëtare në administrim të Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve shtohet edhe ky segment rrugor.

U miratua vendimi "Për disa shtesa dhe ndryshime në vendimin nr.692, datë 13.12.2001, të Këshillt të Ministrave, "Për masat e veçanta të sigurimit dhe të mbrojtjes së shëndetit në punë".

Miratimi i këtij vendimi synon minimizimin e rasteve të aksidenteve në punë dhe të sëmundjeve profesionale, përmes ngritjes së shërbimeve shëndetësore në punë, me funksione parandaluese dhe këshilluese.

Nisur nga zhvillimi i shpejtë i subjekteve ekonomike në Shqipëri dhe futja e teknologjive të reja që përbëjnë rrezik për shëndetin e punëmarrësve bëhet e domosdoshme vendosja e shërbimit shëndetësor në ndërmarrje, duka patur në qendër të vet mjekun e ndërmarrjes për të parandaluar sëmundjet profesionale dhe aksidentet në punë.

Vendimi parashikon që për ndërmarrjet me një numër jo më të vogël se 15 punonjësish të ketë një mjek ndërmarrjeje. Ndërsa përsa i takon aktiviteteve të tilla, të cilat punojnë me substanca të rrezikshme, apo me objekte të rrezikshme, mjeku i ndërmarrjes është i detyrueshëm pavarësisht nga numri i punonjësve.

Këshilli i Ministrave miratoi edhe projektligjin "Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 7870, dt. 13.10.1994, "Për sigurimet shëndetësore në Republikën e Shqipërisë".

U miratua vendimi "Për miratimin, në parim, të Konventës nr.171, "Puna e natës, 1990", të Organizatës Ndërkombëtare të Punës".

Qëllimi i këtij vendimi është përafrimi i legjislacionit të punës me standartet ndërkombëtare të punës dhe hartohet në zbatim të programit politik të Këshillit të Ministrave.

Konventa përcakton masat e veçanta që duhet të merren për mbrojtjen e shëndetit të punëmarrësve që punojnë natën si dhe për përballimin e përgjegjësive familjare dhe për kualifikimin e tyre të vazhdueshëm. Gjithashtu ai parashikon marrjen e masave në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes së amësisë për këta punëmarrës. Këto masa konsistojnë në kontrollin mjeksor pa pagesë, konfidencialitetin e të dhënave mjeksore dhe ofrimin e lehtësirave për dhënien e ndihmës së shpejtë. Në rastet kur ata bëhen të paaftë për punën e natës duhet t'u sigurohet një punë tjetër pa zbritje nga paga dhe kur kjo është e pamundur t'u garantohen të njëjtat përfitime si punëtorëve të tjerë që janë të paaftë për punë. Gjithashtu Konventa parashikon masa të veçanta për mbrojtjen e gruas shtatzënë, si dhe ndalimin e punës së natës për moshën nën 18 vjeç.

Ratifikimi i kësaj Konvente do të kontribuojë në përafrimin e legjislacionit të punës me standartet ndërkombëtare në fushën e punës.

U miratua vendimi "Për funksionimin e Këshillit Kombëtar të Punës dhe për caktimin e përfaqësuesve të Këshillit të Ministrave në këtë Këshill".

Vendimi ka si qëllim të përcaktojë rregullat e funksionimit të Këshillit Kombëtar të Punës. Në këtë vendim parashikohet që KKP si organ konsultativ trepalësh, funksionon pranë Ministrit të Punës dheÇështjeve Sociale. Ai merr vendime për çështjet që shqyrton dhe i paraqet rekomandimet përkatëse Këshillit të Ministrave, nëpërmjet Ministrit të Punës dheÇështjeve Sociale.

U miratua vendimi "Për mënyrën e organizimit dhe proçedurën e votimit, për përcaktimin e përfaqësueshmërisë së organizatave të punëmarrësve".

Në bazë të Kodit të Punës të Republikës së Shqipërisë, parashikohet që në rastin kur punëdhënësi ose organizata e punëdhënësve nuk e pranojnë vendimin e Zyrës së Pajtimit, ata kanë të drejtë t'i kërkojnë Ministrit të Punës dheÇështjeve Sociale organizimin e një votimi të fshehtë për përcaktimin e përfaqësuesshmërisë.

Për këtë, vendimi i miratuar përcakton në mënyrë të detajuar organizimin dhe proçedurën e votimit ku përfshihen afati 5 ditor nga marrja e kërkesës me shkrim nga punëdhënësi ose organizata e punëdhënësve, përbërja e komisionit të votimit, detyrat e tij dhe proçedura e zhvillimit ët votimit.

U miratua vendimi "Për përcaktimin e njësive të shoqërisë anonime "Albpetrol" që nuk do të konsiderohen pjesë të sektorëve me rëndësi të veçantë".

Vendimi ka për qëllim të nxjerrë nga sektori strategjik disa njësi të shoqërisë "Albpetrol" Sh.a Patos, të cilat e kanë humbur rëndësinë e veçantë për ekonominë dhe për të përshpejtuar privatizimin e tyre, në bazë të legjislacionit të privatizimit për sektorët strategjisë.

Shoqëria "Albpetrol" Sh.a, Patos, është e vetmja shoqëri në vendin tonë që ushtron aktivitetin në kërkim dhe nxjerrjen e naftës, të gazit natyral dhe gazit shoqërues, të transportit të naftës bruto dhe gazit në rafineritë dhe nxjerrjes së rërave bituminoze.

Drejtoria Ekzekutive dhe Këshilli Mbikqyrës i shoqërisë kanë evidentuar një listë objektesh që kanë humbur prej vitesh aktivitetin e tyre dhe janë mbajtur në ruajtje pa kryer asnjë funksion për këtë shoqëri. Kjo listë objektesh, që përfaqëson stacione pompimi të naftës dhe pjesë të tubacioneve të naftës e nënproduktesh të saj në vende ndërmjetëse, rezervuarë nafte të amortizuar e pa funksion, disa godina që kanë shërbyer si zyra apo ambiente shërbimi etj, është nxjerrë jashtë përdorimit.

Këto asete kanë humbur funksionin e tyre, kryesisht nga likuidimi i aktivitetit të dy Uzinave të Përpunimit të Naftës Kuçovës e Cërriku, amortizimit të lartë dhe daljes jashtë funksionimit të tyre.

Në mbështetje të programit të Qeverisë për zhvillimin e sektorit të naftës dhe gazit dhe si rezultat i masave të marra, aktualisht veprimtaria e shoqërisë "Albpetrol" paraqitet me një gjendje të stabilizuar dhe me tendenca drejt rritjes të prodhimit dhe përmirësimit të të gjithë treguesve ekonomiko-financiar.

U miratua vendimi "Për strukturën dhe nivelet e pagave të Entit Rregullator të Sektorit të Furnizimit me Ujë dhe Largimit e Përpunimit të Ujrave të Ndotura".

Me një vendim të mëparshëm, datë 18.07.2002, janë bërë rimandatimet e dy komisionerëve dhe kryetarit të Komisionit Kombëtar të Entit Rregullator, por Këshilli i Ministrave nuk është shprehur për nivelin e pagave si për ta, edhe për punonjësit e tjerë të këtij institucioni të pavarur.

Ky vendim paraqitet në kuadër të reformës në fushën e pagave, hapi i parë i së cilës ishte reforma e pagave të nëpunësve civilë në institucionet e administratës qendrore. Reforma është shtrirë edhe për disa institucione të tjera të pavarura apo në varësi të Këshillit të Ministrave apo ministrive të linjës. Vendimi propozon nivele pagash të njëjta me ato të institucioneve të ngjashme si Enti Rregullator i Telekomunikacioneve.

U miratua vendimi "Për miratimin, në parim, të marrëveshjes, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Bullgarisë, për ndihmë të ndërsjelltë juridike në çështjet civile".

Marrëveshja për ndihmën e ndërsjelltë juridike në fushën civile, garanton shtetasit e të dy palëve në marrëveshje për një trajtim të barabartë në të gjitha drejtimet ku shtrihet kjo marrëveshje.

Bazuar në këtë marrëveshje, parashikohet e drejta e shtetasve të palëve në të, për të gëzuar të njëjtën mbrojtje ligjore të të drejtave të tyre, duke përfshirë si të drejta personale ashtu edhe ato pasurore. Gjithashtu, ata kanë të drejtë të ngrenë padi si për çështje civile përpara gjykatave respektive, ashtu edhe të kryejnë të gjitha veprimet e domosdoshme proçeduriale në të njëjtat kushte. Në marrëveshje është parashikuar edhe e drejta e shtetasve të secilës palë për ndihmë ligjore falas dhe përjashtim nga pagimi i shpenzimeve gjyqësore nën të njëjtat kushte.

Në një kapitull të veçantë të saj, marrëveshja trajton njohjen dhe zbatimin e vendimeve gjyqësore, duke përcaktuar fillimisht se çfarë do të kuptohet me vendim gjyqsor. Gjithashtu parashikohen dhe rastet kur mund të bëhet refuzimi i njohjes dhe ekzekutimit të vendimit.

Nënshkrimi dhe hyrja në fuqi e kësaj marrëveshjeje do të përbëjë një kontribut të rëndësishëm në intesifikimin e bashkëpunimit rajonal dhe thellimin e proçesit integrues mes dy vendeve.

U miratua vendimi "Për miratimin e marrëveshjes, ndërmjet Qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Bullgarisë, për asistencën e ndërsjellë administrative në çështjet doganore".

Marrëveshja parashikon bashkëpunimin në katër fusha të rëndësishme:

1) Shkëmbimin e informacionit ndërmjet Administratve Doganore, me qëllim bashkërendimin e aktiviteteve të luftës kundër shkeljeve dhe kryesisht për verifikimet para-mbërritjes mbi vlerën, natyrën dhe sasinë e mallrave të importuara;
2) Shkëmbimin e Personelit Doganor si dhe atashimin e punonjësve ndërlidhës në territoret doganore reciproke me qëllim asistencën, dëshmitë gjatë proçeseve penale lidhur me shkeljet doganore, trajnimin etj;
3) Investigimin e përbashkët në rast shkeljesh të verifikuara apo ët dyshuara;
4) Shkëmbimin e praktikave, teknologjive dhe teknikave më të suksesshe në luftën kudnër shkeljeve doganore.

Kjo marrëveshje është në përputhje me Udhëzimet e Organizatës Botërore të Doganave dhe e ngjashme me marrëveshjet që janë lidhur ndërkohë me Italinë, Greqinë, Turqinë, Maqedoninë dhe Slloveninë. Nënshkrimi i saj plotëson detyrimet e anëtarësimit në këtë organizëm mjaft të rëndësishëm ndërkombëtar. Ajo do të ndikojë në rritjen e bashkëpunimit në luftën kundër evazionit fiskal dhe krimit ndërkufitar.

U miratua vendimi "Për miratimin, në parim, të Dokumentit të ndryshimit të Marrëveshjes së Kredisë, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Fondit Kuvajtian për Zhvillimin Ekonomik Arab, për financimin e projektit të dytë të rehabilitimit të ujitjes dhe kullimit, faza II".

Projekti i Dytë i Rehabilitimit të ujitjes dhe kullimit, pëveç IDA dhe Qeverisë Shqiptare ka si donatorë dhe Fondin Kuvaitian për Zhvillim me një shumë prej 11.5 milion USD. Ky fond është parashikuar për punime civile dhe për blerje pompash dhe pajisje të tjera për rehabilitimin e stacioneve të pompimit për ujitje.

Fermerët e organizuar në Shoqata të Përdoruesve të Ujit nuk janë shumë të interesuar për rehabilitimin e skemave ujitëse me burim uji stacion pompimi. Për këtë, sipas ndryshimeve të propozuara, fondi i përcaktuar për rehabilitimin e stacioneve të pompimit i shtohet fondit të përcaktuar për punimet civile për skemat ujitëse me ujë me rrjedhje të lirë dhe për skemat kulluese. Kështu, fondi prej 11.5 milion USD, i dhënë nga Fondi Kuvajtian për Zhvillim, do të përdoret 100% për punime civile për skema ujitëse me efiçiencë të lartë dhe me kosto për hektarë sa më të ulët.

U miratua vendimi "Për lejimin e Ministrisë së Transportit dhe të Telekomunikacionit të fillojë proçedurën, për studimet e transportit, për vitin 2003".

Vendimi synon përdorimin e proçedurës së prokurimit të drejtpërdrejtë me "Institutin e Studmeve të Transportit" për fondin 7.5 milion lekë dhe konkretisht për objektet:

• Studim fizibiliteti për lidhjen Shqipëri-Maqedoni;

• Studim për zhvillimin e korridoreve të transportit në shkallë vendi;

• Studime për manualet, legjislacionin, konventat dhe marrëveshjet ndërkombëtare të transportit.

Në prioritet e Qeverisë Shqiptare për vitin 2003 janë përcaktuar tema studimore për sektorin e transportit, të cilat lidhen kryesisht me perspektivën e zhvillimit të transportit në kuadrin rajonal e kombëtar, me komponentet e korridorit të 8-të Tan Europian si dhe studime që kanë të bëjnë me integrimin europian të transportit shqiptar. Këto studime janë parashikuar të kryehen nga Instituti i Studimeve të Transportit, i cili është i specializuar në shkallë kombëtare në këtë fushë dhe disponon dhe konsulencën e huaj për këto studime.

Vendimi është i mbështetur juridikisht në Kushtetutë, në ligjin "Për buxhetin e shtetit, të viti 2003" dhe në ligjin "Për prokurimin publik".

U miratua vendimi "Për miratimin në parim, të Marrëveshjes së Tregëtisë së Lirë, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Moldavisë".

Kjo marrëveshje synon që Republika e Shqipërisë të plotësojë:

•Angazhimet e saja që kanë të bëjnë me zbatimin e Memorandumit të Mirëpkuptimit për liberalizimin dhe lehtësimin e Tregtisë midis vendeve të Paktit të Stabilitetit, nënshkruar nga ministrat e Tregtisë midis vendeve të Europës Juglindore, në kuadrin e Paktit të Stabilitetit, Bruksel, qershor 2001.
•Plotësimin e një ndër kushteve për hapjen e negociatave për Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit e BE.
•Arritjen e objektivave në kuadrin e programit të Qeverisë Shqiptare për lehtësimin dhe liberalizimin e mëtejshëm të tregtisë.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›