Këshilli i Ministrave miratoi në mbledhjen e tij të radhës disa vendime dhe projektligje të rëndësishme për përmirësimin e kuadrit ligjor për të drejtën e autorit, disa shpronësime për
Këshilli i Ministrave miratoi në mbledhjen e tij të radhës disa vendime dhe projektligje të rëndësishme për përmirësimin e kuadrit ligjor për të drejtën e autorit, disa shpronësime për interes publik i pasurive të paluajtshme që preken nga ndërtimi i disa veprave publike, si dhe vazhdimi i financimit të projektit të regjistrimit fillestar të pasurive të paluajtshme.
***
Këshilli i Ministrave miratoi projektligjin "Për të drejtën e autorit dhe të drejtat e tjera, të lidhura me të".
Projektligji ka për objekt përcaktimin e një tërësie rregullash veprimi që rregullojnë të drejtat dhe detyrimet e subjekteve pjesëmarrëse që janë persona fizikë ose juridikë vendas dhe të huaj që ushtrojnë veprimtari krijuese, prodhuese, tregtare, si dhe çdo mënyrë tjetër vlerësimi, shfrytëzimi, përdorimi ose tjetërsimi të veprave letrare, artistike ose shkencore në territorin e Republikës së Shqipërisë. Qëllimi i këtij ligji është mbrojtja reale e të drejtës së autorit dhe të drejtave fqinje. Ai i vjen në ndihmë zgjidhjes së problemeve të jetës publike, kulturore, shkencore, akademike nga pikëpamja e respektimit të së drejtës së autorit.
Projektligji për herë të parë rregullon marëdhëniet që lidhen me shfrytëzimin e kategorive të veçanta të veprave të artit, duke i marrë e trajtuar sipas fushave, si "kontrata e botimit", "kontata për shfaqet muzikore, teatrale", "veprat kinematografike dhe audiovizuale","programet kompjuterike", "krijimet e arteve të bukura, arkitekturës dhe fotografisë", "baza e të dhënave".
Një moment i rëndësishëm i tij është edhe rritja e peshës së shtetit dhe të mekanizmve të tij veprues ëpr zbatimin e ligjit me qëllim mbrojtjen e të drejtave të autorëve shqiptar dhe të huaj. Kjo realizohet përmes ngritjes së një strukture në varësi të Ministrit të Kulturës, e quajtur Zyra Shqiptare për të Drejtat e Autorit.
***
U miratua projektligji "Për ratifikimin e marrëveshjes së kredisë, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Shoqatës Ndërkombëtare për Zhvillim (IDA), për projektin e menaxhimit të burimeve ujore".
Projekti i Menaxhimit të burimeve Ujore është një projekt i ri në vijim të iniciativës së nisur në projektin e parë dhe të dyë të rehabilitimit të ujitjes dhe kullimit, si dhe vazhdimit e forcimit të reformave institucionale në sektorin e ujitjes dhe kullimit. Vlera totale e projektit është rreth 39 milion USD, nga ku Banka Botërore (IDA) do të financojë me 15 milion USD, ndërsa bashkëfinancues të tjerë janë Fondi i OPEC-ut në shumën 5.7 milion USD dhe Fondi Kuvajtian në shumën 13 milion USD.
Objekti kryesor i këtij projekti është rritja e të ardhurave të fermerëve nëpërmjet rehabilitimit të ujitjes, kullimit dhe rritjes së qëndrueshmërisë së sektorit të ujitjes, përmes fuqizimit të shoqatave të përdorimit të ujitjes dhe krijimit të federatave të shoqatave të përdorimit të ujitjes, si deh riorganizimit të ndërmarrjeve të ujrave dhe shndërrrimit të tyre në Borde Kullimi. Gjithashtu projekti do të mbështesë qeverinë në krijimin e kuadrit të nevojshëm ligjor dhe institucioanl për mbrojtjen dhe ruajtjen e digave, si dhe në rehabilitimin e tyre. Projekti do të përfundojë në 31 dhjetor të vitit 2008.
***
U miratua edhe vendimi "Për shpronësimin për interes publik të pasurive të paluajtshme që preken nga sistemi e ndërtimi i rrugës "Ibrahim Dinci", në Bashkinë e Elbasanit".
***
Gjithashtu, Këshilli i Ministrave miratoi edhe vendimin "Për shpronësimin për interes publik të pasurive të paluajtshme që preken nga ndërtimi i varrezave publike, në Bashkinë e Përrenjasit".
***
U miratua vendimi "Për miratimin në parim të dokumentit për ndryshimin e Marrëveshjes së Kredisë, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Shoqatës Ndërkombëtare për Zhvillim (IDA), për financimin e projektit "Reforma në arsim", kredia 3343 ALB".
Projekti "Reforma në arsim", sipas marrëveshjes së Kredisë, ka filluar të zbatohet në 8 qershor 2000 dhe duhej të përfundonte në 31 Korrik 2004. Nga lista e shkollave të parashikuara për t'u rehabilituar me fondet e projektit, aktualisht janë në proces 14 shkolla, për shkak të terrenit të vështirë gjeografik të shkollave (zona të thella malore), kushteve jo të favorshme të motit dhe pamundësisë për transferimin e përkohshëm të procesit mësimor në ambjente të tjera. Përmes këtij vendimi bëhet shtyrja e projektit me një afat prej tre muajsh.
***
Më mbledhjen e Këshillit të Ministrave u miratua edhe një ndryshim në vendimin nr.439, datë 4.8.2000, të Këshillit të Ministrave "Për hyrjen, qëndrimin dhe trajtimin e të huajve në Republikën e Shqipërisë, i ndryshuar".
Hartimi i këtij vendimi është rrjedhojë e analizës së bërë nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Ministria e Rendit Publik dhe shqetësimet e evidentuara prej tyre, për veprimet dhe procedurat që kryehen pas dhënies së vizës nga autoritetet diplomatike shqiptare.
Për lehtësimin e këtyre procedurave, vendimi i ri heq detyrimin e përfaqësive diplomatike dhe konsullore jashtë vendit për të njoftuar Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Ministrinë e Rendit Publik për vizat që lëshohen prej tyre për shtetas të huaj që duan të vizitojnë Shqipërinë. Me miratimin e vendimit bëhet e mundur shmangia e rasteve të krijimit të problemeve të pritjes së të huajve që vijnë në Shqipëri me vizë.
***
U miratua vendimi "Për miratimin e listës përfundimtare të pronave të paluajtshme publike, shtetërore, që transferohen në pronësi ose në përdorim të Bashkisë së Kuçovës".
Kjo listë përfundimtare është rezultat i saktësimit dhe plotësimit të listës së inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore brenda juridiksionit territorial dhe administrativ të bashkisë së Kuçovës. Në këtë listë përfshihen prona publike që shërbejnë për kryerjen e funksioneve të veta dhe të përbashkëta nga ana e bashkisë dhe që ju përkasin fushave të tilla si veprimtaria administrative, socialkulturore e sportive, realizimi i programeve arsimore, shëndeti publik, infrastruktura vendore dhe shërbimet publike, strehimi dhe mbrojtja civile, ndriçimi publik, veprimtaria ekonomike etj.
***
U miratua vendimi "Për një shtesë fondi në buxhetin e vitit 2004, miratuar për Ministrinë e Bujqësisë dhe të Ushqimit për vazhdimin e financimit të projektit të regjistrimit fillestar të pasurive të paluajtshme".
Sipas këtij vendimi, Ministrisë së Bujqësisë dhe Ushqimit i shtohet fondi prej 9 000 000 lekë për vazhdimin e financimit të projektit të regjistrimit fillestar të pasurive të paluajtshme, për periudhën 15 tetor deri në fund të vitit 2004.
***
U miratua vendimi "Për një shtesë fondi në buxhetin e vitit 2002, miratuar për bashkinë e Bajram Currit, për zëvendësimin e vlerave monetare të grabitura". Bashkisë së Bajram Currit i shtohet fondi prej 2 019 863 lekë për zëvendësimin e vlerave monetare të grabitura në arkën e kësaj bashkie në muajin korrik të këtij viti.