E Diel, 1 Nëntor 2026

Këshilli i Ministrave miratoi në mbledhjen e tij të radhës një numër vendimesh të rëndësishme. *** Këshilli i Ministrave miratoi edhe vendimin: "Për miratimin në parim të marrëvesh

Këshilli i Ministrave miratoi në mbledhjen e tij të radhës një numër vendimesh të rëndësishme.

***
Këshilli i Ministrave miratoi edhe vendimin: "Për miratimin në parim të marrëveshjes ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Shoqatës Ndërkombëtare për Zhvillim (IDA), për administrimin nga kjo shoqatë të fondeve të grandit japonez, në shumën 501 020 USD, për përgatitjen e projektit të zhvillimit të burimeve natyrore të Shqipërisë".

Nisur nga përvoja pozitive e derisotme del nevoja për të vazhduar nxitjen e praktikave të burimeve natyrore në ujëmbledhësat si dhe për mbrojtjen rajonale dhe globale të biodiversitetit. Erozioni i tokës është bërë problem në vendin tonë dhe kërcenon të pengojë përdorimin e qëndrueshëm të burimeve natyrore dhe të ngadalësojë procesin e iniciativave për zhvillim. Të 7 ujëmbledhësit më të rëndësishëm shfaqin të njëjtat probleme të përbashkëta si rritje të të shpeshtësisë dhe përmasave të përmbytjeve, rritjen e sendimenteve të depozituara dhe ndeshja e tokave të kripura në zona të ulëta të baseneve të lumenjve dhe ulja e cilësisë së ujërave. Po ashtu qeverisja në sektorin e pyjeve është ende e dobët dhe reformat institucionale, ligjore dhe politike janë ende të domosdoshme për t'u zbatuar plotësisht në terren.

Pra, ky projekt do të shërbejë për menaxhimin e burimeve natyrore dhe do të zhvillohet mbi përvojat pozitive të siguruara deri më sot nëpër komuna për të kryer ndërhyrjet e synuara në nivel lokal në mikro-basenet e përzgjedhura. Gjithashtu do të vërë në përdorim strukturën e menaxhimit të ujëmbledhësit për të hartuar një kombinim ndërhyrjesh të cilat do të garantojnë përfitime të shpejta dhe të dukshme, në mënyrë që të nxisin përfitime afatgjata. Projekti pritet të përmirësojë zhvillimin dhe mbarështrimin e blegtorisë, zhvillimin e komunitetit, jetesën rurale, duke rritur aktivitetet prodhuese dhe duke nxitur praktikat e menaxhimit të qëndrueshëm të burimeve natyrore, ndërkohë që mbrohen edhe burimet e biodiversitetit të rëndësishme këto në nivel rajonal dhe global.

Projekti do të financohet nga Shoqata Ndërkombëtare për Zhvillim (IDA) me shumën prej 7 milion USD dhe pjesa tjetër do të bashkëfinancohet nga donatorë të tjerë.

Për përgatitjen e projektit u miratua fondi grand i Qeverisë Japoneze prej 501 020 USD.

***
U miratua vendimi "Për përcaktimin e koeficientëve të indeksimit të bazës së vlerësimit vjetor, individual, për llogaritjen fillestare të pensioneve".

Me arë të këtij vendimi, përcaktohet koeficienti i indeksimit të bazës së vlerësimit vjetor, individual për llogaritjen fillestare të pensioneve, sipas viteve.

Për personat që e drejta për pension u lind nga 1 janari i vitit 1997, për llogaritjen e bazës së vlerësueshme për efekt pensioni, janë marrë për bazë pagat mbi të cilat janë derdhur kontributet nga 1.1.1994 deri në ditën e lënies së punës.

Koeficienti i indeksimit të bazës së vlerësuar për vitin 2003 ëshët llogaritur duke vënë në raport kontributin mesatar vjetor të një personi të siguruar për vitin 2003 me të njëjtin tregues të llogaritur për vitin 2002. Në bazë të llogaritjeve, kontributi mesatar për një person në vitin 2003 rezultoi 66 350 lekë, ndërsa për vitin 2002 ishte 60 630 lekë dhe ka një rritje ndaj vitit të mëparshëm me rreth 9%. Mbi këtë bazë për personat që dalin në pension në vitin 2004, paga mbi të cilën kanë derdhur kontribute në harkun kohor 1994-2002 do të rivlerësohet duke u shumëzuar me koeficientin 1.09.

Efektet financiare që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi fillojnë nga data 1.1. 2004.

***
Këshilli i Ministrave në mbledhjen e tij të sotme miratoi edhe vendimin Për lejimin e Ministrisë së Mbrojtjes të fillojë procedurat për sigurimin e jetës së ushtarakëve me mision jashtë shtetit edhe në raste aksidentesh në grup".

Nëpërmjet këtij vendimi Ministrisë së Mbrojtjes i lejohet që me fondin limit prej 33 435 000 (tridhjetë tre milionë e katërqind e tridhetë e pesë mijë) lëkë të fillojë procedurën me INSIG, sh,a.–në për sigurimin e jetës së ushtarakëve me mision jashtë shtetit dhe në rast aksidentesh në grup.

Qëllimi i këtij vendimi është sigurimi jetës dhe aksidenteve të ushtarakëve aktivë të FA për periudhën e qëndrimit në misione ushtarake jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë. Këta ushtarakë nuk kanë siguruar jetën e tyre në një kohë kur në praktikën e vendeve anëtare të NATO-s apo partnerë të saj, është e diomosdoshme që sigurimi i jetës të jetë i garantuar. Nevoja e sigurimit të jetës është e madhe duke u nisur edhe nga situata ndërkombëtare dhe në veçanti nga rreshtimi i hapur i Republikës së Shqipërisë në koalicionin kundër terrorizmit.

Rezultati i këtij vendimi do të jetë ofrimi i sigurisë financiare familjeve të ushtarakëve, ndërsa përfituesit do të jenë vetëm ushtarakët aktivë të FA për periudhën e qëndrimit në misione ushtarake jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë.

***
U miratua vendimi "Për disa shtesa dhe ndryshime në vendimin nr.726, datë 21.12.2000, të Këshillit të Ministrave, "Për pagat e punonjësve të institucioneve buxhetore", të ndryshuar.

Vendimi parashikon ndryshime në nivelin e pagave të disa institucioneve buxhetore në varësi të ministrive dhe konkretisht:

I. Fototeka Kombëtare Marubi. Nisur nga rëndësia e saj në administrimin e fondit historik, kulturor dhe artistik shqiptar të fiksuar në celuloid, pagat e punonjësve të saj përcaktohen duke marrë si referencë pagat e punonjësve të institucioneve të një rëndësie të njëjtë me të si: Galeria Kombëtare e Arteve, Muzeu Historik Kombëtar, Muzeu Onufri në Berat dhe Muzeu Historik i Krujës. Efekti financiar është rreth 177 mijë lekë në muaj (paga dhe sigurime shoqërore) për 7 punonjës. Paga mesatare llogaritet 19.448 lekë në muaj.

II. Teatri Kombëtar për Fëmijë Tiranë. Për punonjësit e këtij institucioni propozohen rritje e pagës mesatare rreth 45%. Efekti financiar parashikohet të jetë 207 mijë lekë në muaj (paga dhe sigurime shoqërore).

III. Instituti i Mjekësisë Ligjore. Nisur nga specifika e punës, nga shërbimi që ofron dhe nga fakti se pjesa më e madhe e ekspertëve të këtij instituti janë me tituj dhe grada shkencore, propozohet rishikimi i trajtimit me pagë të tyre. Ndryshimet e propozuara konsistojnë në riklasifikimin e pagave, ku përfitojnë 23 punonjës, me një rritje të pagës mesatare 23.72%. Efekti financiar i këtij vendimi është 374 mijë lekë në muaj.

IV. Ministria e Arsimit dhe Shkencës. Në vitin akademik 2003-2004 u hap për herë të parë sistemi i shkollimit universitar me kohë të pjesëshme, për t'iu përgjigjur kërkesave në rritje për pranimin në shkollat e larta. Realizimi i programit mësimor të sistemit me kohë të pjesëshme kërkon një angazhim më të madh të stafit akademik, pasi ky sistem shfrytëzon po ato mjedise dhe po atë staf që përdor sistemi me kohë të plotë. Vendimi parashikon vendosjen e pagesës së orëve mësimore në këtë sistem vetëm për stafin akademik, e cila trajtohet si pagesë për orët jashtë kohës normale të punës. Efekti financiar mujor i orëve suplementare llogaritet rreth 45.816 mijë lekë në vit.

***
U miratua vendimi "Për disa ndryshime në vendimin nr.440, datë 9.9.1999, të Këshillit të Ministrave, "Për strukturën dhe pagat e punonjësve të Policisë së Ndërtimit", të ndryshuar.

Vendimi synon përmirësimin e strukturës organizative dhe rritjen e numrit të punonjësve të Policisë së Ndërtimit me 30 punonjës të tjerë. Rritja e numrit të punonjësve, si në qendër dhe në degë, do ta bëjë punën e këtij organi më efektive dhe njëkohësisht do të ketë nën kontroll të plotë situatën ndërtimore në të gjithë territorin e Republikës.

Po ashtu, vendimi parashikon krijimin e një dege të re (Tirana rreth), pasi ritmet e ndërtimeve në zonën jashtë vijës së verdhë të qytetit Tiranë janë shtuar së tepërmi. Me të njëjtin qëllim, parashikohet krijimi i sektorit të Sarandës në degën Vlorë, sektori i Pogradecit në degën e Korçës dhe shtimi i numrit të specialistëve në degën Shkodër.

Këto ndryshime do t'i shërbejnë rritjes së efikasitetit të punës së Policisë Ndërtimore për evidentimin, prishjen dhe marrjen e masave parandaluese ndaj ndërtimeve të paligjshme, pezullimin e punimeve dhe vendosjen e gjobave ëpr shkeljen e dispozitave ligjore në fushën e ndërtimit, rritjes së kontrollit në objektet që janë në proces ndërtimi. Në dy vitet e fundit (korrik 2002-prill 2004) Policia Ndërtimore ka prishur rreth 7400 objekte të paligjshme dhe ka vjelur mesatarisht reth 81 000 mijë lekë gjoba të vendosura ndaj subjekteve me shkelje që operojnë në fushën e ndërtimit.

***
Këshilli i Ministrave miratoi vendimin "Për miratimin në parim të marrëveshjes për shërbimet ajrore, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Sërbisë dhe Malit të Zi ".

Marrëveshja e re e Transportit Ajror ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Sërbisë dhe Malit të Zi "për shërbimet ajrore ndërmjet dhe përtej territoreve të tyre respektive, është një rinovim sipas koncepteve dhe normave të reja i marrëveshjes ekzistuese të lidhur midis vendeve më 13 shkurt të vitit 1956, në Tiranë.

Rinovimi i kësaj marrëveshjeve mes dy vendeve është bërë një domosdoshmëri pasi në Avionin Civil Shqiptar gjatë këtyre viteve kanë ndodhur ndryshime si në aspektin e infrastukturës ashtu edhe në aspektin legjislativ, si aderimi në disa konventa ndërkombëtare të aviacionit tonë civil si ICAO, ECAC, EUROCONTROL, etj. si dhe të ndryshimeve përkatëse në avionin civil të shtetit të Sërbisë dhe Mali i Zi.

Nënshkrimi kësaj marrëveshjeje krijon kushte lehtësuese për transportin ajror ndërmjet dy vendeve, në rritjen e cilësisë së shërbimeve të shoqërive ajrore, numrit të fluturimeve, të pasagjerëve, lehtësimit të procedurave në pikat hyrje-daljeve të kontrollit, procedurave doganore si dhe në terminalet respektive.

Gjithashtu kjo marrëveshje përcakton rregulla të plota dhe të hollësishme për zhvillimin e transportit ajror midis dy vendeve, duke krijuar kushte të favorshme për rritjen e shkëmbimeve tregtare e të biznesit si dhe të lëvizjes së lirë të njerëzve e mallrave si dhe për bashkëpunim e shkëmbim të eksperiencave të reja në fusha të ndryshme të transportit ajror.

***
U miratua vendimi "Për heqjen nga lista e sektorëve strategjikë dhe kalimin në privatizim a mbyllje të fabrikës së pasurimit të Kromit, në Kalimash, në Qarkun e Kukësit".

Fabrika e pasurimit të kromit në Kalimash është ndërtuar pranë vendburimeve të kromit Kalimash, me rreth 2.2 milion ton rezerva gjeologjike gjendje. Fabrika është vënë në punë në vitin 1979 dhe ka punuar me kapacitet të plotë deri në vitin 1992. Nga ky vit deri në vitin 1999 ka punuar vetëm me një seksion. Në janar të 1999 fabrika ka ndërprerë punën për mungesëtë tregut të shitjes së koncetratit të kromit, ndërkohë që me vendim të Këshillit të Ministrave në vitin 2000 kaloi në konservim. Duke patur parasysh dhe faktin se shpenzimet për konservimin e saj janë të konsiderueshme, rreth 6 milion lekë në vit, dhe se gjatë kësaj periudhe nuk është ofruar asnjë investitor i rëndësishëm, propozohet heqja e këtij objekti nga lista e sektorëve strategjikë dhe t'i nënshtrohet privatizimit ose mbylljes dhe likujdimit.

Ministria e Industrisë dhe Energjitikës brenda vitit 2004 do të përgatisë dokumentacionin e nevojshëm për privatizimin e saj. Të 15 punonjësit që dalin pa punë, si pasojë e kalimit në privatizim ose mbyllje të fabrikës, por që para datës 01.05.2004 kanë qenë në marrëdhënie pune dhe që do të jenë të tillë deri në çastin e hyrjes në fuqi të këtij vendimi, do të trajtohen për një vit me pagën bazë që ato kanë në momentin e shkëputjes nga puna. Periudha një vjeçare do të njihet si vjetërsi pune për efekt pensioni dhe do të shënohet si e tillë në librezën e punës.

***
U miratua vendimi "Për një shtesë në vendimin nr.378, datë 12.8.1999, të Këshillit të Ministrave, "Për kalimin e së drejtës së përfaqësuesit të pronarit për disa objekte, pronë publike organeve të qeverisjes vendore".

Me anët të këtij vendimi bëhet anullimi i procedurave të privatizimit të disa objekteve që nevojiten për qëllime publike dhe strehimi. Nisur nga problemet sociale të rreth 40 familjeve, të cilët janë strehuar në ambientet e 3 objekteve në administrim të Albbakër sh.a Tiranë, me filial Albbakër Eksport-Import në Shkozet, me kërkesë të prefekturës së Qarkut Durrës, Ministria e Ekonomisë, me cilësinë e përfaqësuesit të pronarit shtet, ka anulluar procedurat e privatizimit për objektet e mësipërme dhe kalimin e tyre organeve të qeverisjes vendore. Për të njëjtat arsye, Ministria e Ekonomisë ka anulluar procedurat e privatizimit të objekteve "ngrehinë mence" Vlorë dhe "fabrika e re e miellit" Fier, që do të përdoren për strehimin e familjeve të pastreha.

U miratuan vendimet:

***
"Për miratimin e listës së inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore, të minierave të qymyrgurit e të mineraleve të tjera dhe të karierave, të cilat i kalojnë në përgjegjësi administrimi Ministrisë së Industrisë dhe të Energjitikës".

Pronat e paluajtshme shtetërore që përfshihen në këtë listë inventari janë të ndara për minierat e qymyrgurit e të mineraleve të tjera dhe për karierat, të klasifikuara sipas qarqeve, rretheve dhe njësive të qeverisjes vendore, në të cilat ato ndodhen. Miratimi i listës mbështetet në ligjin nr. 8743, datë 22.02.2001 "Për pronat e paluajtshme të shtetit" dhe të vendimit të Këshillit të Ministrave "Për inventarizimin e pronave të paluajtshme shtetërore dhe transferimin e pronave në njësitë e qeverisjes vendore".

***
"Për miratimin e listës së inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore, të cilat i kalojnë në përgjegjës administrimi Albkrom, sh.a-së".

Pronat e paluajtshme shtetërore që përfshihen në këtë listë inventari janë të ndara sipas rretheve dhe njësive të qeverisjes vendore në të cilat ato ndodhen. Miratimi i listës mbështetet në ligjin nr. 8743, datë 22.02.2001 "Për pronat e paluajtshme të shtetit" dhe të vendimit të Këshillit të Ministrave "Për inventarizimin e pronave të paluajtshme shtetërore dhe transferimin e pronave në njësitë e qeverisjes vendore".

***
"Për miratimin e listës së inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore, të cilat i kalojnë në përgjegjësi administrimi Albbakër sh.a-së".

Pronat e paluajtshme shtetërore që përfshihen në këtë listë inventari janë të ndara sipas rretheve dhe njësive të qeverisjes vendore në të cilat ato ndodhen. Miratimi i listës mbështetet në ligjin nr. 8743, datë 22.02.2001 "Për pronat e paluajtshme të shtetit" dhe të vendimit të Këshillit të Ministrave "Për inventarizimin e pronave të paluajtshme shtetërore dhe transferimin e pronave në njësitë e qeverisjes vendore".

***
U miratua vendimi "Për miratimin e manulait të procedurave të Auditimit të Brendshëm, të Kodit Etik për Auditët e Brendëshëm dhe të Kartës së Auditimit të Brendshëm Publik".

***
U miratua vendimi "Për fillimin e negociimit për dhënien me koncesion të zonës së Porto-Romanos, dhe për disa ndryshime në vendimin nr.30, datë 28.1.2002, të Këshillit të Ministrave, "Për kriteret e zgjedhjes dhe rregullimin e marrëdhënieve të shoqërive, që do të ndërtojnë dhe përdorin instalime bregdetare, për transportimin dhe depozitimin e naftës, gazit dhe të nënprodukteve të tyre".

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›