Sot Zëvendëskryeministri Namik Dokle priti në një takim të veçantë të Ngarkuarin me Punë të SHBA, në Tiranë, z. Steven Zate. Në këtë takim bashkëbiseduesit konfirmuan marrëdhëniet sh
Sot Zëvendëskryeministri Namik Dokle priti në një takim të veçantë të Ngarkuarin me Punë të SHBA, në Tiranë, z. Steven Zate. Në këtë takim bashkëbiseduesit konfirmuan marrëdhëniet shumë të mira që ekzistojnë mes Shqipërisë dhe SHBA. Marrëdhëniet tona me SHBA, u shpreh zoti Dokle, janë marrëdhënie strategjike dhe kam kënaqësinë të konfirmoj edhe një herë se SHBA është miku ynë më i madh.
Zoti Dokle e njohu të Ngarkuarin me Punë të SHBA me masat që po merr Qeveria për zbatimin e thellimin e reformave në të gjitha fushat, për diskutimin me seriozitet që po i bëhet në parlament ligjit të pronave, i cili mori në parim konsensusin e të dy partive më të mëdha të vendit PS-PD dhe shprehu bindjen se ky ligj do të miratohet.
Zoti Dokle e informoi të Ngarkuarin me Punë të SHBA edhe për punën e vazhdueshme dhe me përgjegjësi që po bën Qeveria për integrimin në BE dhe në NATO duke shtuar se përgatitjet janë intensifikuar tani përpara Samitit të Stambollit për t'u përfaqësuar sa më denjësisht dhe me një platformë të qartë dhe realiste. Zoti Dokle vlerësoi ndihmën, mbështetjen dhe përkrahjen që Shtetet e Bashkuara të Amerikës po japin në këtë drejtim.
I Ngarkuari me Punë i SHBA në Tiranë, Steven Zate, pasi falenderoi zotin Dokle për pritjen që i bëri, shprehu përgëzimet e Qeverisë Amerikane për progresin e bërë për ligjin për pronat. Ky është me të vërtetë një hap pozitiv, tha ai, si për shqiptarët që do të qartësohen për të drejtën për pronën, por edhe për investitorët e huaj që duan të investojnë në Shqipëri. Qeveria Amerikane shprehet optimiste për këtë hap pozitiv dhe për më tëpër që mazhoranca dhe opozita shqiptare po bashkëpunojnë për probleme fondamentale. Qeveria e SHBA dhe të vendeve të tjera e konsiderojnë këtë bashkëpunim mes pozitës dhe opozitës një mundësi shumë të mirë edhe për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO dhe BE. Bashkëpunimi midis të gjitha forcave politike, u shpreh i Ngarkuari me Punë i SHBA, duhet të bëhet real edhe për zgjedhjet e vitit 2005 gjë që do të përbëjë edhe një hap tjetër shumë pozitiv për Shqipërinë.