E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha komenton ngjarjen e humbjes së helikopterit që transportonte zotin Gramoz Pashko për në spitalin e Barit në Itali

Gjatë mbledhjes së Grupit parlamentar të Partisë Demokratike, kryeministri Sali Berisha shprehu keqardhjen për ngjarjen e humbjes së helikopterit që transportonte zotin Gramoz Pashko për në spitalin e Barit, ne Itali. Kryeministri tha se në këto momente të vështira të gjithë qëndrojmë pranë familjarëve dhe lutemi së bashku me ta për të përballuar dhimbjen e këtyre çasteve.

Ndër të tjera, kryeministri Berisha u shpreh:

"Siç mund të jeni në dijeni, helikopteri me të cilin po transportohej për në Itali miku ynë i shtrenjtë, personaliteti i shquar i jetës politike dhe botës intelektuale të vendit, një ndër themeluesit më kryesor të Partisë Demokratike, promotori i reformave të tregut në Shqipëri, Gramoz Pashko, humbi gjatë udhëtimit. Përpjekjet intensive për gjetjen e helikopterit kanë filluar që mbrëmë natën. Ministri i Brendëshëm, Ministri i Mbrojtjes, Ambasadori italian në Tiranë dhe struktura të tjera të shtetit, janë angazhuar që gjatë natës së djeshme në ndjekje të këtij problemi. Forcat ajrore italiane, forcat detare shqiptare e italiane janë angazhuar në operacionet e kërkimit.

Fatëkeqësisht, bashkë me orët që kalojnë zbehen edhe shpresat tona. Është një fatkeqësi e jashtëzakonshme që na i mbush zemrat me dhimbje. Në këto çaste, mendimet dhe ndjenjat tona janë tek familjarët e Gramozit, tek Rubeni, tek familjarët e Demushit, të Vangjelit, 2 pilotë të shkëlqyer, trima, kurajozë, prindër dhe familjarë shembullorë, tek familja e Qemalit, inxhinierit të talentuar të aviacionit, tek familja e Aleksandrit, mjekut humanist, i cili sapo ishte kthyer nga studimet jashtë dhe u nis për të shpëtuar jetën e mikut tonë.

Ndërsa të gjithë ne prisnim që Gramozi të kapërcente traumën e aksidentit në Palasë, fati u dëshmua sërish i pamëshirshëm. Por fati është fat, para tij fuqia ndonjëherë është e pamjaftueshme, ndaj duhet ta përballim atë me forcën e dashurisë dhe të lutjes.

Sakrifica e të gjithë atyre që shoqëronin Gramozin është sakrificë sublime në emër të dashurisë njerëzore; dashurisë së fëmijës për prindin, së Rubenit për Gramozin, dashurisë së mjekut për jetën e pacientit, të përkushtimit dhe dashurisë së pilotëve për të mos kursyer asnjë lloj ndihme për njeriun në nevojë.

Në këto momente të vështira, ne të gjthë qëndrojmë pranë familjarëve të miqve tanë, lutemi së bashku me ta për më të dashurit e tyre".

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›