E Shtunë, 31 Tetor 2026

Këshilli i Ministrave miraton vendimin për ngritjen e ekipit ndërkombëtar të vlerësimit të ofertave për rrugën Rrëshen-Kalimash

Këshilli i Ministrave në mbledhjen e sotme miratoi vendimin për ngritjen e ekipit ndërkombëtar të vlerësimit të ofertave për rrugën Rrëshen-Kalimash, pjesë e autostradës Durrës-Kukës-Morinë. Duke u ndalur në rëndësinë që kjo rrugë ka për zhvillimin e vendit, kryeministri Berisha ndër të tjera theksoi:

"Pas përfundimit të tenderimit të segmentit Kalimash-Morinë, Ministria e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit u angazhua në procesin e tenderimit të segmetit më të vështirë dhe më të gjatë të rrugës Durrës-Morinë, atë Rrëshen-Kalimash. Pjesë e projektit të këtij segmenti është edhe ndërtimi i tunelit 6 kilometra të gjatë. Rruga do të jetë me 4 korsi, edhe në pjesën e tunelit.

Në procesin e tenderimit, Ministria e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit është ndihmuar nga Banka Botërore. Pranë Ministrisë është përzgjedhur dhe ka funksionuar gjithashtu kompania Ecoris Group, një nga kompanitë më të njohura të konsulencës në Evropë. Kjo kompani, së bashku me specialistët e Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve në Ministrinë e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, kanë përcaktuar të gjithë termat e ofertës, e cila është publikuar në mënyrë të përsëritur në Financial Times, sipas kritereve të organizimit të tenderave ndërkombëtarë.

Kanë tërhequr dokumentacionin disa kompani. Në bazë të rekomandimeve të konsulentit ndërkombëtar Ecoris Group, vlerësimi i ofertave do të bëhet nga një ekip ndërkombëtar ekspertësh, të mirënjohur për ekspertizën e tyre në fushën e prokurimeve të punëve publike në perëndim.

Data 3 gusht është data e fundit e paraqitjes së kërkesës nga kompanitë që kanë tërhequr dokumentat. Javën e ardhshme do të bëhet përzgjedhja dhe vlerësimi i ofertave të paraqitura dhe shpallja e fituesve të tenderit. Ndërsa në muajin gusht, me ndihmën e kompanisë Ecoris Group dhe të ekspertëve, do të finalizohet kontrata me kompaninë fituese.

Në këtë mënyrë ne nisim konkretisht zbatimin e këtij projekti të madh, mungesa e të cilit i privon, sot, shqiptaret me jo më pak se 250 milionë euro. Shqiptarët prej 6 vitesh paguajnë nga çdo kafshate e tyre taksën për këtë rrugë, por ajo përfundoi, si shumë taksa të tjera, në kontot bankare, në xhepat, në vilat dhe hotelet e zyrtarëve e të qeveritarëve. Qytetarët shqiptarë duhet ta dinë se rruga nuk kishte as edhe projekt.

Ky projekt ka rëndësi gjithnjë e në rritje për Shqipërinë. Sikundër edhe për Kosovën ka një vlerë po kaq të madh, nëse kemi parasysh se Porti i Shëngjinit do të jetë një port në dispozicion të Kosovës dhe rruga e bën atë lehtësisht të arritshëm dhe më të përshtatshëm për këtë vend.

Realizimi i tij u bë i mundur për dy arsye madhore. Së pari, vullneti ynë i palëkundur politik për të ndërtuar rrugën. Ne po shdërrojme në realitet atë premtim që kemi bërë, duke dëshmuar seriozitet të plotë.

Ky tender gjithashtu u bë i mundur vetem e vetem nga buxheti shtesë, pa të cilin tenderi nuk mund te organizohej dhe do të shtyhej për vitin e ardhshem, ose për një kohë tjetër. Zhvillimi është shume optimist.

Rruga ka një rëndësi jetike për zhvillimin e Shqipërisë dhe të Kosovës. Ne vendosëm drejt, ndërsa tani institucionet ndërkombëtare dëshmojnë vullnet të qartë për të financuar. Ajo nuk do të mbetet barrë krysisht e buxhetit dhe taksave të shqiptarëve, por do ketë një mbështetje të fuqishme ndërkombëtare për realizimin e saj. Ne jemi shumë të inkurajuar nga gatishmeria e institucioneve më serioze evropiane dhe ndërkombëtare për të marrë pjesë në financimin e saj. Sikunder dua t'ju informoj se bankat e vendit kanë dëshmuar gjithashtu gatishmëri të plotë për të financuar këtë projekt. Tani çështja është se ku përqindja e interesit do të jetë më e përshtatshme dhe afati i shlyerjes do të jetë më i gjatë, sikundër mund të përdoren edhe forma të tjera.

Gjithçka është vënë në zgjidhje përfundimtare. Ne nuk mund të pushonim pa zgjidhur këte problem. Eshtë një zhvillim vërtet pozitiv".

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›