Kryeministri mori pjesë në takimin e Salzburgut
Në datat 31 korrik dhe 1 gusht 2006, u zhvillua në Salzburg të Austrisë një takim i kryeministrave të vendeve të Evropës Juglindore, nën kujdesin dhe mikëpritjen e kryeministrit të Austrisë Wolfgang Schussel. Në takim qene të pranishëm kryeministrat e Shqipërisë, Kroacisë dhe Bosnjë Hercegovinës, si dhe Koordinatori i Paktit të Stabilitetit Erhard Busek.
Qëllimi i takimit qe diskutimi mbi bashkëpunimin ekonomik e politik rajonal, si dhe mbi perspektivat dhe përpjekjet për integrim evropian të vendeve të Evropës Juglindore.
Pjesëmarrësit diskutuan gjerësisht për përpjekjet e përbashkëta për thellimin dhe fuqizimin e nismave të bashkëpunimit rajonal, thellimin e tregtisë së lirë në rajon, përmirësimin e infrastrukturës dhe lidhjeve infrastrukturore midis vendeve të rajonit, mbi probleme të energjisë, duke qënë se rajoni është një rajon importues neto i energjisë, sikurse dhe çështje të tjera të bashkëpunimit dhe shkëmbimeve ekonomike.
Një vend të veçantë në diskutime zunë zhvillimet politike në rajon, veçanërisht përpjekjet e vendeve të rajonit për integrim në strukturat euro-atlantike.
Pas bisedimeve pjesëmarrësit dhanë një konferencë të përbashkët për shtyp.
Komentet e tij, para mediave, Kancelari Schussel i filloi duke thënë "dëshiroj ta përshkruaj rajonin duke huazuar fjalët që kryeministri Berisha përdori në takimin tonë se "pavarësisht nga problemet e së shkuarës, asnjë rajon tjetër nuk ka pësuar në pak vjet zhvillime më pozitive sesa Ballkani". Duke vazhduar Kancelari Schussel u shpreh se sot rajoni është një rajon mjaft dinamik e me zhvillime të shpejta ekonomike dhe politike. Ai theksoi rëndësinë e madhe që ka Evropa Juglindore për BE-në, si dhe shprehu besimin për integrimin e suksesshëm të saj në BE. Kacelari Shcussel risiguroi për mbështetjen dhe ndihmën e Austrisë për përpjekjet integruese në strukturat euro-atlantike të vendeve të rajonit.
Në komentet e tij para mediave, kryeministri Berisha ndër të tjera u shpreh:
"Dëshiroj të falenderoj Kancelarin Schussel dhe t'i shpreh mirënjohjen e thellë për mbështetjen e madhe që Kancelari personalisht dhe Presidenca Austriake i kanë dhënë rajonit në përgjithësi dhe vendit tim në veçanti. Presidenca austriake e BE-së qe shumë e sukseshme, veçanërisht sepse mundi të zgjidhte disa çështje të rëndësishme të Bashkimit, si atë të buxhetit, energjisë, etj.
Presidenca austriake ka një meritë të madhe për thellimin e përpjekjeve integruese të rajonit pasi ajo mundi ta ofrojë rajonin tonë më afër Evropës, duke adoptuar moton se "integrimi Evropian i rajonit është rikthim i kombeve të tij në familjen evropiane". Kjo qe ndihmë dhe inkurajim i madh për rajonin tonë, i cili ka një të shkuar të vështirë, por që ka bërë përparime të madha gjatë viteve të fundit"
Duke folur për përparimin e Shqipërisë në rrugën e reformave, kryeministri Berisha u shpreh, ndër të tjera:
"Në vitin e fundit ne u përqendruam në rivendosjen e shtetit ligjor, duke luftuar me tolerancë zero krimin e organizaur, si dhe korrupsionin. Në pak muaj ne mundëm që të shkatërronim të gjitha grupet e krimit të organizuar në Shqipëri dhe ata sot po përballen me drejtësinë.
Duke përmirësuar administratën fiskale dhe doganore, mundëm që të arrinim një buxhet të dytë shtesë në Qershor. Ndonëse FMN ishte skeptike në fillim të vitit që do t'ja dilnim, por kjo gjë ndodhi. Një pjesë e këtyre të ardhurave shtesë do të investohet në infrastrukturë, kurse një pjesë do t'u rikthehet biznesve në formën e uljes së taksave.
Gjatë kësaj periudhe arritëm të marrim disa hapa shumë të rëndësishëm për përmirësimin e klimës së biznesit. Hoqëm të gjithë taksat për importimin e makinerive për investim, ulëm deri në 35 përqind çmimin e energjisë për biznesin, ulëm 33 përqind pagesën për sigurimet shoqërore, përgjysmuam taksën e biznesit të vogël. Një paketë për fuqizimin e investimeve të huaja do të përgatitet shumë shpejt nga qeveria me qëllim për të bërë Shqipërinë vendin më tërheqës për investimet e huaja në rajon.
Në diskutimet tona këtu, ne folëm gjithashtu për problemet ekonomike që ndeshim si rajon. Ne jemi një rajon që në shumë drejtime kemi infrastukturë të vjetëruar. Nëse do të udhëtoni nga Mali i Zi për në Shqipëri do të kaloni në një rrugë që është ndërtuar 80 vjet më parë nga austrohungarezët, e cila është më shumë virtuale sesa realistike. Në përgjithësi, rajoni ynë është një nga rajonet pa infrastrukturë të zhvilluar dhe pa projekte rajonale infrastrukturore. Pavarësisht se në ç'stad jemi në lidhje me standartet dhe kriteret evropiane, ne sidoqoftë kemi kaq shumë bukuri që mund t'i tregojmë BE-së, kemi kaq shumë pasuri që mund t'i ofrojmë BE-së. Ndaj besoj se duhet të ndihmohemi më shumë në këtë drejtim.
Në takim, ne përshëndetëm ngrohtësisht zhvillimet e fundit në rajon. Unë u shpreha se pavarësia e Malit të Zi e ka bërë të gjithë rajonin tonë më të lirë. E njejta gjë do të ndodhë edhe me Kosovën në mendimin tim, pavarësisht vështirësive që ekzistojnë."
Duke ju përgjigjur interesimit të gazetarëve në lidhje me çështjen e Kosovës, kryeministri Berisha u shpreh:
"Besoj se statusi final i Kosovës është vendimtar për paqen dhe stabilitetin në rajon. Në këtë kontekst, mendoj, gjithashtu, se respektimi i të drejtave të serbeve dhe minoriteteve të tjera në Kosovë është çështje themelore.
E vizitova Kosovën një muaj më parë dhe dëshiroj t'ju siguroj se investimi i bërë aty nga komuniteti ndërkombëtar ka sjellë frutet më të mira që mund të imagjinoheshin. Është e trishtuar që këto arritje nuk njihen sa duhet jashtë Kosovës. Në Kosovë ka sot institucione thellësisht demokratike dhe të konsoliduara, të ngritura nga ekspertiza më e mirë perendimore. Vizitova edhe Fushë Kosovën, madje u gjenda mes njerëzve edhe poshtë ballkonit ku Miloshevici mbajti fjalimin e tij famëkeq. Atje pashë e takova njerëz që jetonin së bashku, njerëz të vendosur të jetonin sëbashku - serbë, shqiptarë, romë.
Besoj se pavarësia e Kosovës është jetike, vendimtare për stabilitetin e rajonit. Por mendoj gjithashtu dhe besoj, se jo vetëm për Maqedoninë, Malin e Zi e Shqipërinë, por edhe për vetë Serbinë do të jetë mirë të linte pas të shkuarën dhe të shikonte drejt së ardhmes sonë të përbashkët, të ardhmes evropiane."