Këshilli i Ministrave, nën drejtimin e Kryeministrit Fatos Nano, miratoi sot, në mbledhjen e radhës, disa vendime dhe projektligje. • Në mbledhjen e sotme të Këshillit të Ministrave u m
Këshilli i Ministrave, nën drejtimin e Kryeministrit Fatos Nano, miratoi sot, në mbledhjen e radhës, disa vendime dhe projektligje.
• Në mbledhjen e sotme të Këshillit të Ministrave u miratua vendimi "Për ristrukturimin e Kompanisë Komando të FA të Shqipërisë, së bashku me strukturat mbështetëse, të dërguara në rajonin e Gjirit Persik, në kuadër të koalicionit ndërkombëtar të luftës kundër terrorizmit".
Sipas vendimit, kompania komando, që vepron aktualisht në Irak, do të ketë 120 vetë, i cili është numri optimal i një kompanie standarte të vendeve të NATO-s për të siguruar në mënyrë të plotë përmbushjen e misionit të saj. Po ashtu me mision ne Irak ne perberje te komandes se forcave te koalicionit eshte dhe nje oficer shqiptar.
• Këshilli i Ministrave miratoi në parim dhe Marrëveshjen ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Koorporatës Amerikane "Lockheed Martin Global inc (LMGI)", për ndërtimin e sistemit të integruar të vëzhgimit të hapësirës detare.
"Lockheed Martin" përfaqëson një nga kompanitë më të fuqishme në këtë fushë, e cila ka realizuar mjaft kontrata në vende të ndryshme të Europës, sipas standarteve me te larta. Kjo koorporatë është prezente në Shqipëri me Ndërtimin e Sistemit të Modernizimit të Kontrollit të Trafikut Ajror (SMKTA), prandaj realizimi i këtij projekti të dytë, do të krijojë koordinacion të plotë me konceptin e Sistemeve të Integruara.
Kostoja e projektit është 17.1 milion USD. Ky investim është në mbështetje të programit të qeverisë për rritjen e bashkëpunimit në kuadër të integrimit rajonal, si dhe të përparësive të përcaktuara nga Forcat e Armatosura shqiptare.
Për ndërtimin e Sistemit të Integruar të Vëzhgimit Kombëtar, përparësi i jepet ndërtimit te sistemeve të Komandimit, Drejtimit, Komunikimit, pajisjeve kompjuterike dhe Zbulimit të hapësirës tokësore, detare dhe ajrore. Ky sistem është i rëndësishëm, pasi ai do të mbështesë:
- Realizimin e misionit të Rojes Bregdetar;
- Luftën kundër trafiqeve të paligjshme;
- Realizimin e operacioneve të kërkim-shpëtimit, administrimin e pasurisë në hapësirën detare;
- Si dhe do te rrisë frymën e bashkëpunimit ndërmjet strukturave shtetërore, organizmave që veprojnë në vendin tonë dhe vendeve në rajon, edhe në kuadrin e NATO-s.
Marrëveshja shtrihet në një periudhë 4-vjeçare zbatimi.
• U miratua projektligji "Për ndihmën shtetërore"
Ky projektligj merr një rëndësi të veçantë për përcaktimin e kritereve që duhet të ndiqen për vlerësimin, apo kontrollin e masës së ndërhyrjes së shtetit në veprimtarinë ekonomike të ndërmarrjeve.
Stadi aktual i zhvillimit të ekonomisë së tregut në vendin tonë, si dhe detyrimet që lindin nga Marrëveshja e Stabilizim Asociimit bëjnë të domosdoshme përgatitjen e kuadrit ligjor për kontrollin e ndihmave shtetërore, si dhe ngritjen e forcimin e strukturave përgjegjëse. Projekligji përcakton:
- Parimet dhe procedurat, në bazë të të cilave miratohet dhe mbikqyret ndihma shtetërore, nëpërmjet vendosjes së një balance midis politikave mbështetëse që ndiqen nga shteti për zhvillimin ekonomik dhe shoqëror të rajoneve të veçanta dhe në tërësi, si dhe përmbushjes së angazhimeve të marra për këtë fushë në marrëveshjet ndërkombëtare;
- Strukturat e ngarkuara për kontrollin e ndihmave shtetërore, si dhe përcaktimi i kompetencave për të përmbushur detyrimet në këtë fushë;
- Parashikon procedurat bazë që duhen ndjekur për njoftimin, lejimin dhe monitorimin e ndihmave, në përputhje me dispozitat e Kodit të Procedurës Administrative;
- Përcakton periudhën për ngritjen e strukturave të ndihmës shtetërore, si dhe hapat për të siguruar vazhdimësinë e punës me qëllim përmbushjen e angazhimeve.
Projektligji është hartuar në përputhje me standartet e Bashkimit Europian.
• U miratua vendimi "Për krijimin e Autoritetit Shtetëror të Sigurisë Detare"
Vendimi synon integrimin e Transportit Detar, në kuadrin e Transportit në përgjithësi, me standartet e Organizatës Ndërkombëtare Detare (IMO) dhe të Komunitetit Europian.
Detyrat kryesore të Autoritetit Shtetëror të Sigurisë Detare janë:
- Shqyrtimi dhe përgatitja për miratim e një plani sigurie dhe ndryshimet që vijojnë për oeratorët që veprojnë në fushën e transportit detar;
- Përcaktimi i kërkesave për një deklaratë sigurie;
- Caktimi i nivelit të siigurisë që do të aplikohet në infrastruturën portuale dhe në anije;
- Kontrolli dhe zbatimi i planit të sigurisë në fushën e transportit detar dhe në operatorët që veprojnë në këtë fushë.
• U miratua projektligji "Për Inspektoriatin Shtetëror të Ndërtimit"
Hartimi i projektligjit ka për objekt krijimin e Inspektoriatit Shtetëror të Ndërtimit, si strukturë e specializuar, i cili do të ushtrojë kontroll në sektorët shtetëror dhe privat për zbatimin e ligjshmërisë në disa fusha. Me krijimin e kësaj strukture dhe detyrat që do të kryejë do të luajnë një rol shumë të rëndësishëm për zbatimin e ligjshmërisë në fushat e përcaktuara në këtë ligj. Projektligji parashikon kalimin e struktures ekzistuese të Policisë së Ndërtimit dhe transformimin e saj në strukturën e re, Inspektoriati Shtetëror i Ndërtimit.
Inspektoriati kontroll subjektet për zbatimin jo vetëm të dispozitave ligjore, por edhe të standarteve dhe rregullave teknike, që rrjedhin nga këto dispozita, që janë të lidhura kryesisht me cilësinë në projektim, prodhim e ndërtim dhe me qëndrueshmërinë e vetë objektit. Nëpërmjet ligjeve "Për vlerësimin e konformitetit" dhe "Për produktet e ndërtimit", Inspektoriatit i krijohen hapësira të reja në drejtim të mbikqyrjes së tregut, aspekt që deri tani nuk është marrë në konsideratë. Konkretisht kjo strukturë ka kompetencë të ushtrojë kontroll për zbatimin e ligjshmërisë në:
- Studim projektimet e punimeve të ndërtimit;
- Zbatimin e punimeve të ndërtimit;
- Planifikimin, menaxhimin e kontrollin e territorit urban në kushtet e parashikuara në ligj;
- Prodhimin e tregtimin e produkteve të ndërtimit;
- Shfrytëzimin e rezervave ujore etj..
Inspektoriati Shtetëror i Ndërtimit do të funksionojë në varësi të Ministrisë së Rregullim Territorit dhe Turizmit, si inspektoriat shtetëror qendror dhe me degët e tij me qendër në qarqe. Sipas projektligjit, ISHN në mënyrën e organizimit përbëhet nga kryeinspektorët dhe inspektorët. Inspektoriati do të drejtohet nga kryeinspektori.
• U miratua vendimi Për disa ndryshime dhe shtesa në vendimin nr 405, datë 8.1.1996 "Për administrimin e rrjetit rrugor kombëtar dhe rrjetit rural të Republikës së Shqipërisë", të ndryshuar.
Nga verifikimi i sistemit rrugor në Shqipëri, si rezultat i rehabilitimit të shumë rrugëve ekzistuese, si dhe me kërkesë të autoriteteve vendore, një pjesë e akseve rrugore përmbushin kriteret për të kaluar nga rrjeti rrugor rural në atë kombëtar, për vet rëndësisnë e tryre ekonomike dhe sociale.
Në këtë mënyrë, nga drejtues të Komunave Klos, Mollas, Gostim, të qarkut Elbasan është paraqitur kërkesa që një segment rrugor prej 18 km që përshkon territoret e tre komunave, të kalojë në rrjetin rrugor kombëtar.
• U miratua vendimi për "Krijimin e Bordit të Kullimit në zonën e shërbimit të kullimit të Dibrës", si dhe vendimi per "Për miratimin e bordit të kullimit në zonën e shërbimit të kullimit të Kukësit"
Përmes funksionimit të këtyre Bordeve, synohet të rritet eficenca e investimeve në fushën e kullimit, transparenca e këtij investimi, mundësinë e aktivizimit të përfituesve të kullimit, etj.
• U miratua vendimi "Për disa shtesa në Vendimin nr.560, date 2.12.1999, të Këshillit të Ministrave, "Për krijimin e Fondacionit "Fondi i Financimit të zonave malore"
Fondi i Financimit të Zonave Malore duhet të zhvillohet në një institucion Financiar rural i vetqëndrueshëm me klientet pronarë, që mund të operojë në treg pa qenë i varur nga financime të huaja, por në të njejtën kohë i mbetet besnik misionit të tij për reduktimin e varfërisë. Objekti primar është të ofrojë akses për të gjitha llojet e shërbimeve financiare, përfshi edhe depozitat.
• U miratua vendimi "Për disa shtesa dhe ndryshime ne vendimin nr.540, datë 21.12.1992 te Këshillit te Ministrave "Per krijimin e Keshillave te Kultures dhe shpërblimin e tyre" të ndryshuar.
• U miratuan vendimet "Për pajisjen me mjedise për përdorim të Partisë "Demokracia Sociale" dhe vendimi Për dhënie fondi ndihme partisë "Lëvizja Socialiste për integrim" prej 100 mijë lekë në zbatim të ligjit.