Këshilli i Sigurimit dënon dhunën në Kirgiztan
Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara, ka dënuar ashpër dhunën në Kirgiztan dhe ka bërë thirrje për qetësi dhe kthim të sundimit të ligjit. Dhuna ndërmjet kirgizëve dhe uzbekëve etnikë në jug të vendit, besohet se ka shkaktuar deri tani të paktën 170 të vrarë dhe rreth 1800 të plagosur.
Dhjetra mijëra uzbekë janë larguar si pasojë e dhunës më të ashpër, me të cilën është përballur kirgiztani në 20 vitet e fundit.
Nënsekretari i OKB-së, për çështje Politike, Lynn Pascoe, bëri thirrje për krijimin urgjent të një koridori humanitar për dërgimin e ndihmave. Ndërkohë, Organizata për Siguri Kolektive, e kryesuar nga Rusia, ka propozuar dërgimin e helikopterëve dhe pajisjeve për ta ndihmuar qeverinë e kirgiztanit, që të ndalë trazirat.
Presidenti i Rusisë, Dimitri Medvedev e ka quajtur situatën të "patolerueshme" dhe Shtëpia e Bardhë tha se zyrtarët amerikanë janë në kontakt me homologët e tyre rusë. Kombet e Bashkuara po verifkojnë njoftimet që tregojnë se vazhdimi i dhunës etnike në Kirgizstan është i orkestruar. Një zëdhënës i OKB-së, Rupert Colville, tha se vrasjet dhe përdhunimet ishin të planifikuara nga ana etnike. Por ndërkaq uzbekët etnikë, thonë se ushtarët e Kirgiztanit, kishin qëlluar me armë ndaj tyre. Presidenti i rrëzuar, Kurmanbek Bakiyev ka mohuar të ketë qënë i përfshirë në këtë situatë. Zyrtarët e Kryqit të Kuq thonë se 95 mijë banorë të entisë uzbeke janë larguar në Uzbekistanin fqinjë gjatë tre ditëve. Kina ka dërguar një avion për të evakuuar shtetasit nga qytetet më të goditura, Osh dhe Xhalalabad. Edhe kryediplomatja e Bashkimit Europian, Ketrin Eshton, tha se BE-ja me "shqetësim të madh" po i ndjek ngjarjet në Kirgiztan.