E Shtunë, 31 Tetor 2026

Këshilli i Sigurimit do të diskutojë sërish për Kosovën

Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara më 15 tetor do të diskutojë raportin tremujor për gjendjen në Kosovë; ndërkaq në kuadër të raportit do të jetë edhe një aneks i posaçëm për aktivitetet e EULEX-it.
Raporti i rregullt tremujor për zhvillimet në Kosovë është prezantuar nga sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki-moon, përfaqësuesi i tij special në Kosovë, Lamberto Zannier, dhe shefi i misionit të BE-së në Kosovë, Yves de Kermabon, bëjnë të ditur mediat.
Raporti brenda disa ditësh do t'iu dorëzohet ambasadorëve të vendeve anëtare të Këshillit të Sigurimit, ndërsa sipas burimeve të mediave, sekretari Ban edhe një herë do të përsërisë faktin se Prishtina po e kërkon mbylljen e misionit të UNMIK-ut, veçanërisht përfaqësuesit e lëvizjes Vetëvendosje.
Ban Ki Moon po ashtu përmend edhe vështirësimin e punës së përfaqësuesit të tij në Kosovë, Lamberto Zannier, për shkak të procesit gjyqësor rreth ligjshmërisë së pavarësisë së Kosovës në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, pastaj kundërshtimin që i bëjnë shqiptarët protokollit EULEX-Serbi, demonstratat që pasuan, si dhe tensionet e vazhdueshme në veri të vendit.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›