Kriza në Shqipëri, po presim propozime konkrete
Hannes Svoboda
Në shumë raste, që nga fillimi i këtij viti, Presidenca spanjolle e BE-së ka riafirmuar faktin se do të ketë një nga përparësitë e saj procesin e integrimit në Bashkimin Europian të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Fundi i vitit 2009 dhe fillimi i 2010-s kanë shënuar disa suksese për perspektivat e integrimit të rajonit, por kanë pasur edhe pengesa të rëndësishme. Në këtë moment, Kroacia është i vetmi vend me të cilin janë duke u zhvilluar me të vërtetë negociatat e pranimit. Të gjitha palët e përfshira janë duke ofruar energji të konsiderueshme për të përfunduar të gjithë kapitujt e bisedimeve këtë vit. Megjithatë, siç e dimë, nuk është hera e parë që ne shprehim një shpresë të tillë, pasi që në vitin 2008 ishin të larta shpresat për të përfunduar bisedimet me Kroacinë. Duket se në rajon, çdo sukses është shoqëruar me një numër të konsiderueshëm zhgënjimesh.
Liberalizimi i vizave, - një sukses
Sigurisht, një ndër sukseset e rëndësishme të muajve të fundit është liberalizimi i vizave, i cili ka hyrë në fuqi që prej 19 dhjetorit të vitit 2009. Qytetarët e Serbisë, Maqedonisë dhe Malit të Zi tani kanë të drejtë që të udhëtojnë pa viza në vendet e Bashkimit Europian. Popullsia e Bosnjë-Hercegovinës dhe ajo e Shqipërisë, dy vende që nuk hynë në Listën e Bardhë të Shengenit për shkak të mungesës së realizimit të një numri kërkesash teknike, e perceptojnë gjendjen shumë negativisht. Ky është një dështim në mungesën e rritjes së besimit tek institucionet europiane dhe zhgënjim në potencialin e së ardhmes së tyre europiane. Për më tepër, zbatimi i regjimit të vizave u shoqërua nga një valë abuzimi nga individë me pak skrupuj, që kërkonin një jetë më të mirë dhe mundësi punësimi në vendet e BE-së, i pasuar me dëshpërimin e qytetarëve të tjerë. Këto incidente janë perceptuar shumë keq nga opinioni publik europian dhe duhet të merren në konsideratë seriozisht nga udhëheqësit politikë në Ballkanin Perëndimor. Për fat të mirë, problemi mori një zgjidhje të shpejtë.
Zgjedhja e një presidenti pro-europian në Kroaci disa javë më parë duhet të interpretohet si një sukses. Tashmë, gjatë muajit të parë të mandatit të tij, presidenti Ivo Josipoviç ka treguar se është i përkushtuar për ta bërë tërë Ballkanin Perëndimor një rajon të qetë, ku konfliktet zgjidhen me anë të negociatave dhe diskutimeve. Në këtë kuptim, janë bërë shumë përpjekje në drejtim të integrimit të mëtejshëm rajonal, ndonëse janë shënuar edhe disa përvoja të pasuksesshme. Dështimi i konferencës së zhvilluar në Brdo të Sllovenisë në muajin mars ishte një pengesë e madhe. Takimi i iniciuar nga Kroacia dhe Sllovenia, në qëllim gjetjen e shtigjeve të përbashkëta për integrimin e rajonit në BE, u zbeh nga mungesa e Serbisë dhe përfaqësuesit të Presidencës spanjolle të BE-së.
Për fat të mirë, konferenca e 2 qershorit në Sarajevë mund të konsiderohet e suksesshme sepse mblodhi së bashku ministrat e Jashtëm të rajonit, të vendeve anëtare të BE-së si dhe përfaqësues nga SHBA-të, Turqia, Rusia dhe OSBE-ja. BE-ja riafirmoi angazhimin e saj për anëtarësimin në Bashkimin Europian të të gjitha vendeve të rajonit.
Konflikti Serbi-Kosovë, sfida kryesore për 2010-n
Konflikti midis Serbisë dhe Kosovës mbetet sfida kryesore për vitin 2010. Megjithëse Serbia ka treguar një nivel të lartë të pjekurisë politike në mënyrën se si e ka trajtuar këtë çështje në dy vitet e fundit të pavarësisë së Kosovës, diskursi politik kombëtar dhe ndërkombëtar i saj, më shumë rrotullohen rreth konfliktit, shmangies së vendit dhe të rajonit nga të ecurit përpara përmes integrimit rajonal. Të dyja palët, udhëheqësit politikë serbë dhe kosovarë, janë të angazhuar në përpjekjet e tyre të mëdha diplomatike mbi çështjen e (mos)njohjes, ndonëse ata duhet të punojnë për problemet social-ekonomike më urgjente kombëtare dhe rajonale që ndikojnë në jetën e përditshme të qytetarëve të tyre.
Ky konflikt nuk duhet të përdoret më si një pretekst për të mos u marrë me probleme të rëndësishme, të cilat, në qoftë se mbeten të pazgjidhura, do të zvarrisin më tej integrimin e këtyre dy vendeve në BE.
Opinioni i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për shpalljen e pavarësisë së Kosovës pritet të dalë shumë shpejt. Unë do të shpresoja se në bazë të argumenteve specifike që do të dalin prej atij vendimi, mund të vendoset një dialog i ri në mes të Serbisë dhe Kosovës, për të përcaktuar marrëdhëniet e tyre të ardhshme, për të qartësuar në mënyrë më specifike rolin që duhet të luajë Serbia në Kosovë. Këtu, BE-ja duhet të ndihmojë të dyja palët në zhvillimin e një strategjie, e cila është në interes të qartë të të gjithë qytetarëve të Kosovës. Ajo duhet të përfshijë njohjen e interesit të justifikuar të Serbisë në mirëqenien e qytetarëve të Kosovës, për ata që i përkasin komunitetit serb, dhe përfshirjen e tyre në nivele të ndryshme të qeverisjes.
Ne duhet t’i konsiderojnë sukses zgjedhjet e fundit komunale në Kosovë, pasi pati pjesëmarrje të konsiderueshme të minoritetit serb në proces, duke demonstruar një vullnet për të marrë në duart e tyre besimin politik dhe duke zgjedhur përfaqësuesit e tyre. Gjithashtu, duhet pranuar se udhëheqja kosovare ka arritur të krijojë marrëdhënie të mira fqinjësore me të gjitha qeveritë e rajonit që janë të gatshme të përgjigjet, dhe në mënyrë të veçantë, kanë marrëdhënie të mira me Kroacinë. Kjo e vendos atë si një mundësi tjetër, ku Kroacia mund të luajë një rol udhëheqës në rajon, duke vepruar si një urë, për shembull, midis Kosovës dhe Serbisë.
Siç është shprehur tashmë Komisioni Europian, Kroacia ka hyrë në fazën përfundimtare të procesit të negociatave të anëtarësimit me BE-në. Muajt e fundit të vitit 2009 kanë sjellë shumë hapa të rëndësishëm përpara: kapitujt për Shërbimet Financiare, për Mbrojtjen e Konsumatorit dhe Shëndetit janë mbyllur tani dhe në muajin dhjetor; Komisioni për Stabilizim dhe Asocim mes BE-së dhe Kroacisë është mbledhur pesë herë. Pak para Krishtlindjeve u mbyllën kapituj të tjerë. Nga kapitujt e mbetur ende të hapura, më i rëndësishmi është ai për Drejtësisë. Kjo nënkupton çlirimin e Kroacisë nga një sërë dokumentesh që janë kërkuara nga prokurori i Gjykatës së Hagës, Serge Bramertz, në lidhje me rastin e gjeneralit të Ushtrisë Kroate, Ante Gotovina. Deri tani, Kroacia nuk ka qenë plotësisht bashkëpunuese në ofrimin e dokumenteve të lidhura me lëshimin e urdhrave ushtarake gjatë operacionit “Stuhia”, ose të paktën nuk ka bërë maksimumin e përpjekjeve për t’i gjetur këto dokumente.
Zgjidhja e konfliktit kroato-slloven
Zgjidhja e konfliktit kufitar midis Kroacisë dhe Sllovenisë ka ende pengesa për të kaluar. Një referendum u mbajt në Slloveni më 6 qershor, me qëllim zgjidhjen ligjore të çështjes së kufirit ndërmjet këtyre dy fqinjëve. Sllovenët mbështetën marrëveshjen e nënshkruar mes kryeministrave Jadranka Kosov dhe Borut Pahur, për ta dërguar konfliktin kufitare në arbitrazhin ndërkombëtar dhe më pas për ta ratifikuar vendimin që do të dalë nga të dy parlamentet, duke i hapur kështu rrugën e anëtarësimit në BE fqinjit të saj.
Po ashtu, Kroacia po përballet me sfida të tjera që potencialisht mund të dëmtojnë imazhin e favorshëm që ky vend që ka fituar në BE. Vendi duhet që të rrisë angazhimin në zgjidhjen e çështjes së heqjes së të drejtës së banimit për personat që janë vendosur në Kroaci në mesin e viteve 1991-1995, duke kontribuar kështu në zgjidhjen e problemit tejet të rëndësishëm rajonal të refugjatëve dhe personave të zhvendosur jashtë vendit. Ndërsa ky problem duhet të trajtohet në nivel rajonal dhe me bashkëpunim ndërqeveritar, Kroacia mund të marrë një qëndrim më aktiv dhe të veprojë si model për fqinjët e saj.
Sfidat e Bosnjë-Hercegovinës
Në fakt, është e qartë se çështjet më të rëndësishme dhe konfliktet e rajonit mund të zgjidhet me një afrim rajonale, duke përfshirë të gjitha palët e interesuara, por edhe duke i inkurajuar përfshirjen e palëve të treta rajonale për të vepruar si ndërmjetës apo, ashtu siç e përmenda më lart, si ura. Për shembull, sfidat aktuale politike në Bosnje-Hercegovinë shkaktohen nga kompleksiteti i shtetit që mund të zgjidhet më lehtë nëse fqinjët e tyre; Kroacia dhe Serbia planifikojnë një rol më konstruktiv dhe më qetësues. E njëjta gjë është edhe për çështje të tjera rajonale, që më së shumti kanë të bëjnë me kufijtë; të tilla si krimi i organizuar dhe trafikimi apo korrupsionit. Vendet e Ballkanit Perëndimor janë duke u përballur gjithashtu edhe më sfida të tjera të veçanta përfshirë edhe çështjen e popullsisë rome, e cila që duhet të trajtohet patjetër në nivel rajonal, me përfshirjen e të gjithë udhëheqësve qeverisës dhe sigurisht jo pa angazhimin konkret të udhëheqësve të BE dhe qeverive të vendeve të Bashkimit Europian.
Kriza në Tiranë dhe Maqedonia
Kur rreshton të dhënat e bilancit të Ballkanit Perëndimor për vitin 2010, nuk mund të mbeten mënjanë dy kriza të rëndësishme: Çështja e emrit të Maqedonisë dhe kriza parlamentare e Shqipërisë. Për fat të keq, këtu ne duhet të vajtojmë mungesën e pjekurisë politike të palëve të përfshira për të arritur kompromise të pranueshme për të shpëtuar fytyrën. Siç kam propozuar në draft-rezolutën e Parlamentit Europian për procesin e integrimit të Shqipërisë, që pritet të miratohet së shpejti, të dyja palët duhet të gjejnë një zgjidhje të konfliktit në lidhje me hetimin zgjedhor.
Ne presim propozimet përkatëse të kompromisit nga të gjitha palët. Në këtë fazë, qeveria dhe opozita kanë rënë dakord që të pranojnë anëtarët e Parlamentit Europian për të vepruar si ndërmjetësues gjatë krizës.
Në qoftë se 2010-a nuk do të mund të sjellë zgjidhje për të gjitha problemet që vendet e Ballkanit Perëndimor po merren me to, në mënyrë që të bëjnë realitet të ardhmen e tyre europiane; na bën më të sigurt që aktorë të rëndësishme, të tilla si Kroacia, do të veprojnë si një forcë shtytëse dhe shembull për gjithë rajonit, duke dëshmuar se veprimet e përbashkëta sjellin rezultate konkrete dhe europiane.
Titulli është redaksional
Përgatiti: A. Gjoka
Ballkani në vitin 2010: Një hap para, dy hapa prapa?
Instituti Ndërkombëtar për Studimet në Lindjen e Mesme dhe Ballkanin (IFIMES) në Lubjanë shqyrton në mënyrë të rregullt zhvillimet në Lindjen e Mesme dhe në Ballkan. Hannes Svoboda, anëtar i Parlamentit Europian, anëtar i Komitetit për Marrëdhëniet e Jashtme të PE-së, zëvendëspresident i Grupit të Partive Socialiste dhe Socialdemokrate, si dhe raportues i Parlamentit Europian për Kroacinë, në shkrimin e tij, “Ballkani Perëndimor në vitin 2010; një hap para, dy hapa prapa?”, paraqet një panoramë të gjendjes së tanishme në Ballkanin Perëndimor si dhe në tërë rajonin, me një theksim të veçantë në rolin që mund të luajë Kroacia.
10 Qershor 2010