E Shtunë, 31 Tetor 2026

Këshilli i Sigurimit sot diskuton për Kosovën

Nga Express më 30 gusht 2011 në ora 10:46

Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara mban sot mbledhjen e rregullt për Kosovën, ku do të prezantohet raporti i fundit i sekretarit të përgjithshëm, Ban Ki Moon për gjendjen në Kosovë.

Ban ka ftuar të gjitha palët që të përmbahen nga hapat e njëanshëm, të cilët mund të rrezikojnë përparimin e arritur në dialogun Kosovë-Serbi. Ai po ashtu ka apeluar që të mos ketë më ngritje të tensioneve.

Kosova në Këshillin e Sigurimit do të përfaqësohet nga ministri i Jashtëm, Enver Hoxhaj sikurse edhe Serbia nga ministri i saj i Jashtëm, Vuk Jeremiq.

Mbledhja e Këshillit të Sigurimit ishte parashikuar të zhvillohej dje, por ajo u shty për shkak të motit të keq dhe uraganit “Irene” që ka përfshirë pjesën verilindore të SHBA-së.

Thuhet se gjatë mbledhjes së Këshillit të Sigurimit, një pjesë e fjalimit të ministrit Hoxhaj do të përqendrohet edhe në vendosmërinë e Qeverisë së Kosovës për vendosjen e sundimit të ligjit dhe për luftën kundër krimit të organizuar në të gjithë territorin e shtetit.

Në këtë seancë, ministri Hoxhaj do të kërkojë nga Serbia që t’i shpërbëjë strukturat paralele ilegale-shtetërore në Kosovë dhe të heqë dorë nga mbështetja politike për grupe të krimit të organizuar në veri.

Hoxhaj, po ashtu, do të flasë edhe për situatën e fundit të krijuar në veri, pas vendosjes së masave të reciprocitetit ndaj Serbisë.

Ai do t’i shpjegojë përfaqësuesve të shteteve pjesëmarrëse për dialogun teknik në mes Kosovës dhe Serbisë, për mosgatishmërinë e Serbisë që t’i pranojë vulat e Kosovës në takimin e fundit të muajit korrik dhe për domosdoshmërinë kushtetuese për vendosjen e masave të reciprocitetit.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›