E Shtunë, 31 Tetor 2026

Uragani Irene shtyn mbledhjen e KS-së, do diskutohej për Kosovën

SHBA- Uragani Irene i cili ka goditur Nju Jorkun, detyron Këshillin e Sigurimit të OKB-së të shtyjë të paktën për një ditë, sesionin e sotëm ku ishte parashikuar të diskutohej dhe për Kosovën.

Nga selia e OKB-së në Nju Jork është mësuar se takimi mund të zhvillohet të martën në mëngjes nëse kushtet e motit përmirësohen.

Uragani Irene i cili goditi brigjet lindore të SHBA, ka shkaktuar deri tani 18 viktima dhe sipas meteorologëve situata më e vështirë mund të jetë sot.

RAPORTI I  MOON
Para Këshillit të Sigurimit i Kombeve të Bashkuara do të prezantohet raporti më i ri i Sekretarit të Përgjithshëm Ban Ki-Moon, për situatën në Kosovë.

Ban Ki-Moon në raportin e rregullt për Kosovën ftoi të gjitha palët që të përmbahen nga hapat e njëanshëm, të cilët mund të rrezikojnë përparimin e arritur në dialogun Kosovë-Serbi dhe ka apeluar që të mos ketë më ngritje të tensioneve, raporton Radio Europa e Lirë.

Situata e përgjithshme e sigurisë në veri të Kosovës në periudhën prej 16 prillit deri më 15 korrik, e cila përfshihet në raport, ka qenë kryesisht e qetë, por tensionet janë ngritur nga fundi i kësaj periudhe, thuhet në raport.

Kosova në Këshillin e Sigurimit do të përfaqësohet nga shefi i diplomacisë Enver Hoxhaj, ndërsa Serbia nga ministri i Punëve të Jashtme Vuk Jeremiç.
(s.g/e.m/BalkanWeb)

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›