E Diel, 1 Nëntor 2026

Këshilli i Sigurisë Kombëtare monitoroi çdo minutë situatën

Presidenti Topi viziton Obotin bashkë me ambasadorët Withers, Lohan dhe Montobbio

Këshilli i Sigurisë Kombëtare ka qenë në terren gjatë gjithë periudhës së emergjencës. Kështu ka deklaruar dje Presidenti i Republikës nga Oboti, fshati i parë i përmbytur nga shkarkimet e hidrocentraleve në zonën e Nënshkodrës. Presidenti Topi shkoi dje në zonë bashkë me krerët e tri selive diplomatike më të rëndësishme në Tiranë: ambasadorin amerikan Withers, atë të KE-së, Lohan, dhe spanjollin Montobbio, vendi i të cilit mban presidencën e radhës së BE-së.
Në një dalje para mediave, Presidenti Topi dha siguri se të gjitha dëmet në zonë do të përballohen nga shteti, ndërkohë që theksoi se Këshilli i Sigurisë Kombëtare, i drejtuar prej tij, ka monitoruar në çdo moment situatën e emergjencës që u krijua në zonë. “Siguria kombëtare u monitorua në çdo minutë të 24-orëshit dhe Këshilli i Sigurimit Kombëtar ka qenë në terren dhe ka monitoruar situatën në çdo moment”, tha Presidenti, ndërsa shtoi se kjo zonë do i kthehet normalitetit me ndihmën e strukturave të shtetit. “Shteti të bëjë të mundur që gjithçka të kompensohet. Jam i bindur që kompensimi do të jetë real në bazë të një gjykimi dhe profesional”, tha ai.
Kreu i shtetit u sqaroi gjithashtu gazetarëve se prania e ambasadorëve Withers, Lohan dhe Montobbio në zonën e përmbytjes është shprehje e solidaritetit të partnerëve të Shqipërisë për këtë situatë.
Ambasadori amerikan, John Withers, tha se qeveria e vendit të tij po shqyrton situatën dhe se sot do të mësohet mbi fazën e parë të asistencës që do të japë për Shqipërinë. “Qeveria ime, në të vërtetë është përqendruar në këtë situatë dhe ne nesër do të bëjmë me dije fazën e parë të asistencës që dëshirojmë të ofrojmë. Ajo do të pasohet me fazën e rikuperimit dhe rehabilitimin e banorëve”, tha Withers, i cili shprehu vlerësim për mënyrën se si e kanë përballuar këtë situatë banorët.
Ambasadori i Komisionit Europian, Helmut Lohan, tha se është ofruar ndihmë konkrete për zonat e përmbytura dhe se Bashkimi Europian ka shprehur gatishmërinë për të ndihmuar Shqipërinë në përballimin e situatës, duke dërguar grupet e ekspertëve dhe ndihmave konkrete. Ndërkohë, ambasadori spanjoll, Manuel Montobbio, përgëzoi shtetin shqiptar për mënyrën se si e përballoi situatën dhe popullin shqiptar për ndjenjën e lartë të solidaritetit.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›