Nis shpërndarja e certifikatave të legalizimeve
Drejtori i ALUIZNI-t, Memia, u bën thirrje pronarëve të objekteve informale, të paguajnë faturën
ALUIZNI ka shpërndarë rreth 5 mijë leje legalizimesh për ndërtimet informale në mbarë vendin. Gjatë shpërndarjes së një numri lejesh për ndërtime, që shtrihen në disa zona të vendit, drejtori i ALUIZNI-t, Shaban Memia, tha dje gjatë shpërndarjes së disa lejeve të legalizmit për disa objekte, se ka përfunduar dokumentacioni për rreth 150 mijë ndërtime në mbarë vendin.
"Është përgatitur dokumentacioni teknik dhe janë bërë përllogaritjet mbi detyrimet financiare për 12 297 objekte informale, një pjesë e poseduesve të të cilëve kanë nisur shlyerjen e detyrimeve",- tha Memia.
Ai bëri me dije se ky institucion ka nisur një fushatë ndërgjegjësimi që pronarët e ndërtimeve pa leje të paguanjnë detyrimet financiare, të cilat janë hapi i fundit për marrjen e lejes së legalizimit.
Ai e konsideroi faturën financiare si shumë simbolike, në krahasim me çmimet që ofron tregu i ndërtimeve në vend. Përveç ndërtimeve pa leje, Memia tha se është gati dokumentacioni për legalizimin e mbi 6600 apartamenteve dhe ambjenteve të tjera, të ngritura në ndërtimet pa leje.
Drejtori i ALUIZNI-t tha se, në të gjithë vendin janë identifikuar 270 mijë objekte, që përbëjnë 70% të ndërtimeve informale në vend. Në ceremoninë e shpërndarjes së lejeve të legalizmit, ishte i pranishëm edhe Kryeministri Berisha, që e cilësoi si jetik për ekonominë e vendit informalizimin e këtyre ndërtimeve.
"Reforma e pronësisë është reforma e themelit të sistemit që ne ndërtojmë. Në këtë aspekt, asnjë reformë tjetër nuk ka rëndësinë e saj", - tha Kryeministri Berisha.
Ai nuk nguroi të akuzonte Kryetarin e Bashkisë së Tiranës, se ka bllokuar legalizimin e shtesave pa peje në pallate, dhe ka mbajtur peng planin urbanistik të Tiranës. Procesi i shpërndarjes së lejeve të legalizimit do të vijojë në të gjitha qarqet dhe rrethet e Shqipërisë, sipas një kalendari të përcaktuar nga ALUIZNI.
Berisha: Investitorët kanë besim tek ekonomia jonë
Kryeministri Berisha deklaroi dje se Shqipëria nuk është në krizë ekonomike. Ai paraqiti gjatë mbledhjes së qeverisë tre argumenta, sipas të cilit, vërtetojnë se vendi ynë është larg saj. "Shqipëria është vendi me taksa më të ulëta në Europë, kemi rritje investimesh, ku vetëm në vitin 2008 qeveria ka investuar 32 për qind të buxhetit, si dhe mbështetja me kreditim e sektorit të ndërtimit",- tha ai.
Duke akuzuar opozitën, Kryeministri Berisha tha se ajo nuk mund të ndërtojë alternativën e saj mbi zinë e mjerimin e sajuar dhe mashtrimin se Shqipëria është në krizë ekonomike. Kryeministri renditi një sërë privatizimesh, si ai i OSSH-së, paketës së aksioneve shtetërore tek AMC-ja, etj., dhe marrjen e kredisë prej 250 milionë eurosh të sukseshshme dhe si tregues të besimit që kanë investitorët e huaj për vendin tonë.
Sipas Berishës, në kulmin e tronditjeve të mëdha financiare dhe ekonomike të planetit, në kohën kur kriza ka rikthyer nacionalizimet, në Shqipëri realizohen me sukses të plotë privatizimi i KESH-it, AMC-së dhe Shqipërisë i ofrohet një kredi 25 për qind më e madhe sesa njërit prej 5-6 vendeve më të mëdha të Europës dhe që është shumë herë më i zhvilluar se Shqipëria. "E gjithë kjo ka vetëm një shkak madhor, vetëm një shtyllë, dhe kjo është situata ekonomike e Shqipërisë", - tha ai.