Vlorë, një anije mallrash ngec në cekëtinë
Tragetet e linjës nuk janë nisur fare nga Brindizi për shkak të detit të trazuar që arrinte deri në shtatë ballë
VLORË - Moti i keq me erë të forë dhe reshje ka krijuar probleme të shumta në portin e Vlorës. Për një kohë të pacaktuar janë pezulluar lundrimet në këtë port, ndërkohë që nga kapiteneria mësohet se mjetet janë stacionuar në rad, deri në përmirësimin e kushteve të motit.
Tragetet e linjës që duhet të mbërrinin dje paradite në Vlorë, nuk janë nisur fare nga Brindizi dhe shkak ka qenë moti i keq dhe deti i trazuar, që arrin deri në 7 ballë. Aktualisht, një anije mallrash me ekuipazh ka dalë në cektinë, në afërsi të plazhit të vjetër në Vlorë.
Forcat e kapitenerisë kanë menduar të ndërhyjnë me rimorkiatorë për nxjerrjen e saj, ndërkohë që janë sinjalizuar mjetet e tjera lundruese të qëndrojnë në pritje.
Gjithsesi mësohet se anija "Nadi" do të duhet të presë sa të ketë një qetësim të motit, pasi rimorkiatori e ka të pamundur të ndërhyjë në cektinë kur deti është shumë i trazuar. Anija mësohet të ketë qenë pa ngarkesë dhe ka pasur destinacion Greqinë.
Në kapitenerinë e Vlorës pohojnë se nuk ka rrezik për ekuipazhin që është brenda, ndërsa nuk mund të flitet nëse ka dëmtim anija, apo jo, pasi kjo do të përcaktohet vetëm nga polumbarët kur të përmirësohet moti.
Rasti për anijet kur takojnë në tokë cilësohet një gjendje e rrezikshme, pasi vetë anijet janë parashikuar të jetojnë në një mjedis fluid dhe takimi me tokën i rrezikon.
Aleksandër Goga, kapiten i kapitenerisë së portit të Vlorës, pohon se janë 5 anije të tjera të cilat qëndrojnë në rad me spirancë. Sipas tij, janë njoftuar rreth orës 08:30 për ngjarjen me anijen "Nadi", një anije që transporton mallra të ngurtë, 3 000-tonëshe.
Anija me flamur shqiptar është pa ngarkesë dhe ka ngecur me bash në zonën ranore të plazhit të vjetër. Sipas tij, moti ka çorientuar gjithë trafikun detar, dhe jo vetëm në Shqipëri.
Gjithsesi, parashikimet janë për përmirësim të motit në zonën e gjirit të Vlorës. Fakti që nuk rrezikohet, ekuipazhi bën që përpjekjet e mëpasshme për nxjerrjen e anijes të bëhen sipas kontratave, marrëveshje që do të kalojnë financiarisht nëpërmjet pronarit të mjetit dhe administratorëve të rimorkiatorit.