E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vret vëllanë, e bën të duket si vetëvrasje

Vëllavrasja/ Dritan Skënderi akuzohet se në bashkëpunim me gruan ka qëlluar kundër vëllait të tij dhjetë ditë më parë

GJIROKASTËR- Vetëvrasja kthehet në vrasje. Dhjetë ditë pasi një shtetas nga fshati Lazarat humbi jetën, policia ka mundur të vërtetojë se bëhet fjalë për një krim brenda familjes, dhe jo për dhënie fund të jetës për shkak të depresionit dhe abuzimit me alkoolin.


Në pranga kanë përfunduar edhe të dyshuarit kryesorë për këtë vrasje, vëllai i viktimës dhe bashkëshortja e tij, Dritan Skënderi e Refike Gjini.


Shkak për vrasjen mësohet të ketë qenë një konflikt për motive të dobëta mes dy vëllezërve.


Ngjarja


Më datën 22 shkurt të këtij viti, 35-vjeçari Adriatik Skënderi nga fshati Lazarat humbi jetën si pasojë e plagëve të rënda të shkaktuara me armë zjarri. Policia u njoftua nga spitali rajonal "Omer Nishani" ku viktima kishte mbërritur i plagosur.

Po të njëjtën ditë, burimet zyrtare të policisë u shprehën se "duke marrë deklarimet e të pranishmëve në vendngjarje, të vëllezërve të tij dhe pas këqyrjes së vendit të ngjarjes në banesë në fshatin Lazarat, kishte rezultuar se Adriatik Skënderi, si pasojë e pijes alkolike dhe gjendjes depresive, kishte vrarë veten me armë zjarri.

Ngjarja ishte parë nga i vëllai, Dritani, i cili, sipas deklarimeve të dhëna ishte munduar ta parandalonte, por s'kishte mundur dot dhe për pasojë edhe ai ishte dëmtuar lehtë në krah. Ndërkaq nga policia u deklarua se do të vazhdonte hetimet për zbardhjen e plotë të shkaqeve dhe rrethanave që çuan në vetëvrasje.


Hetimet


Dhjetë ditë më pas, nga hetuesit u arrit të vërtetohet se gjithçka kishte rrjedhur ndryshe në familjen Skënderi.


Dyshimet e uniformave blu janë konfirmuar vetëm dje, kur të gjitha faktet dhe provat e mbledhura si nga këqyrja e imtësishme e vendit të ngjarjes, kufomës dhe nga informacionet e marra në rrugë operative ka rezultuar se Adriatiku nuk ishte vetëvrarë, por vëllai i viktimës së bashku me bashkëshorten ishin autorët e vrasjes.


Duket se vrasja, e kryer me një automatik model 56, ka ardhur pas një grindjeje të cilën policia e cilëson "për motive të dobëta" dhe të afërmit janë munduar ta fshehin atë dhe ta bëjnë të duket si vetëvrasje.


Burimet zyrtare të policisë u shprehën dje se kishin bërë ndalimin e Dritan Skënderit, 33 vjeç dhe bashkëshortes së tij Refike Gjini, 27 vjeçe, të dy lindur dhe banues në fshatin Lazarat. Sipas uniformave blu, ndalimi i bashkëshortëve ishte kryer pasi rezultoi se "më datën 22 shkurt rreth orës 00:15, shtetasi Dritan Skënderi në bashkëpunim me bashkëshorten e tij shtetasen Refike Gjini, ka vrarë me armë zjarri, pas një konflikti për motive të dobëta në oborrin e shtëpisë së tyre në fshatin Lazarat, vëllanë e tij shtetasin Adriatik Skënderi".


Dy të arrestuarit akuzohen për "vrasje me dashje të kryer në bashkëpunim. Burime të policisë shprehen se të marrë në pyetje ata e kanë pranuar autorësinë e vrasjes, ndërsa e kanë cilësuar atë në kushtet e vetëmbrojtjes.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›