E Hënë, 2 Nëntor 2026

Këshilltarët në fushatë elektorale,të varfërit pa ndihmë ekonomike

02/06/2005  Dështon mbledhja e Këshillit Bashkiak

DURRES - Të gjitha familjet, që presin të trajtohen në skemën e ndihmës ekonomike në Durrës, do të duhet të presin kohën kur këshilltarët të mblidhen për të miratuar fondin përkatës për këtë kategori.

Dje, mbledhja e këshillit të bashkisë është shtyrë, pasi nuk ka marrë pjesë më shumë se gjysma e numrit të përgjithshëm.

Në këtë mbledhje të radhës, krahas miratimit të fondeve për rikonstruksion të disa rrugëve, ishte planifikuar të diskutohet edhe projektvendimi për miratimin e ndihmës ekonomike të muajit prill.

Shtresa më në nëvojë e shoqërisë në Durrës e vuan një situatë të tillë në mënyrë të përsëritur, ndërsa janë të rralla rastet kur familjet përfituese marrin në kohë paratë e trajtimit ekonomik. Në të njëjtën mbledhje pritej të jepte dorëheqjen edhe një këshilltar socialist. Sipas drejtuesve të këshillit, anëtari Alush Xhihani, ish-kryetar i Zyrës së Regjistrimit të Pasurisë së Paluajtshme në Durrës, do t’i lërë vendin një socialisti tjetër, pasi ai ka kaluar pranë një KZZ-je.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›