Këshilltari i Tony Blair seminar për mediat në Tiranë
Shkrimtari, specialisti i komunikimit dhe strategu i njohur për rolin e tij si zëdhënësi i ish-kryeministrit britanik Tony Blair, Alastair Campbell, vjen nesër në Tiranë për të mbajtur një seminar mbi menaxhimin e krizave dhe marrëdhëniet me mediat. Specialistët e marrëdhënieve me publikun në Shqipëri do të kenë shansin të mësojnë nga përvoja e njeriut të quajtur si përkufizuesi i Marrëdhënieve publike në Britaninë e Madhe të paktën në 20 vitet e fundit.
Zëdhënësi i ish kryeministrit Blair, i cili së fundmi ka marrë përsipër përmirësimin e imazhit të Kosovës në arenën ndërkombëtare, në rolin e këshilltarit të kryeministrit Hashim Thaçi, do të ndajë çështje mbi komunikimin e krizave dhe marrëdhëniet me mediat. “Kjo është vizita ime e parë në Shqipëri dhe me padurim po pres që të ndaj njohuritë dhe ndodhitë e mia me kolegët shqiptarë. Komunikimi në situatë krize mund të jetë shpeshherë i koklavitur, por nëse zgjidhet strategjia e duhur do të dilni gjithnjë fitues”, - është shprehur rreth kësaj vizite të parë dhe ekskluzive në kryeqytetin shqiptar, Alastair Campbell.
Kjo vizitë e Campbell në Shqipëri përkon me lajmin se ai është zgjedhur si këshilltari i ri i kryeministrit Thaçi , për ta këshilluar në komunikimin strategjik, marrëdhëniet me publikun, në kuadër të planeve të qeverisë së Kosovës për reforma dhe për integrimin europian. “Alastair Campbell është ekspert mjafti njohur në këtë fushë dhe qeveria e Kosovës i ofroi rolin e Këshilltarit Special. Ai është mjaft i njohur për shqiptarët për shkak të rolit që qeveria e Tony Blair-it luajti në kundërvënien që i bëri pastrimit etnik të regjimit të Milosheviçit, dhe rolit që komunikimi luajti në këtë luftë”, thotë Kosta Petrov, CEO i agjencisë që organizon vizitën e Alastair-it në Tiranë.
Burime jozyrtare konfirmojnë se këshillat e tij do t’i kushtojnë Kosovës 250 mijë euro në vit. “Vizita e Alastair Campbell në Tiranë është eventi më i rëndësishëm në fushën e Marrëdhënieve me Publikun (PR), Komunikimit dhe Menaxhimit të Informacionit, që është organizuar ndonjëherë në vend. Campbell është personaliteti më i njohur i PR për të gjitha kohërat, dhe taktikat e tij të PR mësohen dhe trajtohen në shkollat më të njohura të botës” shton Eris Kasmi, drejtori i P World për Shqipërinë. Gazeta “Mapo” ka marrë përsipër rolin e partnerit për median të këtij aktiviteti të organizuar nga kompania “P World” me qendër në Dubai.
Box
Alastair Campbell është shumë i njohur për rolin e tij si zëdhënësi ish-kryeministrit britanik Tony Blair, sekretar shtypi dhe drejtor i komunikimit dhe strategjisë së tij për rreth 10 vjet. Në korrik të vitit 2007 ai botoi librin e tij të parë për kohën me Tony Blair-in, “The Blair Years” (Vitet e Blair-it), ekstrakte nga ditarët e tij nga viti 1994- 2003, i cili u shndërrua në bestsellerin numër 1 të menjëhershëm të Sunday Times. Ai është tanimë në proces të botimit katër vëllime të ditarëve të plotë. Vëllimi i tretë i ditarëve të Alastair Campbell mbulon periudhën nga maji 1999 në shtator 2001, nga lufta në Kosovë më 11 shtator. Ende aktiv në politikë, e ndan kohën e tij mes të shkruarit, të folurit publik, ngritjes së fondeve për bamirësi, politikë dhe fushata. Gazeta “Mapo” e ka vlerësuar e para dhe në kohë praninë në Tiranë të Alastair Cambell, shkrimtarit, komunikuesit, autorit të disa librave dhe strategut politik. Atij që sot është pa diskutim një nga personalitetet e marrëdhënieve me publikun dhe propagandës dhe kërkohet në të gjithë botën për të dhënë përvojën e tij në këto fusha.