Mjekët: Dajti rrezikon paralizë të përjetshme
Një grup mjekësh të QSUT-së kanë rekomanduar seanca fizioterapie dhe paterica për Dritan Dajtin, i paralizuar që prej vitit 2009. Avokati: Të gjitha institucionet i quajnë të drejta kërkesat, por ato mbeten të paplotësuara
Tiranë Dritan Dajti, i akuzuar për vrasjen e katër oficerëve të policisë në atë që njihet si masakra e 7 gushtit në plazhin e Durrësit, rrezikon të mbetet përjetë i paralizuar nëse nuk merr ndihmën e nevojshme mjekësore. Pohimi është bërë nga një grup mjekësh të Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” dhe mjekë të Spitalit të Burgjeve, të cilët pak kohë më parë kanë vizituar të pandehurin Dritan Dajti. Sipas tyre, gjendja shëndetësore e të paraburgosurit është tepër kritike, duke rrezikuar paralizën e përjetshme të tij. Si masë mjekësore, grupi i mjekëve ka rekomanduar seanca të vazhdueshme fizioterapie dhe paterica, të cilat mund të ndihmojnë të arrestuarin për të vënë në lëvizje muskujt. Përndryshe, sipas mjekëve, Dajti rrezikon atrofizimin total të muskujve dhe gjendje paralize që do të zgjatë përjetësisht. Ky konkluzion pohohet edhe nga avokati mbrojtës i Dajtit, Hasaf Hadëri, i cili thotë se rezultatet e konsultës mjekësore të kryera për rastin në fjalë u janë bërë të njohura edhe autoriteteve respektive. Sipas tij, menjëherë pas konkluzioneve mjekësore u janë dërguar kërkesat përkatëse Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, paraburgimit 302, Ministrisë së Drejtësisë dhe Avokatit të Popullit. Kërkesa në fjalë ka si objekt të saj pajisjen e të paraburgosurit Dritan Dajti me paterica dhe sigurimin e seancave të vazhdueshme të fizioterapisë. Të gjitha këto institucione e kanë vlerësuar si të drejtë kërkesën e mbrojtjes së Dajtit, e megjithatë, asnjë prej tyre nuk është plotësuar deri tani. Avokati Hadëri sqaroi se klienti i tij nuk del në ajrim që prej momentit të arrestimit të tij në vitin 2009, kur pas spitalit të burgjeve u transferua në paraburgimin 302 në kryeqytet. Duke qenë se qelia e Dajtit ndodhet në katin e dytë të paraburgimit, ai nuk mund të lëvizë dot për shkak se qëndron në një karrocë me rrota. Avokati thotë se edhe pse përgjigjet e institucioneve janë pozitive, ende nuk është plotësuar asnjë prej dy kërkesave. Dritan Dajti akuzohet nga Prokuroria për Krime të Rënda, si autor i vrasjes së katër oficerëve të policisë gjatë operacionit për arrestimin e tij në plazhin e Durrësit. Për këtë ngjarje, Dajti aktualisht është i pandehur në Gjykatën për Krime të Rënda. Seanca e djeshme gjyqësore në ngarkim të tij është shtyrë për mungesën e dy të pandehurve të tjerë që janë në këtë proces.