E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mundesia e dyte PE Rivleresimi i statusit para 2012-es

Dosja e Shqipërisë për statusin e vendit kandidat mund të ridiskutohet më parë, pa pritur raportin e vitit të ardhshëm. Brukseli zyrtar pohon se nëse gjërat shkojnë mirë për Shqipërinë, do të pritet një raport pozitiv në dhjetor ose në pranverë. Stefano Sanino drejtori i përgjithshëm për zgjerimin në Komisionin Europian dhe Hannes Svoboda, përfaqësues i grupit socialist në Parlamentin Europian thonë për “AS” se nëse Shqipëria bën progres në fushat e kërkuara, nuk do të pritet një vit për përgjigjen e rradhës për statusin e vendit kandidat.

“Nëse ne shohim se ka vullnet politik të mjaftueshëm dhe se situata evoluon drejt zbatimit të 12 prioriteteve, komisioneri Füle qartësisht nuk e përjashtoi që t’i drejtohet Këshillit të ministrave të BE-së më herët për Shqipërinë. Ajo që është e rëndësishme tani është fokusimi te puna që mbetet për të bërë.  Secili në Shqipëri, forcat politike dhe më gjerë duhet të kenë të qartë përmbushjen e 12 prioriteteve, zbatimin e tyre dhe më pas shansi për Shqipërinë që të ecë përpara bëhet një realitet”, tha Sanino.

“Une mendoj se janë mundësitë për të pasur një raport pozitiv në dhjetor ose në pranverë. Por është e qartë se dyja partitë duhet të bashkëpunojnë e të bëjnë një hap të madh përpara. Ka kaluar shumë kohë dhe tani është koha që të dyja partitë kryesore të arrijnë një marrëveshje të tillë. Partia Socialiste mbështet përpjekjet për të gjetur një marrëveshje me partinë e zotit Berisha. Të dyja partitë duhet të merren vesh. Tani është momenti për të bashkëpunuar”, tha Svoboda.

Komisioni Europian ndryshe nga viti i kaluar do të jetë fleksibël në rastin e Shqipërisë përsa i takon statusit të vendit kandidat. Refuzimi i statusit në rastin e Shqipërisë ishte paralajmëruar edhe më parë nga zyrtarë të lartë dhe deputetë europianë.

Gjovalin Kola

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›