Thirrjet për celulë të armatosur, OJF-ja nën hetim nga antiterrori
Antiterrori i ka përcjellë prokurorisë materiale për hetimin e themeluesve të shoqatës “Mbrojtja e të Drejtave Civile”, e cila pak ditë më parë njoftoi krijimin e një force të armatosur në mbrojtje nga diktatura
Tiranë Një shoqatë jofitimprurëse me seli në kryeqytet dyshohet se gjatë aktivitetit të saj ka kryer veprimtari antikushtetuese dhe ka tendenca radikale, për këtë arsye duhet të shpallet në kundërshtim me Kushtetutën e Shqipërisë. Ky është një pjesë e kallëzimit penal, që Policia e Shtetit ka depozituar pak ditë më parë në Prokurorinë e Tiranës ndaj shoqatës “Mbrojtja e të Drejtave Civile”. Lajmi konfirmohet nga burime të rezervuara të policisë, të cilat thanë se veprimtaria e kësaj shoqate të krijuar në vitin 2005, bie ndesh me Kushtetutën. Hetimet për drejtuesit e saj kanë nisur pas një njoftimi publik të shpërndarë pak ditë më parë, ku shoqata bënte thirrje për krijimin e Forcave Speciale Shqiponja, e cila sipas tyre do të mbrojë qytetarët e saj nga diktatura në pushtet. Në këtë çështje mësohet se janë përfshirë specialistë të antiterrorit, krimeve kompjuterike dhe struktura të tjera që kanë si detyrë garantimin e sigurisë kombëtare. Sipas materialeve të mbledhura në vazhdimësi për këtë shoqatë, specialistët e angazhuar me çështjen kanë arritur në përfundimin se veprimtaria e saj duhet hetuar si shoqatë antikushtetuese dhe me tendenca radikale. Ditët e fundit, nëpërmjet adresës zyrtare të “Mbrojtja e të Drejtave Civile” është shpërndarë një e-mail, i cili bën thirrje për rekrutimin e vullnetarëve që dëshirojnë t’i bashkohen njësisë së armatosur me emrin “Forcat Speciale Shqiponjat”. “Kjo Forcë Speciale do të shërbejë për të mbrojtur qytetarët shqiptarë nga dhuna në rritje e Diktaturës së Sali Berishës. Pjesëmarrja në këtë Forcë Speciale është vullnetare”,- thuhet në njoftimin publik të dërguar pak ditë më parë nga stafi i shoqatës. Sipas njoftimit, të gjithë vullnetarët që do të pranojnë të jenë pjesë e kësaj force, do të armatosen me armë të kalibrave të ndryshëm, të gatshëm për të ndërhyrë në çdo lloj situate. “Kjo Forcë Speciale do të krijojë degët e saj në të gjithë Shqipërinë. Shoqata jonë garanton siguri të plotë të anonimatit”- thuhet më tej, ndërsa bashkëngjitur me njoftimin është dërguar edhe formulari i aplikimit për t’u bërë pjesë në këtë grupim të armatosur. Këto thirrje kanë shqetësuar zyrtarët e policisë së Tiranës, të cilët kanë filluar menjëherë hetimet për OJF-në e mësipërme, e cila dyshohet se mund të përfshihet në akte radikale. Sipas të dhënave zyrtare, drejtues i kësaj shoqate rezulton të jetë një gazetar me banim jashtë vendit. Gjithashtu, si bashkëthemelues të shoqatës “Mbrojtja e të Drejtave Civile” janë edhe tre gazetarë të tjerë. Mësohet se veprimtaria e shoqatës në fjalë është mbajtur në vëzhgim që prej 21 janarit të këtij viti. Menjëherë pas kësaj ngjarjeje, sipas denoncimit të bërë në prokurori, “Mbrojtja e të Drejtave Civile” publikoi në faqen e saj zyrtare publikime antikushtetuese, sipas një vlerësimi të bërë nga ekspertët e antiterrorit në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë. Më 21 janar, sipas të dhënave në faqen zyrtare, shoqata shkruan se po vritet populli shqiptar. Ky citim është shoqëruar edhe me video të protestave të opozitës, shumica e të cilave kanë qenë të komentuara në gjuhën angleze. Gjatë kësaj kohe, shoqata “Mbrojtja e të Drejtave Civile” ka qenë e angazhuar duke sjellë reagimin e saj për të gjitha çështjet delikate, që sipas drejtuesve të kësaj organizate përfshihen në programin e punës. Marrëveshja e ujërave me Greqinë, regjistrimi i popullsisë, vendimi i Gjykatës Kushtetuese për shfuqizimin e dy neneve të ligjit “Për Gjendjen Civile”, kanë qenë disa prej çështjeve prioritare, për të cilat ka pasur reagime nga ana e drejtuesve të kësaj shoqate, e cila pritet t’i nënshtrohet një hetimi të plotë nga Prokuroria.