Konflikti për pronën, vritet 40-vjeçari, plagoset vëllai i tij
Një 40-vjeçar është vrarë dhe vëllai i tij është plagosur në rrugën “Don Bosko” në Tiranë, pas një konflikti për pronën. Krimi i rëndë ndodhi pasditen e djeshme, kur Edmond dhe Ardian Salibasha janë goditur me katër të shtëna pistolete nga Ronald Laçej, 35 vjeç, i cili është arrestuar rreth katër orë pas vrasjes. Dëshmitarë në vendin e ngjarjes i thanë “MAPO”-s se dy vëllezërit Salibasha janë dërguar n gjendje të rëndë shëndetësore në spitalin Ushtarak, por Ardiani nuk ka mundur t’u mbijetojë plagëve, edhe pas ndërhyrjes kirurgjikale. Para të shtënave të pistoletës, i dyshuari si autor i krimit dhe dy vëllezërit Salibasha kanë debatuar gjatë, madje janë përleshur për pak minuta me grushta mes tyre. Motivi i mosmarrëveshjeve të tyre duket se ka qenë një kontratë për shitje banese. Sipas burimeve të policisë, dy vëllezërit Salibasha kanë në pronësi një vilë trekatëshe pranë kompleksit të pallateve në “Don Bosko”. Në vitin 2007, ata kanë nënshkruar një kontratë, ku i kanë shitur Roland Laçejt katin e tretë të vilës dhe kanë lidhur kontratën për vlerën e shitjes, në shumën e 47 mijë eurove. Laçej ka paguar 30 mijë euro në momentin e lidhjes së kontratës dhe ka rënë dakord të paguante brenda një viti shumën e mbetur prej 17 mijë eurosh. Blerësi Laçej duket se nuk e ka respektuar këtë kontratë dhe ka zgjatur pagesën e 17 mijë eurove të mbetura për më shumë se katër vite. Pasi ka dështuar të zgjidhë këtë mosmarrëveshje, Edmond Salibasha ka bërë padi ndaj tij në mars dhe shtator të vitit 2011 për të zgjidhur përfundimisht kontratën dhe për t’i kthyer Laçejt 30 mijë eurot e paguara, në këmbim të largimit të këtij të fundit nga kati i tretë i vilës. Kalimi i mosmarrëveshjes në gjyq ka tensionuar marrëdhëniet mes fqinjëve dhe për më shumë se një vit ata kanë debatuar shpesh mes tyre, ndërsa jetonin në të njëjtën godinë trekatëshe. Kulmi i debateve është shënuar ditën e djeshme, kur rreth orës 19:00, pasi janë goditur dhe sharë me njëri-tjetrin, dy vëllezërit Salibasha dhe Laçej e kanë çuar mosmarrëveshjen në një konfrontim të egër. Më pas, 35-vjeçari Laçej, i dyshuar nga policia si autor i sulmit me armë ka shtënë katër herë ndaj dy vëllezërve. Burime nga Spitali Ushtarak në Tiranë konfirmuan dje se njëri prej vëllezërve të plagosur po luftonte për të mbijetuar pas plagëve të marra. Pas plagosjes, dy vëllezërit janë transportuar në spital përpara se policia të mbërrinte në vendngjarje, ndërsa autori i dyshuar, Ronald Laçej është larguar me vrap nga vendi i krimit. Autorësinë e Laçejt e kanë mbështetur dje në deklarimet e bëra në polici nga të afërmit e dy vëllezërve, një pjesë e të cilëve kanë parë të gjithë skenën. Vrasësi i dyshuar ka lënë pistoletën në vendin e krimit dhe është larguar nëpër rrugica, vetëm 4 minuta para mbërritjes së policisë,. Dëshmitarë pranë vendit të ngjarjes thanë dje se vrasësi i dyshuar kishte shenja gjaku në fytyrë dhe bluzën e grisur dhe vraponte ngadalë e dukej në gjendje të traumatizuar. Policia e Tiranës ka nisur dje kërkimet ndaj 35-vjeçarit të dyshuar, i cili mendohet se mund të jetë ndihmuar nga persona të njohur pasi ka kryer plagosjen e rëndë të dy vëllezërve Salibasha. Policia e arrestoi atë dje në mbrëmje, rreth 4 orë pas krimit dhe pak minuta pasi një nga viktimat e tij kishte ndërruar jetë.
Rrëfimi i të vëllait: Vrasësi më tha se pistoleta ishte prej lodre
Alfred Salibasha është vëllai i tretë, i cili është përfshirë në momentet e fundit dhe momentet më fatale të sherrit mes vëllezërve të tij dhe të dyshuarit Laçej, i cili është shpallur në kërkim. Alfredi tregon se ka parë vrasësin që ka shtënë mbi dy vëllezërit e tij dhe porsa ai ka shkuar për ta ndalur, vrasësi i ka drejtuar dhe atij pistoletën dhe e ka goditur, ndërsa pasi ka neutralizuar vrasësin provizorisht, ky i fundit i ka thënë se pistoleta ishte prej lodre.
Çfarë patë kur u afruat pranë vendit të ngjarjes?
Pashë Edmondin dhe Ardianin që po përlesheshin me autorin. Në një moment shikoj autorin që nxjerr një pistoletë dhe dëgjoj të shtënat. Turrem drejt tij, ai godet dhe në drejtimin tim me pistoletë, por unë iu shmanga drejtimit dhe i kapa dorën. Në këtë moment ai më thotë: “Është pistoletë prej lodre, është prej lodre, është kot, nuk kam bërë gjë mos ki merak”. E pastaj e kam goditur, e godita në mes dhe e shtriva përtokë. Kur ishte përtokë e kam goditur me grushte dhe në një moment shoh vëllanë tim Edmondin që bie përtokë, vrau dhe kokën se ra shumë keq. Aty kam shkuar menjëherë drejt tij dhe pashë që ra dhe Ardiani në tokë.
Pastaj, ç’ndodhi?
Në momentin që shkova pranë vëllezërve të rrëzuar, autori ka lënë pistoletën aty dhe është larguar me vrap nga rrugica që të nxjerr në rrugën kryesore të “Don Bosko”-s. Nuk e pashë që iku dhe s’e kisha fare mendjen tek ai, pasi pashë vëllezërit shtrirë dhe mendova si t’i transportoja vëllezërit në spital.
Si nisi sherri mes tyre?
Ata prej kohësh kanë debatuar, pasi vëllezërit i kanë kërkuar të lirojë shtëpinë për shkak se nuk kishte bërë pagesën e plotë sipas kontratës. Shpeshherë, autori ka provokuar madje ka derdhur dhe acid nga kati i tretë drejt tendës së katit të dytë. Ne kemi pasur gjyqin me të, pasi kemi kërkuar ta zgjidhim në rrugë ligjore në gjykatë këtë çështje.
Beteja gjyqësore, palët prej dy vitesh ishin në gjyq për kontratën e shtëpisë...
Dy vitet e fundit, Edmond Salibasha dhe Ronald Laçej janë përballur në gjykatën e Tiranës lidhur me mosmarrëveshjet që kishin për pagesën e katit të tretë të shtëpisë. Gjatë vitit 2011 Edmond Salibasha dhe bashkëshortja e tij kanë bërë 2 padi në gjykatë paralelisht me çështjen që po gjykohej, të dyja paditë janë pushuar. Padia e parë është bërë nga Edmond Salibasha, i cili kërkonte lirimin e menjëhershëm të shtëpisë prej Laçejt, kjo kërkesë u hodh poshtë nga gjykata me pretendimin se çështja ishte duke u gjykuar nga një tjetër gjykatës. Më pas në shtator 2011 bashkëshortja e Edmond Salibashës ka ripërsëritur kërkesën dhe përsëri kërkesa u hodh poshtë nga Gjykata e Tiranës. Aktualisht gjyqi për zgjidhjen e mosmarrëveshjes kontraktuale mes palëve është në gjykim që prej një viti e gjysmë në Gjykatën e Tiranës dhe ende nuk ka përfunduar. Paditës Ronald Laçej, i paditur Edmond Salibasha Padia e bërë nga Salibasha në mars të këtij viti synonte ndërprerjen e menjëhershme të kontratës me Laçejn dhe lirimin e ambienteve prej këtij të fundit. “Padia kërkon përmbushjen nga i padituri i detyrimit që rrjedh nga akt marrëveshja noteriale nr.7688 Rep, nr.1686 Kol, datë 07.12.2007, kalimi i pronësisë së apartamentit dy dhoma e një kuzhinë e ambiente të tjera ndihmëse në katin e dytë të vilës trekatëshe që ndodhet mbi truallin me sipërfaqe 257 m2 zk 8310, nr. Pasurie 6/453 vol.13 faqe 8 ZVRPP Tiranë kundrejt pagimit të vlerës së mbetur 17.000 euro. Sigurimin e padisë duke bllokuar në ZVRPP Tiranë për shitjen, dhurimin apo çdo lloj disponimi nga i padituri të pasurisë truall me sipërfaqe 257 m2, zk.8310, nr. Pasurie 6/453 vol. 3 faqe 8 dhe të ndërtesës mbi truall”, shkruan vendimi i ndërmjetëm i Gjykatës së Tiranës, i cili nuk e shqyrtoi më vete këtë padi pasi një tjetër gjykatës po shqyrtonte të njëjtën çështje që prej vitit 2010.