E Shtunë, 31 Tetor 2026

Menduh Thaçi largohet nga takimi i katërshes partiake

 

Në Maqedoni nisi fushata parazgjedhore për zgjedhjet presidenciale dhe lokale të 22 marsit. Drejtuesit e partive politike shqiptare kanë shprehur në media angazhimin e tyre për fushatë të qetë, pa incidente dhe zgjedhje demokratike. Ali Ahmeti, Kryetar i BDI-së, Menduh Thaçi, Kryetar i PDSH-së dhe Imer Selmani, Kryetar i Demokracisë së Re, pak para mesnatës së mbrëmshme fillojnë zyrtarisht fushatën 20 ditëshe parazgjedhore. Drejtuesit e katër partive kryesore në vend, dy shqiptare dhe dy maqedonase, kanë mbajtur edhe një takim, pas të cilit kanë apeluar te të gjithë qytetarët e Maqedonisë që të kontribuojnë maksimalisht me sjelljen e tyre, për mbajtjen e zgjedhjeve korrekte. Takimi i katër udhëheqësve në Shkup, Nikolla Gruevskit, Ali Ahmetit, Zoran Zaevit dhe Menduh Thaçit ka pasur për qëllim organizimin sa më të mirë të procesit zgjedhor. Por Kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare, Menduh Thaçi u largua më herët nga takimi, duke shprehur pakënaqësinë e tij për shkak se nga ana e gjykatave ndiqen vetëm aktivistët e partisë së tij dhe jo edhe të partisë së Ali Ahmetit, Bashkimit Demokratik për Integrim, të cilët po ashtu duhet të përgjigjen për incidentet e zgjedhjeve të vitit të kaluar. Thaçi ka thënë se pas veprimeve të tilla qëndron marrëveshja mes Kryeministrit Gruevski dhe partnerit të koalicionit qeverisës Ali Ahmeti, për ta dëmtuar PDSH-në, gjë që është mohuar nga Kryeministri Gruevski. Në këto zgjedhje për postin e kryetarit të shteti konkurrojnë shtatë kandidatë, prej të cilëve tre janë shqiptarë; Agron Bxhaku nga BDI-ja, Mirushe Hoxha nga PDSH-ja dhe Imer Selmani nga Demokracia e Re. Por sipas zyrtarëve të BDI-së, Partia Demokratike Shqiptare nuk do të lejohet të sillet si viktimë e procesit zgjedhor të vitit të kaluar, por kjo çështje i duhet lënë gjykatave. BDI i ka kërkuar PDSH-së të mos i përgjithësojë problemet e brendshme partiake.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›