Mjekët në protesta më të ashpra
Greva e punëtorëve të shëndetësisë në Kosovë ka hyrë në ditën e shtatë, pa ndonjë paralajmërim për arritjen e marrëveshjes ndërmjet qeverisë dhe grevistëve. Por greva mund ta ndërrojë formën, duke u bërë më e ashpër, pasi përfaqësues të Federatës Sindikale të Shëndetësisë së Kosovës, në një takim me gazetarë, paralajmëruan mundësinë e nisjes së protestave në shtatë qendra të Kosovës. “Në rast se nuk përmbushen kërkesat tona, Kryesia e ngushtë e federatës, do t’i propozojë nesër kryesisë së gjerë për mundësinë e ndërrimit të formës së grevës”, tha për RTK nënkryetari i Federatës Sindikale të Shëndetësisë së Kosovës, Jahir Mullolli. Kryesia e ngushtë e federatës do t’i propozojë sot kryesisë se zgjeruar mundësinë e fillimit të protestave në shtatë qendra të Kosovës – në Prishtinë, Prizren, Gjakovë, Pejë, Mitrovicë, Gjilan dhe në Ferizaj. Në rast se qeveria nuk do të ndërmarrë ndonjë hap për plotësimin e kërkesave për ndërprerjen e grevës, Mulolli është i bindur se greva do të vazhdojë.