"Kështjella", shtyhet gjyqi për masën e sigurisë
Prokuroria e Krimeve të Rënda ka shtyrë komunikimin e akuzave ndaj të arrestuarve gjatë operacionit "Kështjella". Burime nga grupi hetimor thanë se ata janë ndaluar zyrtarisht ditën e shtunë pasdite dhe si rregull duhet të dilnin para gjykatës dje. Prokuroria nuk ka dhënë një shpjegim për shtyrjen e zhvillimit të kësaj mase, ndërsa jo zyrtarisht deklarohet se kanë vazhduar verifikimet për këtë grup. Të arrestuarit shqiptarë janë marrë në pyetje nga hetuesit e çështjes dhe kanë mohuar akuzat në mënyrë kategorike, duke deklaruar se nuk kishin kurrfarë dijenie për 40 kilogramë heroinë, që u është sekuestruar tre shtetasve gjermanë. Hetuesit deklarojnë se dy të arrestuarit nga Qarku i Fierit janë marrë në pyetje edhe për disa verifikime që nuk kanë lidhje me trafikun e drogës. Dy biznesmenët fierakë janë arrestuar bashkë me tre gjermanë për trafikimin e 40 kilogramëve heroinë. Çështja e tyre është hetuar nga Krimet e Rënda, të cilat, në bashkëpunim me policinë, realizuan operacionin "Kështjella". Sipas hetimeve, gjatë marrjes në pyetje, shqiptarët Albert Pëllumbaj dhe Zaim Tafa, përkatësisht 40 dhe 45 vjeç, deklaruan se nuk kishin dijeni për drogën. Ata janë shprehur se disa vite më parë kanë qenë në Gjermani, ku janë njohur me tre gjermanët e arrestuar bashkë me ta, Daniel Enlert, Franz dhe Regina Kiacsek.