E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prençi: Vrasja e deputetit Xhindi ka vetëm një autor

Prençi: Vrasja ka vetëm një autor

Rrëfimi i kryepolicit, nga vrasja e deputetit Xhindi, te trafiku ndërkombëtar i drogës

Deputeti Fatmir Xhindi është vrarë nga një person i vetëm. Është vërtetuar se qesja dhe pakoja e aspirinave i përkasin autorit, megjithëse se ende po punojmë për mbledhjen e sa më shumë provave për të dyshuarin e ngjarjes së rëndë. Kështu ka rrëfyer mbrëmë kreu i policisë shqiptare, Ahmet Prençi, në emisionin televiziv "Opinion", duke dhënë detaje të reja se deri ku kanë shkuar hetimet për këtë rast. Në rrëfimin e tij, ai ka treguar se janë pyetur mbi 30 persona që mund të kenë dijeni për rrethanat e ngjarjes, duke treguar kujdes për të mos nxjerrë informacione që mund të dëmtojnë hetimin.

Gjatë fjalës së tij, Prençi ka rrëfyer se është njoftuar për ngjarjen e rëndë që në momentin kur një punonjës policie ka parë duke lëvizur me shpejtësi makinën me shpejtësi drejt Fierit. "Aty kam mësuar se deputeti është plagosur dhe është nisur drejt spitalit. Sipas informacionit, është ndaluar fuoristrada e deputetit, brenda së cilës ndodheshin familjarët e tij dhe djali ishte në timon. Ata i kanë treguar policit rrugor se çfarë kishte ndodhur. "Unë vura në dijeni ministrin dhe u njoftua edhe Kryeministri", ka shpjeguar Prençi. Më tej, ai shpjegoi se fillimisht është nisur grupi i Krimeve të Rënda për në vendngjarje dhe është kërkuar që të merret sa më shumë informacion nga vëllai i tij, që e kishte shoqëruar në spital. Më pas, sipas tij, ka nisur puna, duke kryer veprimet hetimore me ekspertët mjekoligjorë dhe është siguruar vendi i ngjarjes për të bërë këqyrjen e hollësishme dhe fiksimin e çdo gjurme. Në vendngjarje kanë vazhduar veprimet deri të nesërmen. I pyetur nëse ka pasur gjurmë të dukshme, Prençi u shpreh se një tabletë me aspirina dhe një qese plastike që janë gjetur në vendngjarje mendohet se janë të autorit. "Madje, në ekzekutimin e viktimës ka qenë një autor. Tashmë kemi hetuar edhe veprimtarinë ditore të deputetit, që nga momenti që ka dalë nga shtëpia deri kur është kryer ngjarja. Ka dalë nga shtëpia dhe ka vazhduar veprimtarinë private në një fshat, ku kishte disa prona. Në orën 19:20 është kthyer për në shtëpi. Ka ndaluar e qëndruar në një lokal për pak kohë. Më pas, ka shkuar në shtëpi, porta ka qenë e hapur. Sapo ka dalë nga mjeti i tij, mbrapa kurrizit, nga pjesa e bagazhit është qëlluar me armë automatike. Fillimisht, autori ka qenë 7-8 metër larg dhe më pas është afruar me shpejtësi. Viktima ka gjashtë plumba në trup, ndërsa janë gjetur 15 gëzhoja", deklaroi Prençi. Ndërsa në lidhje me bashkëpunëtorë të tjerë, Prençi shpjegoi se ata vetëm mund kenë ndihmuar në largimin e ekzekutorit.

Më tej, Prençi ka folur edhe në lidhje me sinjalizime për rrezikimin e jetës së deputetit. Ai ka shpjeguar se nuk ka pasur asnjë ankim nga ana e tij, por edhe policia nuk ka pasur asnjë informacion operativ apo nga shërbimi sekret. "Ne kemi detyrë për të mbrojtur çdo qytetar shqiptar, e për më tepër një deputet, por nuk kemi pasur asnjë informacion për rrezikun që kanosej ndaj jetës së tij. Në këto kushte, përgjegjësia dhe puna e policisë ka nisur vetëm pasi është marrë informacioni se ai është vrarë", është shprehur kreu i policisë shqiptare, pasi është pyetur për përgjegjësinë e uniformave blu për parandalimin e këtij krimi.

Ndërsa për pistat e hetimit, drejtori i Përgjithshëm deklaroi se kanë qenë të shumta, por që me kalimin e kohës ato janë pakësuar. "Grupe të tëra pune, janë marrë me mbledhje informacioni, analizim të tij, mbledhje provash shtesë, e administrim të dhënash. Në këtë punë, shumë pista, të cilat nuk mund t‘i bëj publike për shkak të hetimit, janë përjashtuar dhe ka mbetur për analizim një numër shumë i vogël i tyre. Deri tani janë marrë në pyete 230 persona dhe puna e policisë ka përparuar. Megjithatë nuk mund të them motivin e saktë të ngjarjes, për arsye se kështu do t‘i thosha autorit se unë po vij të të arrestoj", deklaroi Ahmet Prençi, duke mos pranuar të tregojë edhe nëse deputeti Xhindi ka pasur probleme pronësie apo jo. "Nga telefonatat kemi marrë informacione të ndryshme që po i verifikojmë", ka shtuar më tej kreu i policisë. Kur është pyetur nëse në telefon, kundrejt shpërblimit 250 mijë euro, është dhënë një emër vrasësi, Prençi ka siguruar se, edhe nëse është dhënë, do mblidhen provat që arrestimi i tij mos të jetë i pavlerë dhe të dërgohet para drejtësisë sa më parë.

Më tej, kreu i policisë ka kaluar në një tjetër sferë të krimit, duke shpjeguar se qyteti i Fierit ka qenë problematik për sa i përket kriminalitetit, sidomos për trafikun e drogës. "Madje, vetëm pak ditë më parë u godit një grup, ku ishin edhe tre gjermanë që merreshin me trafikun ndërkombëtar të drogës", u shpreh në intervistën e tij.

Historitë e vrasjeve në Roskovec e rrethina

Në vitin 1997, në fshatin e deputetit Xhindi u vra një komisioner demokrat

Pas vitit 1990, një sërë vrasjesh misterioze kanë ndodhur në Roskovec dhe rrethinat e tij. Edhe pse një qytezë e vogël, banorët e zonës kanë parë skena makabre vrasjesh dhe ekzekutimesh. Shumë prej tyre kanë mbetur pa u zbardhur dhe pa asnjë autor, ndërkohë që banorët e zonës ende i përflasin. Në biseda të ngushta nxjerrin detaje të konflikteve që kanë shoqëruar këto ngjarje. Edhe pse një qytet transit, Roskoveci konsiderohet si një zonë që konfliktet e mëdha nuk i ka importuar nga qytete a zona të tjera, por kanë lindur aty. Vrasja e deputetit Fatmir Xhindi nuk është ekzekutimi i vetëm që shoqëron situatën parazgjedhore në këtë zonë që ndodhet vetëm 12 km larg Fierit e që shtrihet përgjatë rrugës kombëtare Fier-Berat. Kujtojmë se në zgjedhjet e qershorit të vitit 1997, nga ku doli fitues deputeti Fatmir Xhindi, kryetari i Komisionit të Qendrës së Votimit në fshatin Kurjan është vrarë me breshëri kallashnikovi. Burhan Misiri, babai i tre fëmijëve, aktivist i Partisë Demokratike dhe përfaqësues i kësaj force politike në zgjedhjet e 29 qershorit u vra gjatë procesit zgjedhor. Persona me maska, që thuhet se kanë qenë në një automjet me ngjyrë të zezë, kanë qëlluar në drejtim të Misirit, duke i shkaktuar atij vdekjen e menjëhershme. Kjo ngjarje ekziston ende si dosje në Policinë e Fierit, e cila e ka konsideruar si ngjarje të vjetër dhe ende nuk ka një autor. Mësohet se dy vjet më parë, policia e ka nxjerrë për rihetim, por nuk ka mundur të gjejë prova të reja. Policia tregohet shumë e kyçur për ecurinë e hetimit të dosjes së vrasjes së komisionerit të PD-së, Burhan Misiri. Sërish e njëjta zonë, Roskoveci, por 12 vjet më pas, në prag të zgjedhjeve shoqërohet me vrasje të një personi të veshur me pushtet politik, siç ishte deputeti Fatmir Xhindi. Tri ditë pas ngjarjes, kur ende nuk ka autor, policia nuk e përjashton mundësinë e hetimit edhe të një piste politike. Përballë pamundësisë për të nxjerrë një autor për ekzekutimin e Fatmir Xhindit, policia mësohet se ka nxjerrë nga sirtarët edhe dosjet e vrasjeve të vjetra që kanë ndodhur në këtë zonë, me qëllim krahasimin e rrethanave të tyre me ato të së shtunës mbrëma, kur mbeti i vdekur me 9 plumba deputeti i zonës, Fatmir Xhindi.

Pyeten kushërinjtë e Fatmir Xhindit

Hetuesit kanë dashur të mësojnë ku ndodheshin ata në momentin e vrasjes

Vishet me më tepër mister vrasja e deputetit të Partisë Socialiste në zonën Nr. 68, Fatmir Xhindi. 72 orë pas ngjarjes, Policia e Shtetit ende nuk ka një autor dhe një motiv të qartë të atentatit. Një ditë më parë, nga grupi i hetimit është deklaruar për një autor të dyshuar, i cili ka dalë pas analizimit të njërës nga provave të vendit të ngjarjes, pakos së aspirinave. Mësohet se mbrëmjen e kaluar banesa e tij është rrethuar, por provat nuk kanë qenë të mjaftueshme për të shkuar në arrestimin e tij. Burime nga grupi i hetimit tregojnë për gazetën "Shqip" se personit të dyshuar si autor i vrasjes, emri i të cilit mbahet sekret për arsye hetimi, po i përgjohet telefoni. Madje, edhe familjarëve të tij po u përgjohen telefonatat. Burimet nga grupi i hetimit pohojnë se nga zbardhja e tabulateve të telefonatave të kryera nga personi i dyshuar, nuk ka dalë asgjë komprometuese, ndërsa pritet që në orët në vazhdim të ketë diçka më konkrete për të. Gjatë gjithë orëve të para të ditës së djeshme, policia dhe grupi i hetimit kanë shqyrtuar deklarimet e dhëna nga 31 dëshmitarët e parë. Mëngjesin e së martës, rreth orës 08.15 minuta tre furgonë të FNSH-së (Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë), katër automjete të mbushura me policë, si dhe shumë makina civile me policë kanë udhëtuar sërish drejt Roskovecit. Sipas burimeve zyrtare të Drejtorisë së Policisë së Qarkut, grupi i hetimit, për herë të parë që pas vrasjes së deputetit të shtunën, ka mundur të marrë dëshmi më të gjata të të afërme të deputetit. "Kushërinjtë e parë të tij, gjashtë prej tyre, janë pyetur e ripyetur gjatë ditës së djeshme. Nga ata janë marrë deklarime për vendndodhjen e ditës së shtunë, si dhe marrëdhëniet që kishin me deputetin e vrarë. Po ashtu, gjatë ditës së djeshme është marrë në pyetje edhe vëllai Iliri, që e transportoi natën e vrasjes, Fatmir Xhindin drejt Spitalit Rajonal të Fierit", thonë për "Shqip" burime nga grupi i hetimit. Të gjithë anëtarët e grupit të hetimit, gjatë së martës, kanë rishqyrtuar tezat dhe informacionet e tyre, por mësohet se nuk kanë dalë ende në një pistë të saktë dhe me autor përfundimtar. Nuk është lënë as dje asnjë livadh, shteg apo masiv me shkurre pa u kontrolluar me qëllim gjetjen e armës apo të ndonjë gjurme tjetër të vrasësit. Dje mësohet se është shqyrtuar nga grupi i hetimit gjurma e ndjekur nga dy qentë policorë. Bëhet e ditur se të dy qentë kanë treguar se vrasësi është larguar nga një rrugë që ndodhet në lindje të lagjes, ku banonte dhe u vra Fatmir Xhindi. Rruga është një rrugë me kalldrëm, nga ku mësohet se autori ka ikur duke hipur në automjet. Burime të tjera nga grupi i hetimit tregojnë se përveç personit të dyshuar që u zbulua nga pakoja e aspirinave, ekzistojnë dyshimet edhe tek dy persona. Trajtimi i skenës së ngjarjes, i provave të pakta, por dhe i rrugës që mendohet se ka ndjekur autori, e çojnë policinë në dyshimin se vrasja mund të jetë kryer nga një person që e njeh mirë zonën.

Qysh prej mbrëmjes të së shtunës e deri dje, ditë dhe net të lodhshme kanë qenë për grupin e hetimit, si dhe për uniformat blu që janë ende në gjendje gatishmërie. Edhe dje, Roskoveci dhe Fieri kanë qenë të blinduar dhe pothuaj në gjendje shtetrrethimi. Me dhjetëra uniforma blu, automjete policore, agjentë civilë të policisë vijojnë të jenë të shpërndarë në qytezën e Roskovecit si dhe në fshatin Kurjan, ku dyshohet se ka lindur edhe konflikti që ka shkaktuar ekzekutimin e deputetit 49-vjeçar.

Aksioni

Policia shoqëron dhjetë

të tjerë në mbrëmje

Forcat e policisë janë rikthyer në Roskovec dhe në Kurjan dje në mbrëmje, ku kanë shoqëruar dhjetë persona. Burimet policore sqaruan se të shoqëruarit janë njerëz që mund të kenë dijeni për motivet dhe autorët e vrasjes së deputetit të Partisë Socialiste, Fatmir Xhindi. Burimet policore saktësuan se mes të shoqëruarve nuk ka persona të dyshuar si autorë të krimit, por hetuesit mendojnë se këta persona nuk kanë treguar ende të gjitha ato që dinë për aktivitetin dhe konfliktet e deputetit socialist. Mësohet se pasi janë marrë në pyetje, të dhjetë të shoqëruarit janë rikthyer në shtëpitë e tyre, në orët e vona të natës.

Hetimet

Takimi për zbardhjen e vrasjes së deputetit të PS-së. Supergrup hetimor për ngjarjen

"Xhindi", Ina Rama takon krerët e SHISH-it

Kryeprokurorja Ina Rama ka takuar dje në mesditë krerët më të lartë të Shërbimit Informativ Shtetëror (SHISH) për të bashkëpunuar për zbardhjen e ekzekutimit të deputetit të PS-së Fatmir Xhindi. Hetimet e Prokurorisë së Krimeve të Rënda janë ballafaquar me informacionet e Shërbimit Sekret dhe më pas janë analizuar të gjitha provat. Lajmi bëhet i ditur nga burime konfidenciale pranë akuzës qendrore, të cilat saktësuan se në takim kanë marrë pjesë edhe prokurorë dhe hetues të çështjes, të cilët kanë shkëmbyer prova me "spiunët". Takimi ka zgjatur disa minuta dhe më pas ka vazhduar puna duke mbajtur kontakte me të gjitha institucionet që janë përfshirë në hetime.

Sipas hetuesve, Shërbimi Sekret vendas apo SHISH është përfshirë në grupin e hetuesve, në të cilin janë prokurorë të Krimeve të Renda, Departamenti i Ushtrimit dhe Ndjekjes Penale, Departamenti i Krimeve të Hapura, Departamenti i Krimit të Organizuar, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, si dhe një armatë e tërë agjentësh civilë që prej katër ditësh ndodhen në qytezën e Roskovecit. Mësohet se ky është grupi më i madh hetimor i ngritur ndonjëherë për të zbardhur ngjarjet kriminale. Në të janë përfshirë më se 100 specialistë. Zyrtarisht hetimet për këtë ngjarje vazhdojnë të konsiderohen si tepër sekrete. Hetuesit saktësojnë se po përpunohet çdo informacion që flet jo vetëm për orët e fundit të jetës së deputetit, por edhe kontakte të të ndjerit ditët e fundit, por edhe konfliktet e mundshme ndër vite.

Një ditë më parë, hetuesit saktësuan se Fatmir Xhindi është ekzekutuar nga një distancë e largët, më pas mbi të është derdhur një breshëri automatiku, ku autori është siguruar për eliminimin fizik të tij. Drejtues të hetimit konfirmojnë se veprimet e para i kanë çuar në disa pista hetimore. Çështja e disa pronave të privatizaura kohët e fundit nga i ndjeri, apo ato që mund të lidhen me çështje shumë personale, që nuk kanë të bëjnë me detyrën e tij, si deputet. Në "sitën" e hetimit është futur e gjithë veprimtaria e tij private. Katër ditë nga ekzekutimi i Fatmir Xhindit, policia dhe prokuroria nuk ka identifikuar ende autorin.

Qëndrimi

PS: Do të presim

hetimet e prokurorisë

Partia Socialiste do të presë përfundimet e hetimeve të Prokurorisë së Përgjithshme për vrasjen e deputetit Fatmir Xhindi. Burimet partiake konfirmuan se PS-ja pret që ngjarja të zbardhet nga ana e organeve hetimore, ndërsa këmbëngul në zbardhjen e ngjarjes. Deputeti Fatmir Xhindi u vra mbrëmjen e së shtunës në pragun e shtëpisë së tij. Sa i përket qëndrimit të PS-së, qysh në fillim të ngjarjes, zyrtarët dhe përfaqësues të saj kanë kërkuar zbardhjen, duke ia lënë në dorë grupit hetimor. Në komunikimet me mediat, deputetë të kësaj partie nuk kanë mundur të zbardhin ndonjë arsye, pse u vra kolegu i tyre, megjithatë ata e përshkruan Fatmir Xhindin si një njeri të përkushtuar në detyrimet që ai kishte karshi elektoratit. Ndërsa kryetari i PS-së e ka cilësuar ngjarjen jashtëzakonisht të rëndë dhe ka shprehur ngushëllimet për familjarët. Në fjalimin tij, para së t‘i jepej lamtumira e fundit, Rama theksoi se është e nevojshme zbardhja e ngjarjes, në mënyrë që "Fatmiri të prehet në paqe".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›