E Diel, 1 Nëntor 2026

“Kështu i vrasim të pafetë”

08/02/2005  Në strofullën e terroristëve sunnitë

Rrëfimi i të dërguarit të Corriere della Sera, “infiltruar” mes luftëtarëve. “Jemi bijtë e Mosulit. Në luftë kundër amerikanëve dhe tradhtarëve”

Fe, nacionalizëm, krenari, dhunë e pastër. Ndoshta një dozë e mirë gënjeshtrash. Ka nga të gjitha në fjalët e zanatçiut të bombave të telekomanduara. Por, fatmirësisht, edhe një farë respekti për bashkëjetesën civile. Në fund, na lënë të ikim. Takimi ndodhi të mërkurën, më 2 shkurt. Nuk paguam asnjë qindarkë për këtë kontakt. Nuk e di a do të jem në gjendje të rikthehem për t’i thënë faleminderit

Avniu udhëton me kallashnikov në sediljen ngjitur dhe me dy bomba te kroskoti. Në postbllokun e fundit kurd, peshmergët (në gjuhën kurde do të thotë “ai që e sheh vdekjen në sy”) i kërkojnë nëse është i ndërgjegjshëm se mban në makinë qindra mijëra dollarë vlerë në pengje

“Jemi luftëtarët për çlirimin e Irakut, bijtë e Mosulit, muxhahedinët që do të ndalin kryqëzatat amerikane. Ne do të fitojmë, sepse populli i Irakut është me ne. Sepse Allahu është me ne. Dhe sepse amerikanët janë qenër të frikësuar. Vetëm një muxhahedin vlen sa për dhjetë amerikanë. Një bombë që kushton një dollar vlen sa një “jeep” i tyre. Vetëm një shaid (martir kamikaze) vlen sa njëzetë amerikanë. Amerikanët janë të pasur, po sa mjete, sa ushtarë mund të vazhdojnë të humbasin? Flasin që tani për tërheqje. E di pse? Sepse ne mund të vendosim sa bomba të duam në rrugën e tyre dhe mund t’i vrasim sa herë të duam. Do t’ia mbathin si qenër të frikësuar. Ose do t’i vrasim një nga një”.

Rripi në sy më shkaktonte shumë dhimbje, kisha kërkuar vetë të ma shtrëngonin fort, që të shmangia momentin kur mund të shihja në fytyrë dikë që nuk duhej ta shihja. Por mbi të gjitha, mbante erë të qelbur. Benzinë, vajgur, ku ta di unë. Më shumë se një shami sysh, ishte një rrip i gjetur kush e di se ku në makinën e personit që më solli në një strehim të gueriljeve irakene. Përgjatë të gjithë kohës që qëndrova me ta, dhe shumë orë më pas, ndjesia më e fortë ishte era e keqe. Bashkë me mua ishin përkthyesi kurd Sardar dhe fotografi i agjencisë Emblema, Mauro Sioli.

Mbërritëm në Karakosh me ndihmën e një kronisti kurd, korrespondent për zonën e krishterë, në veri të Mosulit për të përjavshmen “Golan”, organ i Partisë Demokratike të Kurdistanit. Avni Mohamed Gehman është 39 vjeç, ka katër fëmijë, punon si gazetar për pasion, por detyra e tij e vërtetë është të ruajë krahët e Guvernatorit të Mosulit, Kasro Goran. “Jemi 40 vetë që alternohemi në shërbimin e eskortës. Vitin e fundit terroristët kanë organizuar katër atentate kundër tij, plus tre të tjerë që kanë patur shënjestër të gabuar. Fatmirësisht, ai nuk ka pësuar as edhe një të gërvishtur. Ndërsa nga ne rojet tashmë janë vrarë gjashtë. Me këtë ritëm, pas shtatë vjetësh, do të jemi të gjithë të vdekur”, shpjegon Avniu. Që tani nisim të qeshim hidhët. Ka parë edhe më keq ky gazetar-badigard. Në moshën 20-vjeçare pati përfunduar në Abu Ghraib, burgun e Bagdadit, i akuzuar me të drejtë se kishte ngritur krye kundër Sadamit. Kaloi 4 vjet në qeli dhe për dy vjet me radhë u torturua nga një farë Sultan Aid Batshaa, i cili sot jeton më pak se 50 kilometra larg shtëpisë së tij. “Kur kaloi nga fshati i tij, shkoj ta takoj. Në fakt nuk më ka kërkuar kurrë të falur, por unë nuk dua të hakmerrem”.

Avniu udhëton me kallashnikov në sediljen ngjitur dhe me dy bomba te kroskoti. Në postbllokun e fundit kurd, peshmergët (në gjuhën kurde do të thotë “ai që e sheh vdekjen në sy”) i kërkojnë nëse është i ndërgjegjshëm se mban në makinë qindra mijëra dollarë vlerë në pengje. Ai bëhet serioz dhe më pas, me mënyrën e tij, përpiqet të na sigurojë. Sardari përkthen: “Janë budallenj. Përse kujtojnë se kam marrë bombat në duar? Përpara se të vrasin njërin prej jush, do të duhet të vrasin mua. Nëse një terrorist afrohet, unë heq siguresën dhe ai vdes bashkë me mua”. Në Karakosh, Avni na prezanton në zyrat e partisë së asirëve kristianë. Shimon Shlemon, i quajtur “Talia” (Fëmija) është arkivi i gjallë i fatkeqësive të zonës.

“Në tre muajt e fundit, janë vrarë 37 asirë kristianë dhe të paktën tetë janë rrëmbyer për qëllime fitimi. Vetëm njëri, Leit Hakmat Khano u vra. I prenë kokën. Terroristët kishin kërkuar 200 mijë dollarë shoqërisë turke, për të cilën punonte si roje në Mosul, por turqit nuk paguan”. Përgjegjësit? “Arabët e Salamijas, fshatit që ndodhet 15 kilometra larg prej këtu. Janë fqinjët tanë, i njohim, nganjëherë vijnë për të blerë te ne. Por mes tyre ka shumë terroristë. Po ta dinin që ju jeni këtu, mund të sulmonin zyrat e partisë për t’ju rrëmbyer ose shitur tek Al Zarkavi”, përfaqësuesi i Al Kaedas në Irak. Mes shumë aktivistëve asirë që hyjnë në sallën e mbledhjeve për të parë gazetarët perëndimorë, është njëri që heq mënjanë fotografin. “Nëse dëshironi të flisni me terroristët, mund t’ju çoj unë. Garantoj 100 për qind. Kanë qenë fqinjët e mi, nga partia Baath, por njerëz të mirë. Kur kam patur nevojë, në kohën e Sadamit, më kanë ndihmuar gjithmonë. Dhe tani që ia kanë mbathur, ua mbroj unë shtëpinë”. Rreziku është i lartë, po kështu edhe garancitë. Por vështrimi duket i sinqertë. Që të tre, vendosim të besojmë. I japim një afat: 30 minuta. Jo më shumë, për të mos lejuar që të përhapet fjala mbi praninë tonë. Nëse kalon kjo kohë, do t’i kërkojmë në një farë mënyre njeriut të kontaktit që të bëjë një hap pas. Sapo dalim nga vendi i asirëve kristianë, kalojmë në makinën e “mikut të terroristëve”. Jemi ne që i propozojmë idenë e shiritit në sy. Pas afro 20 minutash mbërrijmë në destinacion. Ndihmësi ynë e lë makinën me motorin ndezur dhe na kërkon të presim, ndërkohë që shkon të flasë me ish-fqinjët e tij.

Janë vetëm tre të pranishëm. “Dakord – thotë kontaktuesi – kanë vendosur të flasin me ju”. Po maskohen dhe janë duke ardhur. Unë duhet t’ju fus brenda siç jeni, me sy të lidhur, prej nga nuk mund të kuptoni se ku jeni”. Vendi ku presim terroristët është një lloj kuzhine fshati, me murin me tre anë dhe të katërtin të mbuluar me celofon.

Hyjnë të tre, me çallmën rrethuar përqark kokës, me qëllim që t’u duken vetëm sytë. Njëri ka xhaketë ushtarake që i rri shumë e ngushtë, një tjetër – shumë i ri – është veshur sikur të jetë duke shkuar në diskotekë, i treti, ai që flet, ka xhaketë dhe pantallona njësoj të shformuara.

Nuk duken si pjesëtarë të asaj elite sunnite të favorizuar nga Sadami, prej nga imagjinohet se vijnë vullnetarët e rebelëve. Duken fshatarë dhe Sardari, përkthyesi, që për profesion është inxhinier, konfirmon se arabishtja e tyre nuk është e përkryer, duken njerëz që kanë studiuar pak dhe keq. “Jemi bij të Mosulit”, sulmon ai me xhuboks të ngushtë. Sardar përkthen, duke pëshpëritur. “Kur ra Sadami, shmangëm luftimet me amerikanët për të mos shkatërruar Mosulin. Por, pak nga pak kemi parë kurdët të bëhen zotër në tokën tonë, amerikanët e pafe të marrin naftën tonë dhe të ndërtojnë baza gjithnjë e më të mëdha, duke sjellë gjithnjë e më shumë mjete.

Atëherë kuptuam se ata nuk do të largoheshin kurrë vullnetarisht. Dhe se duhet t’i përzëmë ne. U organizuam. Miqtë telefonoheshin, takoheshin në divane (sallonet për pritjen e miqve), numëronin armët që kishin në dispozicion. Gjithë kësaj iu shtua edhe problemi i të huajve, njerëzve të Al Zarkavit, afganë, jordanezë, jemenë e sauditë. Por edhe agjentë sekretë të vendeve fqinje.

Disa ndihmojnë, të tjerë kujdesen që të ketë sa më shumë të vdekur. Al Zarkavit as nuk i intereson fare për Irakun, për të vrarë një amerikan ai është i gatshëm të vrasë dhjetë irakenë. Kështu, ne vendosëm të reagojmë”.

“Pak prej nesh zhvillojnë këtë aktivitet me kohë të plotë. Në familjen tonë, për shembull, vetëm dy burra mund të lejojnë vetes të bëjnë xhihad (lufta e shenjtë). Ne vazhdojmë të kryejmë punët e mëparshme, por kur Emiri (Princi) na thërret, jemi gjithnjë të gatshëm. Ne, bijtë e Mosulit nuk kemi goditur kurrë civilë. Edhe në kurthet me eksplozivë përdorim copëra të vogla, me qëllim që të godasim vetëm jeep-in amerikan, dhe jo civilët që mund të jenë përreth”. Burri i bën shenjë djaloshit të veshur si për diskotekë, i cili del jashtë dhe rikthehet pas pak me një minë dhe një predhë mortaje. Kabllo elektrike, telefon, detonatorë, dalin nga porta e hekurt që ndan kuzhinën prej dhomës së gjumit. “Ja si ndërtohet një kurth për amerikanët”.

Burri ulet përpara bombave dhe nis e shpjegon me zë të lartë lëvizjet që kryen. “Të ndërtosh një shpërthyes të komanduar në distancë është e lehtë. Ja detonatori, e zbuloj këtu në litar dhe fiksoj fijen e parë elektrike, më pas më mjafton ta ngjis me izolant te bomba dhe të lidh një tjetër kabëll me krahun e kundërt të detonatorit. Korrenti i prodhuar nga një bateri do ta ndezë. Pasi shpërthen ai, shpërthen gjithë pjesa tjetër”.

“Një muxhahedin qëndron i fshehur në distancë sigurie dhe pret. Këta, të bërë me fije, janë më precizë, por amerikanët mund t’i shohin fijet që shkojnë kushedi se ku. Dhe të vihen në alarm. Për këtë arsye, shpesh herë kemi përdorur telefonët celularë. Mjafton t’i biesh numrit të celularit që ke lënë pranë bombës të lidhur me detonatorët dhe qarku elektrik i krijuar hedh gjithçka në erë. Por edhe telefonët celularë shkaktojnë probleme. Nganjëherë, linjat janë të mbingarkuara dhe telefonata ose nuk kryhet, ose kryhet me vonesë. Kështu që, prej disa muajsh përdorim telekomandat e ndërtuara për të hapur dyert e garazhit: nuk ka vonesa, e pastaj mund edhe të qëndrosh e të shohësh, 20 metra larg me duart në xhepa dhe gishtin te butoni”.

“Jemi ne që e kontrollojmë Mosulin. Kur Emiri na thërret, ne zbresim në qytet dhe organizojmë një postbllok. Ndalim makinat. Nëse brenda ka një arab, e ftojmë të bashkohet me rezistencën. Nëse ka një kurd, i themi që ky nuk është qyteti i tij dhe nuk duhet të kthehet më. Nëse ka një arab, kurd ose i huaj që punon për amerikanët, e mbajmë të burgosur dhe kryejmë hetime.

Nuk vrasim kurrë të pafajshëm. Një herë kapëm dy kushërinj. Njëri, Leit Hakmat (personi për të cilin në fshatin kristian na treguan se i kishin prerë kokën) punonte për turqit në shërbim të amerikanëve dhe ne e vramë. Një shembull për ata që tradhtojnë Irakun. Tjetri, Akram ishte rastësisht me të, nuk punonte për të pafetë dhe e liruam pa i kërkuar asnjë qindarkë. Ne nuk jemi banditë, jemi patriotë”.

Fe, nacionalizëm, krenari, dhunë e pastër. Ndoshta një dozë e mirë gënjeshtrash. Ka nga të gjitha në fjalët e zanatçiut të bombave të telekomanduara. Por, fatmirësisht, edhe një farë respekti për bashkëjetesën civile. Në fund, na lënë të ikim. Takimi ndodhi të mërkurën, më 2 shkurt. Nuk paguam asnjë qindarkë për këtë kontakt. Nuk e di a do të jem në gjendje të rikthehem për t’i thënë faleminderit.

Corriere della Sera

Fije elektrike, celularë, telekomanda për bombat

“Një muxhahedin qëndron i fshehur në distancë sigurie dhe pret. Këta, të bërë me fije, janë më precizë, por amerikanët mund t’i shohin fijet që shkojnë kushedi se ku. Dhe të vihen në alarm. Për këtë arsye, shpesh herë kemi përdorur telefonët celularë. Mjafton t’i biesh numrit të celularit, që ke lënë pranë bombës të lidhur me detonatorët, dhe qarku elektrik i krijuar hedh gjithçka në erë. Por edhe telefonët celularë shkaktojnë probleme. Nganjëherë, linjat janë të mbingarkuara dhe telefonata ose nuk kryhet, ose kryhet me vonesë. Kështu që, prej disa muajsh përdorim telekomandat e ndërtuara për të hapur dyert e garazhit: nuk ka vonesa, e pastaj mund edhe të qëndrosh e të shohësh, 20 metra larg me duart në xhepa dhe gishtin te butoni”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›