E Hënë, 2 Nëntor 2026

Kështu përgatitet një popull për luftë

27/05/2005  Korea e Veriut / Reportazh përtej gardhit të bambuve

Eshtë kombi më i izoluar, më i demonizuar dhe më pak i njohur në Botë. Jeton në pritje të një pushtimi amerikan dhe është gati të mbrohet me të gjithë mjetet. Edhe bërthamore

Eshtë një rrezik real? Ish-shefi i CIA në Korenë e Jugut, Donald Gregg, pranon se Uashingtoni vepron në errësirë dhe se Republika e Koresë së Veriut është “dështimi më makroskopik në historinë e spiunazhit të SHBA”. Linja e ashpër, që ka ndjekur Shtëpia e Bardhë, nuk ka patur efektet që u shpresua

“Ilyushin”- i vjetër i kompanisë shtetërore Air Koryo, i cili lidh dy herë në javë Pekinin me kryeqytetin koreano-verior, është një makinë kohe. Në vendin më të izoluar, më misterioz dhe më të paarritshëm të botës, orët kanë mbetur ende në mëngjesin e 27 korrikut 1953, kur përfaqësuesit e Kombeve të Bashkuara, Kinës dhe Republikës Popullore Demokratike të Koresë firmosën marrëveshjen, që i dha fund tri viteve masakra të frikshme. Revolucioni informatik, tregu kapitalist dhe globalizimi nuk e kanë prekur të fundmen pikë kufiri të Luftës së Ftohtë. Përtej gardhit të bambuve, 23 milionë burra, gra e fëmijë janë të bindur se pushtimi amerikan është i afërt. Dhe përgatiten për të luftuar betejën vendimtare të një konflikti që, në terma juridikë, nuk është mbyllur kurrë.

E parë natën, me satelitë dhe avionë spiunë të Pentagonit, Republika e Koresë së Veriut është një vrimë e zezë: një njollë e errët e rrethuar nga dritat, mizëria e dritave të metropoleve kinezë dhe koreano- jugorë. Nga afër duket më pak e frikshme, të paktën në Penjian, vitrina e “parajsës së punëtorëve” si dhe pikënisja e detyruar e vizitës së gazetarit të parë italian të akredituar.

Zonja Kim dhe zoti Toh, funksionarë shumë xhentilë të Ministrisë së Informacionit, më shoqërojnë ngado. Dhe programi nuk pranon shmangie. Për shembull, nuk duhet të largohem i vetëm nga hotel Moranbong, ku qëndroj në një dhomë të rehatshme me një televizion, që transmeton pamje që japin siguri: fëmijë që i bien flautit; Kim Jong II, “udhëheqësi i dashur”, i cili parakalon në një repart të ushtrisë. Lajme nga jashtë: asnjë. 11 shtatori për shembull u dha si lajm një javë me vonesë.

Penjani, i ngritur mbi brigjet e lumit Taedong, ka pamjen e një qyteti të viteve ’50: rrugë të mëdha e me pemë, sheshe e kopshte të mbajtur me shumë kujdes, blloqe gjeometrikë apartamentesh, harqe triumfi, teatro e biblioteka, stadiume 150-mijë vendësh. Statuja e bronztë e Kim Jong II, “Dielli i kombit”, është e lartë 45 metra: “Udhëheqësi i madh”, baba i kombit dhe sekretar aktual i partisë së punëtorëve, por edhe komandant suprem i forcave të armatosura, ka ardhur në ’94, por është shpallur “president i përjetshëm”.

Rrugët janë gjysmë të shkreta. Në kryqëzimet, ku janë gjithnjë të pranishëm policët, kalon një trafik i rregullt këmbësorësh e biçikletash. Shumë pak automobilë, edhe pse zoti Toh siguron se numri i tyre po rritet dhe reklama e parë komerciale, e dukshme në Penjan në rrugën e aeroportit, flet për Huiparam, një kompani berlineze e vendosur në protin Nampo, me pjesë Fiati, të importuara nga Korea e Jugut. Çmimi: 8 mijë euro, i jashtëzakonshëm përballë rrogës mesatare që nuk i kalon 20 eurot.

Rrugët mbushen herët në mëngjes, kur altoparlantët e instaluar në rrugë e kudo në qendra banimi (secila ka strehime antiajrore) përhapin muzikë himnesh patriotikë dhe i bëjnë thirrje popullit të vazhdojë ndërtimin e socializmit. Punëtorë e nëpunës vihen në marsh, shpeshherë bëjnë kilometra të tërë në këmbë, ose presin në radhë të heshtura autobusët, tramvajet e dorës së dytë të dhuruar nga Gjermania Lindore.

Sheshet mbushen me të rinj pasditeve. Pas orarit shkollor, më të aftët marrin pjesë në stërvitjet e përditshme në prag të lojërave të ardhshme Arirang: shfaqje spektakolare atletike, që përfshijnë më shumë se 100 mijë gjimnastë dhe që, në edicionin e fundit, kanë kërkuar një angazhim të barabartë me 200 milionë orë pune.

Në parqe, pranë Muzeut të Revolucionit, apo përpara stadiumit “1 Maji”, mijëra djem e vajza stërviten pa pushim, nën drejtimin e instruktorëve me megafonë në duar. Lojërat janë përfaqësimi plastik i ideologjisë së regjimit. Për të ruajtur sinkroninë absolute, për të arritur përsosmërinë e lëvizjeve në unison, individi duhet të “humbasë” brenda një grupi: masa duhet të reagojë si një organizëm i vetëm, që reagon me disiplinë të pakushtëzuar nën ritmin e komandave. Eshtë edhe një mënyrë për të ruajtur nivelin e mobilizimit të një vendi, i cili ndihet nën shënjestrën e George Bushit, i cili e ka përfshirë në “Boshtin e të keqes”.

Kim Jong ka lëshuar parullën “songun çongçi”: mbi të gjitha sforcimi ushtarak. E gjithë shoqëria është militarizuar dhe organizuar në funksion të mbrojtjes kombëtare, gjë që thith një të tretat e fondeve publike dhe një pjesë të madhe të GDP. Stërvitja e detyruar zgjat nga gjashtë në dhjetë vjet. Eshtë i vetmi sektor i zhvilluar i ekonomisë dhe i vetmi që, përmes eksportit, garanton të ardhura. Ndërkohë që programi bërthamor, së bashku me kërkimet për përdorime civile, ka zënë prej kohësh tunelin e prodhimeve ushtarake.

Eshtë një rrezik real? Ish-shefi i CIA në Korenë e Jugut, Donald Gregg, pranon se Uashingtoni vepron në errësirë dhe se Republika e Koresë së Veriut është “dështimi më makroskopik në historinë e spiunazhit të SHBA”. Linja e ashpër, që ka ndjekur Shtëpia e Bardhë, nuk ka patur efektet që u shpresua. Duke braktisur qëndrimin prej negociatori të Bill Klintonit (ndalim i prodhimit të plutonit në këmbim të naftës dhe teknologjisë bërthamore civile), Bush e ka shtyrë Penjanin drejt pozicioneve të papajtueshëm, me një rezultat që sheh të përshpejtohet gara e armatimit dhe përforcohet regjimi, i cili nuk jep asnjë sinjal lëshimi.

Në perëndim, kryeqyteti zhytet në errësirë. Mbeten të ndezura dritat e monumenteve, pallateve të pushtetit, hoteleve për turistë, rezidencave në lagjen diplomatike, kazinosë gjysmënëntokësore në hotelin Yongakto, ku në tavolinat e ruletëve, klientët e pakët mposhtin mërzinë me uiski dhe kërcimtaret kineze. Kursimi i energjisë elektrike është shumë problematik në dimër, kur termometri shënon deri nën 20 gradë dhe druri është e vetmja gjë e djegshme: pyjet priten dhe në pranverë, pionerët mbjellin miliona pemë që rriten me shpejtësi. Edhe vetë kamionët, në fshatra, punojnë me dru, falë një sistemi kaldajash me avull.

Jashtë Penjanit udhëtohet në një vend të katandisur në erën paraindustriale, në një vend të mbushur me bunkerë rëzë malesh. Shumë distrikte janë të paarritshëm: zona ushtarake, forca rezervistësh në kampe riedukimi. Rrugët janë të këqija dhe aty ku ka asfalt, dije se është vend uljeje për MIG. Rënia e perandorisë sovjetike, mungesa e pjesëve të këmbimit dhe investimeve, kolapsi i transporteve kanë dëmtuar industrinë e rëndë. Me bujqësinë, që ka në dispozicion vetëm 14 %toka të kultivueshme, zitë e urisë të viteve nëntëdhjetë, që shkaktuan miliona të vdekur, qeveria është detyruar të kërkojë ndihma ndërkombëtare.

“Çdo ditë, thotë Richard Ragan i VFP, japim 6.5 milionë racione ushqime, përmes sistemit kapilar të shëprndarjes shtetërore”. Eshtë i domosdoshëm: 400 gramët oriz, që jep qeveria janë të pamjaftueshëm”. Sipas Pierrette Vu Thi, të UNICEF, shifra e të kequshqyerit ka rënë nga 60 në 40%, por është ende alarmante. “Eshtë faji i sanksioneve dhe politikës imperialiste të Uashingtonit”, më thonë dy shoqëruesit, të cilët nënvizojnë arritjet sociale të RPKV: shtëpi dhe shëndetësi falas, alfabetizim 99%, pensione të garantuar, asnjë taksë, SIDA dhe kriminalitet inekzistentë.

“Italia, thotë Masimo Urbani përgjegjës i Cooperazione në Penjan, është i pari vend i G-7 që ka njohur Republikën Popullore të Koresë së Veriut. Deri tani kemi dhënë ndihma ekonomike dhe humanitare më shumë se 2.6 milionë euro”. Një pjesë e fondeve ka shërbyer për rindërtimin e shkollave në Riongçon, në kufi me Kinën, ku administratorët lokalë rikujtojnë shpërthimin e 22 prillit 2004, që amerikanët e menduan si një test bërthamor: 161 të vdekur e 3 mijë të plagosur, në shpërthimin e dy trenave të mbushur me nitrat amoni.

Megjithatë, edhe në mbretërinë eremite, diçka po ndryshon, përderisa Kim Çun Guk, funksionar i lartë në Ministrinë e Jashtme, thotë: “Po studiojmë mekanizmat e ekonomisë perëndimore”. Nga korriku 2002, kim Jong II ka lajmëruar masa të paprecedenta: heqje e subvencioneve shtetërore, stimuj për prodhimin, liberalizim i kontrolluar i çmimeve dhe taksës së këmbimit, mundësi për fshatarët që të shesin tepricat në tregje informalë. Rrogat janë rritur, si rrjedhim, ndonëse ato nuk ndjekin hapin e inflacionit, i ngritur në qiell. Dhe konsumi është rritur.

Në tregun e Tongil, në kryeqytet, masa paguan në kesh, jo më me tollona. Në tezga gjen gjithçka, që nga ekranët e sheshtë plazmatikë e deri te DVD, ndonëse nuk është e qartë se kush mund t’i lejojë vetes lukse të tillë. I qartë nuk është as impakti afatgjatë i “përshtatjeve ekonomike”. Ithtarët më të mëdhenj të ortodoksisë përsërisin se “nuk do të ndjekim shmangien kapitaliste të Kinës”. Por, ndërkohë, me bekimin e Udhëheqësit të madh, në gardhin e bambuve, kanë nisur të shfaqen shenjat e para të jetës së përtejshme.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›