Vendimi i UEFA-s, FSHF “dorëzohet” pa kushte
26/05/2005 Pas një procesi të gjatë shqyrtimi, Komisioni i Disiplinës në UEFA ka bërë të ditur vendimin e saj, lidhur me incidentet e ndodhura gjatë ndeshjes Greqi-Shqipëri, e vlefshme për Eleminatoret e Kampionatin Evropian U-21, në datën 29 mars 2005. Kështu, në bazë të rregullores së aktivitetit të organit më të lartë të futbollit në Evropë, ky komision ka gjobitur me 30.000 franga zviceriane Federaten Greke të Futbollit, për mosmarrjen e masave të duhura të sigurisë dhe organizimit të ndeshjes, ku si pasojë u gris dhe hoq simboli i kombit, flamuri shqiptar. Ndërkaq, Komisioni Disiplinor ka vendosur të gjobisë me 5.000 franga FSHF-në, për vonesa të lojës nga ana e skuadrës sonë, përfaqësueses së 21-vjeçarëve tanë, përpara fillimit të pjesës së dytë të këtij takimi, vonesa këto që erdhën si pasojë heqjes së simboleve kombëtare në stadium. Për këtë incident të rrallë, FSHF-ja menjëherë pas takimit në Greqi, ka bërë reklamimin e kësaj çështjeje nëpërmjet një faksi në UEFA, ku i kërkohej “qeverisë” së futbollit dënimi i këtij akti dhe marrja e një vendimi lidhur me rezultatin e takimit. Por, pas shpalljes së vendimit, i cili sipas zëdhënësit të federatës, Lysien Nurishmi, ka mbërritur pasditen e të martës në dikatersin më të lartë të futbollit në vendin tonë, shqiptarët duket se janë “dorëzuar” pa kushte. Kjo për vetë faktin se reagimi i tyre, është bërë vetëm në mënyrë formale. Sikurse është mësuar dje, në ambientet zyrtare të federatës nuk do të ketë apelim të çështjes, në komisionin e Apelit të UEFA-s. Këtë e tregon edhe komunikata zyrtare e FSHF-së, ku citohet: “Federata Shqiptare e Futbollit ka dërguar pranë Presidentit të UEFA-s, zotit Lehart Johanson, një reagim zyrtar për këtë vendim, pasi apelimi i mundshëm nuk do të favorizonte FSHF-në dhe ekipin tonë Kombëtar U-21”. Reagimi zyrtar i shqiptarëve, pranë presidentin Johanson është thjeshtë i karakterit informative, nga i cili nuk priten “frute”. Ndërkohë, që e arsyet e mosapelimit të kësaj çështjeje, janë zbardhur nga burime të sigurta, brenda federatës. FSHF, përveçse është gjobitur me 5 mijë franga, vetëm për reklamimin, mendohet të ketë depozituar në arkën e UEFA-s, një shumë rreth 5 mijë franga. Dhe nëse do të bëhej në këto momente apelimi i vendimit, shqiptarëve do t’u duhej të paguanin edhe 50 mijë franga të tjera. Gjithsesi, as pas kësaj nuk ka siguri, në do të arrihej të ndryshohej vendimi. Kjo shikohet në rastet e mëparshme të analizuara nga Disiplina e Futbollit Evropian. Ndërkohë që edhe shqiptarë janë të ndërgjeshëm, për pafuqinë e tyre ndikuese në organin e lartë të futbollit në kontinentin tonë. Deklarat e djeshme, kanë lënë të nënkuptohej se edhe ata e pranojnë në një farë mënyrë, domethënien e asaj shprehjes popullore: “Peshku i madh e ha të voglin”.