Këtë javë PD vendos për 50 kandidaturat e mbetura
09/05/2005 Kryesia e Partisë Demokratike, pritet të mblidhet sërish brenda kësaj jave, për të vendosur për 50 emrat e tjerë akoma të paemërur zyrtarisht, si kandidatë në zonat e mbetura. Burime në PD, shprehen se deri më tani, kreu demokrat Berisha priste mbylljen e koalicioneve, për të vedosur përfundimisht për kandidaturat. Të njëjtat burime shprehen se, janë një numër jo i vogël qytetesh në të cilët ende nuk është vendosur për emrat me të cilët PD, do të futet në garën elektorale. Gjithsesi, burimet shprehen se lideri demokrat ka përshpejtuar punën për caktimin e kandidaturave pasi, përpara fillimit zyrtar të fushatës ka mbetur më pak se një muaj kohë. Në listën e qyteteve në të cilat nuk janë vendosur ende kandidaturat, të bien në sy Shkodra, Tepelena, Erseka, ndërkohë që ka dhe qytete të tjera që kandidaturat janë shpallur pjesërisht. Burimet shprehen se nga lëvizjet, koalicionet apo dhe emërimet e emrave të rinj si kandidatë, një pjesë e deputetëve aktualë të PD-së kanë mbetur pa zona elektorale, gjë që mund të sjellë dhe reagimin e tyre në të ardhmen. Të njëjtat burime thonë për “Metropol” se deri në mbledhjen e ardhshme të kryesisë, Berisha do të vazhdojë me prezantimin e kandidatëve, të cilët kanë marrë dhe miratimin e bazës së PD-së.