Majlinda Bregu kandidate në Laprakë
09/05/2005 Majlinda Bregu, do të jetë kandidatja e Partisë Demokratike në zonën e Laprakës në njësinë numër 11. Burime në PD, shprehen se lideri demokrat Berisha, ka vendosur që t’ia besojë Bregut, një ndër zonat më të sigurta të Tiranës. Në zgjedhjet e kaluara të vitit 2001, kjo zonë e cila njihet si një nga bastionet e demokratëve, i dha mandatin e deputetit ish-kryetarit të PD-së së degës së Tiranës, Vili Minarolli. Të njëjtat burime, shprehen se për Minarollin, nuk është vendosur ende në cilën zonë do të kandidojë. Zona e Laprakës, në bazë të traditës, ka qenë e rezervuar për kryetarin e PD-së së Tiranës, por shkuarja e Olldashit në Shijak e prishi këtë traditë. Për një periudhë kohe, në këtë zonë u përfol si kandidaturë e mundshme edhe emri i Lulëzim Bashës, koordinator i KOP, por në momentet e fundit, kryesia e PD-së vendosi t’i japë këtij të fundit për të kandiduar zonën numër 33, përballë kandidatit socialist, Arben Ahmetaj. Majlinda Bregu, aktualisht pedagoge në fakultetin e Shkencave Sociale, në zgjedhjet e fundit brenda PD-së u zgjodh nga Këshilli Kombëtar në kryesinë e kësaj partie, ndërkohë që votimi i kësaj strukture la jashtë, një sërë emrash të njohur në PD.