Levë në kokë oficerit të Drogës
KORçE/ GEZIM ASHIMI Plagoset me levë në kokë e trup ish-oficeri i Antidrogës në Korçë. Autorët e ngjarjes janë dy vëllezër, të cilët efektivi i policisë i kishte hetuar dhe dërguar për ndjekje penale me akuzën e “shitjes së lëndëve narkotike”. Sipas policisë, Dashnor Karanxha, 46 vjeç, i liruar rreth një vit më parë nga detyra për shkak të reformës, është sulmuar rreth orës 23:20 teksa po hynte në pallatin e tij në lagjen 16 të qytetit të Korçës. Pasi e kanë goditur disa herë me levë në pjesë të ndryshme të trupit, vëllezërit janë larguar duke e lënë të përgjakur e thuajse pa ndjenja 46-vjeçarin. Viktima ka mundur të kërkojë ndihmë tek fqinjët e tij, të cilët e dërguan menjëherë në spitalin e qytetit. Policia e Korçës bëri të ditur se janë identifikuar autorët e ngjarjes, ndërkohë që ndaj tyre është ngritur akuza “goditje për shkak të detyrës në bashkëpunim”. Mësohet se autorët janë Alban dhe Klejdon Berberi, 20 dhe 24 vjeç. Ky i fundit, sipas të dhënave, është arrestuar për veprën penale të mbajtjes së lëndëve narkotike. “Plagosja e 46-vjeçarit Karanxha ka ardhur për shkak të detyrës së tij dhe konfliktit që ai ka pasur me dy vëllezërit Berberi”, bëri të ditur policia. Pas ndihmës mjekësore, ish-oficeri e ka kaluar rrezikun dhe ka mundur të japë edhe dëshminë e tij për policinë. Sipas burimeve, Karanxha është shprehur se ka pasur konflikte të vazhdueshme me dy vëllezërit Berberi, të cilët përfunduan në gjykatë si të akuzuar për mbajtje të lëndëve narkotike. Njëri prej tyre është gjykuar dhe pas rreth tetë muajsh në izolim ka dalë si i pafajshëm. Mësohet se i riu ka kërkuar edhe dëmshpërblim për mbajtjen me të padrejtë në burg, ndërsa ka nisur më pas të kërcënojë oficerin, i cili e çoi atë në ndjekje penale. Policia e Korçës bëri të ditur se pasi kanë marrë në pyetje ish-kolegun e tyre, kanë shpallur në kërkim dy vëllezërit. Ata janë larguar menjëherë pas ngjarjes dhe ende nuk është lokalizuar vendndodhja e tyre. Sipas të dhënave, 46-vjeçari pasi ka marrë ndihmën mjekësore në spitalin e Korçës, është dërguar në shtëpi pasi nuk ka pasoja të rënda nga goditjet me mjete të forta. Sipas mjekëve, 46-vjeçari kishte pësuar plagë e fraktura të rënda, por që nuk i rrezikonin atij jetën.