E Shtunë, 31 Tetor 2026

KiE përforcon konkluzionet: Bëni dialog në Kuvend

Menjëherë pas miratimit të rezolutës për Shqipërinë nga Asambleja Parlamentare, Këshilli i Evropës publikoi një komunikatë për shtyp ku përforcon konkluzionet e tij. Në komunikatë përmblidhen pikat kryesore të rezolutës. Asambleja i kërkon qeverisë shqiptare dhe opozitës që t'i japin fund krizës aktuale politike në vend dhe të marrin përsipër përgjegjësitë e tyre, në mënyrë që të vazhdohet me reformat e nevojshme jetike. “Në veçanti, i bëhet thirrje qeverisë për të ngritur, pa vonesa të mëtejshme, një komision hetimor parlamentar për zgjedhjet e qershorit 2009, dhe opozita të kthehet në Parlament e të marrë pjesë plotësisht në punimet e tij", - thuhet ne njoftimin për shtyp të Këshillit të Evropës. Përveç përcaktimit të situatës aktuale në vend si një krizë politike, Këshilli i Evropës shkon më tej në komunikatën për shtyp kur thotë se "vendi mund të destabilizohet edhe më tej", për shkak të retorikës acaruese mes dy forcave kryesore politike në vend. Këshilli i Evropës kujton se rolin kyç për zgjidhjen e krizës duhet ta luajë Presidenti Bamir Topi. Për ta ndihmuar atë në këtë detyrë, Asambleja i kërkon Komitetit të Presidentëve dhe raportuesve të Komisionit të Monitorimit që të shkojnë në Shqipëri sa më parë. Në fund të komunikatës janë botuar rezoluta e votuar ditën e enjte si dhe rekomandimet e Asamblesë, ku i kërkohet Komitetit të Ministrave që të marrë në konsideratë përfshirjen e monitorimit në axhendën e Grupit Raportues për Demokracinë, të cilët mund të propozojnë çdo vendim të mëtejshëm që do të kërkonte situata ndaj këtij Komiteti.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›