Rezoluta e KiE-së, Rusmali: Hapja e kutive nuk negociohet
Hetimi i zgjedhjeve të 28 qershorit në përputhje me rezolutën e Asamblesë Parlamentare të KiE-së përjashton hapjen e kutive. Duke komentuar rezolutën e Këshillit të Evropës, Ilir Rusmali shpjegoi dje se aty kërkohet qartë ngritja e një komisioni hetimor për zgjedhjet, por jo hapja e kutive. I sapokthyer nga Strasburgu, kryetari i delegacionit shqiptar në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Rusmali, konsideron si arritjen thelbësore të rezolutës së KiE-së përcaktimin e funksionimit të komisionit hetimor për zgjedhjet sipas vendimit përkatës të Gjykatës Kushtetuese. Z. Rusmali citoi këtë vendim të Gjykatës Kushtetuese, që sanksionon se vendimet e gjykatave të vendit mund të ndryshohen vetëm nga një gjykatë më e lartë. Ky vendim i vitit 2003, sipas Rusmalit, nuk legjitimon kërkesën e Partisë Socialiste për hapjen e kutive të votimit dhe rinumërimit të votave për çfarëdolloj qëllimi. “Pretendimi i zotit Rama bie menjëherë poshtë sapo të konstatoni se kërkesa kryesore e tij lidhet drejtpërdrejt me konkluzionet përfundimtare të Gjykatës e Kolegjit Zgjedhor, p.sh. me numërimet në Berat apo me rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve në Fier. Komisionit hetimor nuk është kurrsesi që të prishë vendimet e gjykatave, sepse është jashtë funksioneve të veta kushtetuese dhe këtu nuk ka asnjë lloj ekuivoku dhe paqartësie”, - u shpreh Rusmali. I pyetur nga gazetarët, z. Rusmali la të kuptohet se ky parim nuk mund të negociohet në asnjë tryezë dhe se kontributi i Presidentit për zgjidhjen e krizës politike duhet të shkojë në këtë drejtim.
“Amendamenti për Presidentin u keqkuptua”
Përfaqësuesi i mazhorancës në delegacionin shqiptar në Strasburg, Ilir Rusmali, bëri të qartë se nuk kishin kërkuar shmangien e Presidentit nga roli i ndërmjetësit mes palëve politike për zgjidhjen e krizës. Ilir Rusmali tha se amendamenti i tyre për këtë çështje ishte keqkuptuar. “Unë besoj se kjo ka qenë ndoshta në mënyrë të pavullnetshme një lexim i gabuar, ndoshta, nga përfaqësues të medias, sepse kontesti i amendamenteve që ne propozuam në Asamble, ka qenë pikërisht që të koncentrohen të gjitha përpjekjet dhe t’i jepet e gjithë ndihma e Asamblesë Parlamentarë të Këshillit të Evropës, Presidentit të Republikës me qëllim që ai, brenda kuadrit që përcakton rezoluta, të mund të eksploronte zgjidhjet”, - u shpreh z. Rusmali. Ai beson se presidenti në çdo republikë parlamentare ka një mjet fondamental, fjalën, fjalën e urtë. Dhe sipas tij, presidenti e ka këtë mundësi në çdo lloj rrethane. “I takon Presidentit të eksplorojë, i takon atij të theksojë publikisht ato mesazhe që theksohen edhe nga rezoluta, i takon atij të thotë që nuk goditet Kushtetuta nëpërmjet rrugës, i takon atij të thotë që bojkoti në një vend si Shqipëria është i dëmshëm, siç e thotë Asambleja e Këshillit të Evropës nëpërmjet rezolutës dhe sigurisht është ai që duhet të bëjë përpjekjet që t’í thërrasë të paarsyeshmit drejt arsyes”, - tha Rusmali.