E Diel, 1 Nëntor 2026

Mejdani: Mjaft më, opozita të ndërpresë bojkotin

Ish-Presidenti Rexhep Meidani i drejtohet partisë së tij me thirrjen që t’i japë fund bojkotit ndaj Parlamentit dhe të bëhet pjesë e reformave integruese. Por njëherësh ai kritikon dhe Presidentin aktual, Bamir Topin, për pasivitetin e tij në situatën aktuale politike. Sipas z. Meidani, negociatat duhet të ishin nisur nga Bamir Topi pa pasur nevojë për thirrje nga Këshilli i Evropës. Këtë deklaratë, ish-kreu i shtetit, Rexhep Meidani, e bëri gjatë një aktiviteti në Universitetin “Marin Barleti”. “Duhet të ishte pjesë e kësaj zgjidhjeje dhe kohë me parë. Sidoqoftë, ai mund të japë kontribut relativisht pozitiv edhe në fazën aktuale, sepse në gjykimin tim, është një ngërç që duhet të zgjidhet. Është një ngërç që nuk i shërben Shqipërisë dhe qytetarëve shqiptarë”, - theksoi z. Meidani. Ish-Presidenti shprehu edhe një herë rezervat e tij për rrugën që zgjodhi opozita për të kërkuar transparencën e zgjedhjeve. Në kushte të tilla kur kryesocialisti Edi Rama refuzon edhe apelin e ndërkombëtarëve dhe KE-së për hyrje në Kuvend, Mejdani i bëri thirrje lidershipit socialist të ndërpresë bojkotin. “Jo e drejtë vendimmarrja e Partisë Socialiste për të bojkotuar që në fillim Parlamentin. Duhet të përfshihej në procesin parlamentar për të realizuar pikësynimet kryesore në mënyrë të veçantë transparencën për procesin zgjedhor”, - u shpreh z. Meidani. Nga ana e tij, vetë Presidenti Bamir Topi u ka bërë thirrje disa herë liderëve politikë të dialogojnë, por pa mundur të konkretizojë uljen në dialog të dy partive kryesore në vend dhe kjo deri kur Këshilli i Evropës në rezolutën për Shqipërinë këshilloi në mënyrë të drejtpërdrejtë organizimin e një tryeze takimi nga Presidenti. Socialistët shprehen dje gatishmërinë e tyre për të negociuar në një tryezë të organizuar nga Presidenti Bamir Topi ashtu siç këshillohen palët politike në rezolutën e KE-së, por duke bërë të qartë se nuk heqin dorë nga hapja e kutive, edhe pse kjo tashmë konsiderohet një çështje e mbyllur jo vetëm nga PD-ja, por edhe nga faktori ndërkombëtar.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›