KiE shtyn raportin pas Presidentit

Raporterët e KiE dje në konferencë për shtyp
Këshilli i Europës konstaton përmirësim të klimës politike: Palët na siguruan se do vazhdojnë kështu.
Raporterët: Zgjedhja sipas Kushtetutës, të mos bëhet burim konflikti.
Raporterët e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës deklaruan dje se zgjedhja e Presidentit të ri është një çështje që duhet realizuar në përputhje me Kushtetutën e vendit. Pas vizitës me krerët e lartë të shtetit, raporterët Tomas Jirsa dhe Grigore Petrenka deklaruan gjatë një konference për mediat se Këshilli i Europës nuk do të ndërhyjë në zgjedhjen e kreut të ri të shtetit, por ndërkombëtarët sugjerojnë që zgjedhja të jetë në përputhje me Kushtetutën, në mënyrë që procesi të mos kontestohet nga palët. Zgjedhja e Presidentit duhet të jetë një proces sipas Kushtetutës dhe që palët në politikë të shmangin konfliktet rreth kësaj çështjeje. Në takimet që ne patëm me palët në Tiranë, na siguruan që Kushtetuta do të zbatohet plotësisht për sa i përket çështjes së zgjedhjes së kreut të shtetit dhe se zgjedhja e Presidentit, na siguruan palët, nuk do të jetë burim konflikti për tensione të tjera në politikën shqiptare, deklaroi Gregore Petrenka. Ndërkaq, përfaqësuesit e KiE deklaruan se raporti përfundimtar do të hidhet për votim në Asamblenë Parlamentare pas zgjedhjes së Presidentit të ri të Shqipërisë.
Situata politike
Raporterët e KiE theksuan dje se klima politike në Tiranë ka shënuar një progres të dukshëm dhe se ky fakt do të jetë pjesë e rëndësishme e raportit që do ti dërgohet Asamblesë së Parlamentit Europian. Situata politike është dukshëm shumë më e mirë nga ajo e vitit të kaluar. Ajo pasqyrohet në të gjitha takimet e zhvilluara gjatë këtyre ditëve, ku mbizotëron dukshëm klima e bashkëpunimit mes partive politike. Krahasuar me vitin 2011, situata është më e qetë dhe jemi të lumtur e presim të vijojë edhe në vazhdim. Jemi të vendosur të ndihmojmë në plotësimin e kushteve të vendit tuaj në BE, deklaruan përfaqësuesit e KiE-së.
21 janari
Çështja e 21 janarit nuk ka kaluar pa komentin e raporterëve të Këshillit të Europës, të cilët pohuan se kanë mbledhur fakte dhe komente të ndryshme nga takimet që kanë zhvilluar me krerët e lartë të institucioneve shqiptare. Raporteri Tomas Jirsa pohoi se 21 janari është një çështje ende në hetim dhe, për këtë shkak, nuk mund të komentohej. Por, përfaqësuesit e KiE lëshuan një apel ndaj politikës, që të mos pengohet puna e institucioneve të pavarura, në mënyrë që ngjarja të zbardhet njëherë e mirë. Duhet të përdoren të gjitha mjetet e duhura ligjore për të përmbyllur ngjarjen, duhet që procesi të përmbyllet konform ligjit. Dhe dua që të theksojmë pavarësinë e institucioneve, sepse duhet të jenë ato që do të flasin për atë çfarë ka ndodhur më 21 janar, theksoi Tomas Jirsa.
Alternativa civile, dy mandate për vendorët
Alternativa Civile nisi dje një debat publik, duke propozuar ndryshime në ligjin për të limituar numrin e mandateve. Në tryezën e djeshme merrnin pjesë jo vetëm deputetë të PS dhe PD, por edhe përfaqësues të shoqërisë civile. Duke mbrojtur idenë se çdokush konsumohet nga koha e gjatë e qëndrimit në pushtet, ne propozojmë prodhimin e mekanizmave ligjorë për të limituar deri në dy mandate kohën e qeverisjes për të zgjedhurit vendorë, tha Mentor Kikia nga Alternativa Civile. Sipas tij, Alternativa Civile do ta shtrijë debatin dhe do të krijojë një grup pune për hartimin e propozimeve ligjore e për të lobuar pranë Parlamentit.
FATION BINJAKU