Rama: Duhet Inspektorat Kombëtar për Pastrimin

Tryeza e PS për mjedisin
PS zhvillon tryezën e programit për çështjet mjedisore.
U janë dhënë licenca abuzive gjuetarëve të huaj
Kryetari i Partisë Socialiste e cilësoi mjedisin kryeçështjen e politikave që u shërben brezave që vijnë. Në tryezën e programit për çështjet mjedisore, duke folur për situatën mjedisore në Shqipëri, Rama foli për domosdoshmërinë e moratoriumit ndaj disa veprimtarive që po dëmtojnë mjedisin. Ekspertët që po merren me çështjet dhe programin tonë për mjedisin po vlerësojnë se sa mund ti përgjigjemi nevojës për vendosjen e moratoriumit për një sërë veprimtarish mjedisore që kanë arritur vërtet në pikën fundore, që po nuk u frenuan, rrezikojnë të mbyllin përgjithmonë mundësinë e rigjenerimit. Një shembull doja ta sillja këtu në tryezë për një prej këtyre veprimtarive që ka të bëjë me gjuetinë. Ajo çka na ka bërë shumë përshtypje, është fakti që në kushtet kur po zhvillohet një gjueti tërësisht barbare e pakontrolluar, më e egër se sa egërsirat që synon të godasë, bazuar në licenca tërësisht abuzive që u lëshohen grupeve të gjuetarëve të huaj që vijnë për të gjuajtur këtu, çka ka ndodhur është që vetë gjuetarët kërkojnë masa shtrënguese, u shpreh Rama. Në tryezën e djeshme merrnin pjesë ekspertë për çështjet e mjedisit, përfaqësues nga shoqëria civile dhe drejtues socialistë të pushtetit vendor. Prej kohësh kemi qenë të bindur dhe e kemi të rinënvizuar në draftin e programit tonë Për një Rilindje Shqiptare domosdoshmërinë e krijimit të një inspektorati kombëtar të pastrimit. Inspektorat që të mundësojë një Shqipëri pa plehra, që nuk realizohet dot me një aksion brenda një dite, por që duhet të jetë realitet për gjithë shqiptarët kudo ku jetojnë, brenda një mandati qeverisës, u shpreh Rama. Sipas tij, më shumë se financa, mjedisi ka nevojë për vullnet të mirë dhe sensibilizim. Më shumë se sa për financa të mëdha, i gjithë ky është një proces që ka nevojë për një vullnet të madh. Për masa shumë të qarta parandaluese në radhë të parë, për të cilat është shumë e rëndësishme që me këtë grup pune ne të përcaktojmë drejt, hap pas hapi, natyrën, formën dhe mënyrën se si duhet të implementohen. Ne nuk mund të presim që shoqëria civile dhe qytetarët të kërkojnë me demonstrata dhe me referendume të drejta themelore mjedisore, të qarta si drita e diellit, siç është e drejta për të vendosur kundër importit të plehrave nga jashtë. Por do ta kthejmë shoqërinë civile në një partnere për ta ringjallur Shqipërinë e gjelbër, u shpreh Rama.
Tri shtyllat e programit
Së pari, zhvillim i qëndrueshëm, duke planifikuar politika ripërtëritëse mjedisore.
Së dyti, zhvillim i integruar, duke planifikuar se si të krijojmë mundësi të bashkëveprimit ekonomi mjedis.
Së treti, zhvillimi i përgjegjshëm duke planifikuar një shfrytëzim të resurseve natyrore për të sotmen, pa u hyrë në hak brezave që vijnë.