KiE tjeter raport kritik per Kosoven

Sipas raportit të Jean Charles Gardetto, në Kosovë nuk mbrohen dëshmitarët dhe nuk ka një ligj të posacëm për ta, që do t’u siguronte strehimin jashtë shtetit të ri të Evropës.
“Dëshmitarët dëshmojnë në mënyrë anonime, por më pas kjo masë bëhet tërësisht e padobishme, pasi fizikisht ata mbeten në Kosovë, ku të gjithë njohin njëri-tjetrin. Gjithashtu, shumica prej tyre identifikohen nga mbrojtja kur raportojnë”, thuhet në raport.
Në këtë dokument të ri të KiE theksohet gjithashtu se dëshmitarët në Kosovë shihen si tradhtarë nga komuniteti kur japin dëshmitë e tyre dhe kjo gjë i dekurajon ata të vazhdojnë më tej.
“Kur një dëshmitar vendos të flasë, ka gjasa reale për hakmarrje. Ai mund të humbasë vendin e punës, ose në rastin më të keq edhe të vritet”, shkruan raporti i Gardetto.
Si shembull për këtë ai citon procesin ndaj ish-kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, njëkohësisht ish-komandant i UCK-së.
“Këtë më së miri e dëshmon gjykimi i Ramush Haradinajt, ish-lideri i UÇK-së. Zoti Haradinaj u akuzua nga gjykata e Hagës për krime të kryera gjatë luftës në Kosovë, por më vonë u shpall i pafajshëm. Gjatë gjykimit të tij, gjykata nënvizoi vështirësitë që kishte për të siguruar prova nga 100 dëshmitarë të prokurorisë. 34 prej tyre iu dhanë masa mbrojtëse, ndërsa 18 morën thirrje. Disa dëshmitarë që duhej të dëshmonin në gjykim, u vranë. Këtu përfshihen edhe Sadik dhe Vesel Muriqi, që ishin nën programin e mbrojtjes nga ana e Hagës”, thotë më tej raporti.