E Diel, 1 Nëntor 2026

Kiço Londo: “Drama ime provokative me lesbike, biseksualë e dhunë”

Dje, në Akademinë e Arteve në Tiranë u ngjit drama “Shërbëtoret”. Pjesa është shkruar nga dramaturgu i njohur francez, Jean Genet

Petrika GROSI

Thyerje tabush, skena provokative, biseksualë, lesbike dhe dhunë... Kjo ka qenë drama e radhës, e ngjitur dje në sallën “Black Box” në Akademinë e Arteve të Bukura në kryeqytet, në regjinë e Kiço Londos dhe interpretimin e aktorëve të rinj, Valbona Imami, Adelina Muça e Loredana Gjeçi. “Shërbëtorët” titullohet pjesa, e cila vjen në kuadrin e “Pranverës të Frankofonisë 2008” dhe është një bashkëpunim i Akademisë së Arteve, “Çajupi-Teatër” dhe Ambasadës Franceze në Tiranë. Regjisori Londo tregon se drama e autorit të njohur francez Jean Genet do të ngjitet në skenën e Akademisë çdo fundjavë, deri në fund të muajit maj. E veçanta e kësaj shfaqjeje nis që nga spektatori, i cili do ta ketë në mes skenën e ndërtuar me blloqe betoni. Në mes të kësaj skene është dhe një varr i improvizuar, i mbuluar me jorgan të kuq. Sipas Londos, e gjithë mizanskena e shfaqjes tingëllon si një “valle vdekjeje”. Artistët vallëzojnë gjithandej, madje dhe mbi blloqet e betonit. “Më ka ngacmuar raporti i brendshëm i të qenit të nënshtruar dhe i paaftësisë për të ngritur krye”, - thotë Londo, Nga pikëpamja mizanskenike lëvizjet e aktorëve ngjajnë me dy zogj që janë në një kafaz me portë të hapur, të cilët përpiqen të dalin dhe nuk arrijnë të dalin dot, edhe pse porta është e hapur”. Grafikisht është zgjidhur kontrasti i së bardhës dhe të zezës, por edhe e kuqja, të cilat të tria së bashku janë ngjyrat e vdekjes dhe të zisë. Muzika është zgjedhur nga regjisori me motive moderne arabe. Ajo është e veçantë dhe nuk vjen si një zgjedhje rastësore, pasi siç shprehet Londo, autori i dramës ishte i dashuruar marrëzisht me orientin, madje në testament ka kërkuar që të mos varroset në Francë, por në Marok. Përsa i përket Jean Genet, ai ka qenë dhe në Shqipëri në kohën e mbretit Zog, por është shpallur “persona non grata”, duke qenë se ishte homoseksual. E njëjta gjë i ka ndodhur edhe kur donte të merrte vizë për në SHBA, kur kjo gjë iu refuzua duke i thënë se e kishte moralin të lëkundur. Edhe pas kësaj shfaqjeje, regjisori Kiço Londo tregon se do të bashkëpunojë me artistët e rinj. “Më pëlqen të punoj me ta dhe, që këtej e tutje, do ta kem në linjën time të punës bashkëpunimin me artistët e rinj të Akademisë së Arteve”, – shprehet ai.
Gjithçka fillon në një dhomë gjumi të stilit Ludovikian të shek. XV, ku një zonjë fisnike vishet prej shërbëtores së saj, që quhet Kleri. Zonja është e padurueshme, ndërsa shërbëtorja e bindur dhe e nënshtruar. Megjithatë, që të dyja tallin hapur njëra-tjetrën. Në fund shërbëtorja e qëllon me shpullë zonjën. Befas bie zilja e një ore dhe në mënyrë të rrufeshme e gjithë skena rrënohet. Zonja zbulohet dhe del që nuk është aspak zonjë, por njëra prej dy shërbëtoreve që po luajnë lojën e zonjës dhe shërbëtores kur zonja e shtëpisë mungon. Në fakt, shërbëtorja, që i thërrasin Klei, nuk është aspak Kleri, por një Solnash. Kleri është ajo që luan rolin e zonjës dhe sillet me të motrën njësoj siç sillet zonja me Klerin. Subjekti i shfaqjes, duke nisur që nga titulli, kuptohet që ka të bëjë me marrëdhëniet mes shërbëtoreve dhe zonjës së tyre. Sa herë që zonja mungon, dy shërbëtoret luajnë teatër me njëra-tjetrën, bëjnë lojën fantastike të të qenit nën urdhra dhe të kryengritjes përfundimtare ndaj zonjës, e cila imitohet herë nga njëra shërbëtore e herë nga tjetra. Ato të dyja janë shumë të lidhura me zonjën e tyre, duke qenë se ajo është më e re dhe më e bukur se dy shërbëtoret, me një ndërthurje përkushtimi, dashurie, erotike dhe urrejtje të fshehur. Ato do të bëhen shkaku i arrestimit të zotërisë, dashnorit të zonjës së tyre nëpërmjet letrave anonime që dërgojnë në polici. Bie telefoni, zotërinë e lënë të lirë me kusht. Shërbëtoret i zë paniku. Denoncimi tani do t’u zbulohet. Kështu ato vendosin që sapo të vijë zonja ta vrasin duke i hedhur helm në çaj. Zonja vjen. Shërbëtoret nuk i tregojnë asgjë për lirimin e zotërisë (dashnorit të saj). Në momentin kur zonja do të pijë çajin e helmuar i bie në sy receptori i telefonit i ulur dhe njëra nga shërbëtoret i tregon për lirimin e zotërisë. Atëherë zonja nuk arrin ta pijë çajin, por largohet me ngut që të takojë dashnorin. Shërbëtoret mbeten vetëm. Tani është radha e Klerit të faktojë kurajën e saj. Duke luajtur rolin e zonjës shërbëtorja pi çajin e helmuar dhe vdes. Dy shërbëtoret i lidh dashuria dhe urrejtja që u shkaktohen nga pasqyrimi i ndërsjellë.

27 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›